Vrasja e trefishtë në Gjilan: Pezullohen 4 policë, dyshohet se bashkëpunuan me autorët

12 Gusht 2025, 09:11Rajoni TEMA
Vrasja e trefishtë në Gjilan: Pezullohen 4 policë, dyshohet se

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ka filluar një hetim paraprak për të verifikuar nëse ndonjë pjesëtar i Policisë së Kosovës është përfshirë në veprimtarinë kriminale të të dyshuarit të shpallur në kërkim për vrasjen e trefIshtë në Gjilan.

Për të ruajtur integritetin e hetimit dhe për të shmangur çdo ndikim mbi dëshmitarë apo prova, IPK ka rekomanduar pezullimin e katër zyrtarëve policorë të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan.

Sipas rekomandimit, janë pezulluar një rreshter policor dhe një hetues nga njësia e hetimeve rajonale, një rreshter policor, shef i hetimeve në Stacionin Policor të Novobërdës, si dhe një zyrtar policor nga Njësia e Reagimit të Shpejtë.

IPK, në bashkëpunim me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Gjilan, po zhvillon hetime paraprake ndaj tyre, për dyshime mbi përfshirje në veprimtari të jashtëligjshme me elemente të veprës penale.

Ngjarja tronditëse u regjistrua dy ditë më parë në Gjilan ku tre persona humbën jetën pasi u qëlluan me armë zjarri nga Mefail Shkodra.

Selami Hasani, Abedin Hoxha dhe Edmond Hasani ndërruan jetë si pasojë e plagëve të marra, ndërkohë që dy shtetasit e tjerë Naim dhe Bujar Hoxha vijojnë të jenë në spital.

Lidhur me këtë ngjarje policia e Kosovës ka shpallur në kërkim Mefail Shkodrën dhe dy djemtë e tij, Edonis Shkodra dhe Engjull Shkodra të cilët akuzohen për veprën penale “vrasje e rëndë”.

Mefail Shkodra, ashtu sikurse raportuam dhe më herët ishte një emër i njohur për drejtësinë pasi më herët ka qenë i dënuar për fajde.

Në rrjetet e tij sociale, ku shtetas nuk ngurronte të tregonte jetën e tij luksoze si dhe takimet me politikanë të ndryshëm të Kosovës. Përpos fotove të cilat tregojnë jetën e tij luksoze dhe makinat e luksit, ai shfaqet edhe krah politikanëve të lartë në Kosovë, përfshirë Albin Kurtin, Vjosa Osmanin, ministrin e Brendshëm Xhelal Sveçlën, kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama apo dhe me Ramush Haradinajn.

Sakaq kujtojmë se Shkodra, së bashku me të birin, u arrestuan në qershor të vitit të kaluar pasi akuzoheshin se jepnin para me fajde dhe më pas i kërcënonin dhe i shantazhonin personat të cilëve u jepnin shumën monetare.

Ata u liruan në tetor të 2024, por mesa duket nga informacionet e deritanishme ai nuk e ka lënë “huqin” e vjetër dhe dyshohet se shkak i tragjedisë këtë 10 gusht të jenë bërë paratë me fajde.

Lini një Përgjigje