
Katër vjetë që Ramush Tahiri na mungon aq shumë. Katër vjetë që ai prehet në varrezat e Dramjakut në Ferizaj, pranë prindërve të tij të paharruar. Vështirë të shkruash për një shok, për një mik të rrallë, ndarë nga jeta, me të cilin vite të tëra kemi qënë pranë njëri-tjetrit në ditë të mira dhe të vështira. Takimet në Tiranë, thirrjet telefonike nga Tirana dhe Prishtina ishin vazhdimisht të shumëpritura. Sepse bisedat me Ramush Tahirin kishin të veçantën e tyre për shkak të një mendje largpamëse, të mënçur dhe të urtë. Prandaj, në këto raste, me të drejtë shoqëria e ndjen thellë humbjen e njerëzve si ai.
Jam ndjerë me fat dhe i lumtur që e kisha njohur Ramushin në atë fillim viti të ’90-ës. Kurrë nuk kisha menduar se Ramushi do na ikte kaq shpejt. Madje, as kur sëmundja tinzare përpiqej ta mposhtëte atë dhe ne e dinim që muajt e fundit ai ishte në një betejë të egër me atë sëmundje të pashërueshme. Optimizmi i tij, përpjekjet e pashëmbullta deri në çastet e fundit, mua dhe tërë miqve të Ramushit na e fuqizonin shpresën e jashtëzakonshme për mosndarje. Jo, Ramushi do ta fitonte këtë betejë. Vizioni për të nesërmen, edhe gjatë bisedave të asaj periudhe jo të lehtë për të, fjala aq e ngrohtë, larg mediokritetit, plot vlera, veshur me modesti të rrallë, të rritnin kurajon dhe nuk ta qasnin humbjen e tij. Dhe kur është fjala sidomos për njeriun e afërt, për një shok, për një mik si Ramush Tahiri.
…Ish studenti i shkëlqyer i Fakultetit të Shkencave Politike në Universitetin e Zagrebit, që do të dallohej në tërë vitet universitare për fjalën e mprehtë dhe të shëndoshë në mbrojtje të çeshtjes shqiptare, që do të linte gjurmë të thella dhe do të bënte jehonë për idetë dhe guximin, me të cilin shtroheshin ato edhe në temën përfundimtare, si epilog i mbylljes së studimeve, për mbrojtjen e diplomës mbi pozitën e shqiptarëve dhe rrugët e zgjidhjes së saj në ish shtetin jugosllav, u bë tepër i njohur në ato vite.
Qeveria e përkohshme e Kosovës, e drejtuar nga Bujar Bukoshi, krijuar në tetor 1991, me seli në Slloveninë e shpallur pesë muaj më parë e pavarur nga Jugosllavia, do të kishte zëvendëskryeministër të saj, Ramush Tahirin. Ishte koha kur 125 deputetët e Kuvendit të Kaçanikut kishin shpallur gati një vit më parë, më 7 shtator 1990 Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke ndjekur Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut, ku Kosova shpallej Republikë. Nën një atmosferë të egër arrestimesh dhe kërcënimesh dhe ku deputetët e Kuvendit të Kaçanikut kërkoheshin nga policia serbe, Ramush Tahiri dhe deputetët e tjerë do të strehoheshin në Shkup dhe në Zagreb, duke iu ndaluar hyrja në Kosovë. Do të provonte burgun, provokime të paprincipta, arrestimin në saj të shërbimeve të fshehta serbo-maqedonase dhe largimin nga Maqedonia e Veriut në Shqipëri. Sikur të mos mjaftonin këto, vdekja e babait dhe më vonë e nënës do t’i shkaktonin dhembje të thellë. Dhembje që mos e provoftë kush: nuk mundëte t’u jepte lamtumirën e fundit, t’u hidhte një grusht dhe në banesën e fundit prindërve të shtrenjtë, djalë i vetëm i të cilëve ishte. Si mund t’i ngushëllonte motrat e veta? Jam dëshmitar okular i tërë këtyre situatave, i asaj gjendje shpirtërore të tij. Në atë kohë drejtoja Zyrën Diplomatike në Shkup. Takoheshim vazhdimisht. Më interesonte gjykimi i tij për probleme të ndjeshme në vend, për marrëdhëniet bilaterale me vendin fqinjë dhe ato të rajonit etj. Ishte këshilltari politik më i mirë. Pyesja veten për situatat e mësipërme: Ku e gjente forcën ndërkohë, miku im, për t’i përballuar ato? Sa i ndjeshëm dhe karakter i fortë.
Gazetari dhe më pas redaktori përgjegjës i gazetës “Rilindja” të Kosovës, këshilltari i mëvonshëm i presidentit, i kryetarit të parlamentit, diplomati, analisti politik, pra, jo vetëm do të ishte pjesmarrës në tërë proceset që do të kalonte Kosova, por dhe tepër aktiv i tyre, një zë i dëgjueshëm dhe përherë i vlerësuar. Luftëtar i fjalës së lirë, larg konformizmit, duke bërë të zëshme me analizat dhe opinionet e kthjellta probleme të politikës kosovare, të çështjes shqiptare në tërësi. I palodhur në rrugën e pavarësisë dhe mandej, forcimit të shtetit të Kosovës, me orientim të qartë nga Perëndimi. Për këtë flasin kontaktet me figura të njohura të politikës së kohës, me gazetarë me emër të shtypit të këtyre vendeve dhe agjensive të ndryshme të medias.
Të gjitha këto kanë mbetur në kujtesën e lexuesit, por dhe të dëgjuesve dhe shikuesve të debateve në radio dhe televizione, një angazhim aktiv dhe zë bindës për familjen e analistëve politik. Krenari për këtë familje. Dhe siç vlerëson me të drejtë një gazetar dhe analist i njohur nga Kosova, “humbja, ndarja nga jeta e Ramush Tahirit, është humbje e modelit të një analisti të vërtetë”. Përmendëm këtë, sepse sa intelektual me kulturë të gjerë dhe i suksesshëm si gazetar e politolog, Ramush Tahiri do të mbahet mend edhe për atë që, për fat të keq u mungon jo rrallë debateve të ndryshme televizive te ne: respektimi i mendimeve të kolegëve, pavarësisht rasteve të mosdakordësisë, duke qënë po ai Ramush, i njëjti edhe në bisedat, konsultat tej medieve. Zemërgjerë dhe fisnik. Buzëqeshja e ngrohtë, larg toneve të ngritura dhe fyerjeve personale përballë reagimeve këmbëngulëse të dikujt në panel, shoqërohej nga “ani…” e tij, duke përcjellë ndërkohë dhe një staturë të veçantë, atë të politikanit të urtë dhe vizionar.
Puna, tërë veprimtaria e Ramush Tahirit rri ndezur në memorien e gjithësecilit, të vetë kombit të tij, të cilit iu përkushtua në mbarë vitet që jetoi. Një jetë, që mbetet e tillë, edhe pas ndarjes së parakohshme prej saj. I gjallë, përherë mes nesh!
*Autori ka qenë ambasador me nje pervoje te gjate ne rajonin e Ballkanit
Te lumte pena! Ramushi ishte nje njeri i rralle. Ai ishte nga ata njerez qe nuk bente kompromis me parimet.
Ramush Tahiri ishte intelektual i politikës. Përgëzime për shkrimin kaq të mirë, i nderuari Leonidha Mërtiri!