Ndërkohë që termi “mikroplastikë” bëhet gjithnjë e më i pranishëm në raportet shkencore dhe shqetësimet ndërkombëtare për mjedisin, në Shqipëri mungon ende ndërgjegjësimi real për rreziqet që ajo përfaqëson për shëndetin. Gjatë bisedës në Apostrof Podcast, kimistja Silvi Dollani ndalet tek ky fenomen si një ndër krizat më të nënvlerësuara të kohës sonë.
“Duhet përmendur këtu mikroplastika. Është problemi i shekullit. Gjendet kudo: në skincare - mikroplastikë primare quhet ajo - apo si mikroplastikë sekondare, pra si pasojë e shpërbërjes së shisheve, qeseve, kontejnerëve plastikë... Kjo pastaj kalon në të gjithë zinxhirin ushqimor deri tek njeriu, duke shkaktuar inflamacion. Fillojnë të bëhen transmetues të kimikateve toksike. Disbalancat hormonale, gjithashtu vijnë kryesisht nga prania e mikroplastikave. Dhe problemi tjetër është që ato nuk treten, nuk asimilohen, por qëndrojnë për qindra vite. Studimet tregojnë që janë gjetur edhe tek qumështi i gjirit. Pra, është e frikshme dhe në Shqipëri nuk ka fare ndërgjegjesim. Bëhen pak politika apo aktivitete, por shoqëria nuk është e ndërgjegjes-tuar për problematikën që vjen si pasojë e mikroplastikës.”
Sipas Dollanit, mikroplastikat nuk janë thjesht ndotës mjedisor, por faktorë të drejtpërdrejtë në shëndetin hormonal dhe metabolik të njeriut. Ajo thekson se ekspozimi i vazhdueshëm— përmes produkteve kozmetike, ushqimit dhe ambalazheve plastike — shpesh ndodh pa vetëdije, duke i dhënë këtij problemi një dimension edhe më shqetësues: mungesën e kontrollit mbi diçka që është bërë tashmë pjesë e jetës biologjike.
Ndërsa bota po fillon të shqyrtojë seriozisht pasojat afatgjata të mikroplastikës, në Shqipëri ende mungon një strategji kombëtare për parandalimin dhe menaxhimin e tyre. Dhe pikërisht për këtë arsye, sipas Dollanit, trajtimi i mikroplastikës nuk është më çështje ambientalizmi apo e mbrojtjes së mjedisit, por një nevojë urgjente për mbijetesë dhe vetëdije.
Ndiq episodin e plotë të Apostrof Podcast: https://youtu.be/-uXxKJ5XWsk
Lini një Përgjigje