"Këtu flet vetëm bisturia" - Kirurgu Panajot Papa në Apostrof Podcast: Në Shqipëri operojnë mjekë që s’dinë shqip

9 Korrik 2025, 19:01Shëndeti TEMA
"Këtu flet vetëm bisturia" - Kirurgu Panajot Papa në

Në Shqipëri operojnë prej kohësh mjekë të huaj nga vende të rajonit dhe më gjerë, por ndryshe nga çdo shtet tjetër europian, njohja e gjuhës shqipe nuk është kusht për të ushtruar profesionin. Kjo mungesë standardi ka sjellë pasoja reale për pacientët shqiptarë.

Gjatë bisedës në Apostrof Podcast, kirurgu plastik Dr. Panajot Papa rrëfen se ka hasur raste konkrete ku keqkuptimi gjuhësor mes mjekut dhe pacientit ka sjellë ndërhyrje të gabuara kirurgjikale. Ai tregon një rast ku një paciente kërkoi një operacion për qepallat, por përfundoi me një prerje mbi vetulla që i deformoi shprehinë e fytyrës... thjesht sepse mjeku “nuk e kuptoi”.

"Kam parë raste, ku janë operuar njerëz, për shembull për atë që quhet operacioni i trendit 'cat eyes', dhe mjeku i ka bërë operacion tjetër për tjetër, duke i thënë pastaj pacientit: ua po unë nuk të kuptova. Erdhi një vajzë, e cila kishte njëzet e dy vjet që jetonte në Gjermani. Kishte vajtur në një klinikë këtu dhe ishte operuar nga një mjek italian. Kishte kërkuar 'cat eyes', domethënë spostimin e zonës së qepallave duke i tërhequr, por mjeku i kishte bërë një prerje lart vetullave. Dhe vajza tani dukej sikur ishte gjatë gjithë kohës e inatosur."

Ndërkohë që industria estetike në Shqipëri po përhapet me ritme të shpejta, mungesa e rregullave bazike dhe mbikëqyrjes profesionale ngre shqetësime serioze për shëndetin dhe dinjitetin e pacientëve.

A nuk është koha që Shqipëria të vendosë standarde të njëjta me Europën për të mbrojtur qytetarët e saj, jo vetëm nga ndërhyrjet e dështuara, por edhe nga keqkuptimi që ndonjëherë mund të lëndojë më shumë se sa gabimet teknike?

Ndiq episodin e plotë të Apostrof Podcast: https://youtu.be/7_lYRzFWIo8

1 Komente

  1. p
    pap

    Nuk eshte e zgjuar qe te pergjithesosh me "kam patur nje rast", ashtu sic nuk mund te pergjithesosh me rastet e mjekeve shqiptare, qe e kane shqipen gjuhen e nenes, por marrin me qafe jo pak paciente. Mendoj se fakti qe mjeke te huaj, me apo pa njohuri te mjaftueshme te gjuhes shqipe, punojne ne Shqiperi eshte nje problem kompleks. Ne fillimet e tij, shqiptaret, por edhe sherbimi shendetesor, kane perfituar ndjeshem per arsye qe nuk eshte vendi te zgjatem. Ndoshta ka ardhur koha qe te behet nje rivleresim i situates dhe te vendosen rregulla qe i pershtaten kohes dhe rrethanave te sotme. Sidoqofte, nuk kemi pse te kemi frike nga prania e tyre ne sistemin tone, mbasi jane aset/ndihme/eksperience......

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje