Apostrof/ Si na manipulon industria ushqimore përmes shijes (VIDEO)

15 Qershor 2025, 11:22Shëndeti TEMA
Apostrof/ Si na manipulon industria ushqimore përmes shijes (VIDEO)

Kur flitet për varësinë, mendja zakonisht na shkon tek alkooli, duhani, apo droga, por rrallë mendojmë për shijen, atë shpërthim ndjesish që përjetojmë sa herë konsumojmë ushqime të shpejta dhe ultra të përpunuara.

E, megjithatë, ajo është fusha ku industria ushqimore vepron me efikasitetin e vet më të lartë, duke na stërvitur pritshmëritë përmes ruajtjes së konsistencës së shijes në produktet e përpunuara që na ofron.

Ndryshe nga ushqimet organike, të cilat variojnë në shije, aciditet dhe aromë qoftë edhe kur vijnë nga e njëjta pemë, ushqimet e procesuara krijohen për të patur gjithmonë të njëjtën shije. Në momentin që blen një çokollatë apo një pako me patatina kudo në botë, ato do të kenë të njëjtën shije.

Gjatë bisedës në Apostrof Podcast me mjeken nutricioniste Albana Daka, ndalemi pikërisht tek mënyra se si industria ushqimore sot na manipulon përmes shiijes, duke na shkaktuar varësi ndaj produkteve që na ofron.

“Ajo me të cilën ne afektohemi kryesisht është shija, sepse prandaj punon gjithë industria ushqimore për të manipuluar shijen dhe nga ushqimet e proçesuara ne bëhemi të varur siç bëhemi nga konsumi i duhanit, i alkoolit, i drogës. Kanë të njëjtin mekanizëm veprimi.

Dhe nëse në një ushqim të paketuar ne jemi 100% të ndërgjegjshëm se si është shija, pra në qoftë se marrim një akullore me një shije të caktuar e dimë që ajo ka shije luleshtrydhe, se ka një esencë, nëse ne hamë dy mollë, qoftë edhe të një peme, njëra pas tjetrës, asnjëherë ato nuk kanë të njëjtën shije në mënyrë identike, sepse kanë sasi të ndryshme të lëngut, kanë shije njëra athëll, njëra ëmbël ndoshta.

 Pra, ushqimi organik asnjëherë nuk ka të njëjtën shije, qoftë edhe nga e njëjta bimë, ndërkohë që një ushqim i procesuar ka identikisht të njëjtën shije, po pa dyshim është i manipuluar, me të gjitha konservantët dhe të gjitha gjërat e tjera që unë thashë, për të manipuluar dhe për ta bërë të kërkuar po themi këtë ushqim.”

Kur është fjala për ushqimet e përpunuara i gjithë zinxhiri ushqimor – nga laboratory tek vendosja e etiketës – ndërtohet për të manipuluar paparashikueshmërinë e shqisave tona dhe për ta zëvendësuar atë me sigurinë se do të provojmë të njëjtën shije gjithmonë. Një nga arsyet kryesore përse ne kthehemi gjithmonë te këto ushqime është sepse e dimë shijen që do të kenë para se t’i konsumojmë, nisur nga fakti se truri njerëzor priret drejt komditetit që na ofron përsëritja dhe ndjesisë së kënaqësisë.

Dhe, në fund ne nuk hamë më për t’u ushqyer, por për të përjetuar sërish dhe sërish ndjesi të krijuara në laborator.

Lini një Përgjigje