Vaksina HPV ul incidencën e kancerit të qafës së mitrës

17 Prill 2022, 13:15Shëndeti TEMA

Vaksina HPV ul incidencën e kancerit të qafës së mitrës

“Në 3-vjeçarin e ardhshëm do të përfshihet vaksina HPV kundër Kancerit të Qafës së Mitrës në programin kombëtar”.

Kështu bëri me dije ministrja e Shëndetësisë në Shqipëri, Ogerta Manastirliu, gjatë prezantimit të Programit Kombëtar të Kontrollit të Kancerit 2021-2031.

Për Albanian Post, mjeku obstetër gjinekolog Ardi Prushi shpjegon mbi aplikimin e vaksinës dhe rëndësinë e saj.

Gjatë fjalës së tij, ai bën me dije se rreth 80-90% e kancerit të qafës së mitrës janë të tipit skuamoz dhe me ndikim direkt nga infektimi me virusin e papilomës njerëzore (HPV).

“HPV”, thotë dr.Prushi, “është përgjegjës dhe për një pjesë të madhe të kancerit anal dhe atij orofaringeal, e kështu nëpërmjet vaksinimit kundër këtij virusi, do të ulet incidenca e këtyre kancerave”.

Për sa i përket efektit të kësaj vaksine, mjeku ravijëzon se imuniteti i aktivizuar “përveç valencës së vaksinës dhe kohës kur kryhet”, varet dhe nga reagimi imunitar i një individit të vaksinuar.

“Sot kemi studime të shumta dhe thuajse të sakta, të cilat na japin të dhëna mbi kohëzgjatjen e efektit të vaksinës anti-HPV. Analiza e modelit matematikor e bazuar në regjimin me 3 doza të vaksinës profilaktike të nëntipit të HPV-16 na jep të dhëna se 99% e femrave të vaksinuara të moshës 16-23 vjeç do të kenë imunitet thuajse jetësor anti-HPV 16”.

Doktori thekson se dy doza të vaksinës janë të mjaftueshme dhe të rekomandueshme.

Kjo, sipas protokollit të CDC-së për vaksinimin anti-HPV, deri në moshën 15 vjeç.

“Doza e dytë duhet dhënë rreth 6 muaj deri në 1 vit pas dozës së parë. Në rast se marrja e dozës së dytë tek adoleshentët ndodh brenda 5 muajve nga doza e parë, atëherë rekomandohet të kryhet dhe një dozë e tretë”.

Ndërsa, sipas tij, nga mosha 15-26 vjeç rekomandohet kryerja e tri dozave të kësaj vaksine, duke përfshirë dhe të imunokompromentuarit (me sistem imunitar të dobët) e moshës 9-26 vjeç përfshirë dhe AIDS.

“Si çdo medikament tjetër, vaksina anti-HPV ka kontraindikimet dhe efektet anësore.
Personat, të cilët kanë pasur hipersensitivitet apo alergji nga vaksina të mëparshme të kryera duhet të sqarohen në lidhje me anti-HPV”.

Gjithashtu, Prushi sjell në vëmendje edhe faktin që personat, të cilët në dozën e parë kanë krijuar reaksion të rëndë imunitar, si shoku anafilaktik, nuk duhet t’i kryejnë dozat e tjera.

“Në grupin e kujdesit duhet të futen dhe personat me alergji ndaj latexit (vaksinat në shiringa të parambushura mund të krijojnë reaksion nga latexi i kapakut mbyllës së vaksinës), personat me probleme alergjike karshi majasë duhet të sqarohen pasi vaksina kuadrivalente dhe ajo nëntëvalente prodhohen në terren të Saccharomices cerevisiae (majaja e bukës)”.

Ai thekson edhe se të sëmuret akut duhet që t’i shmangen vaksinës deri në sqarimin dhe kalimin e situatës akute, ndërsa ato me sëmundje kronike duhet të konsultohen me mjekun.

“Efektet anësore të saj në shumicën e rasteve janë lokale dhe të tipit inflamator të vendit të injeksionit, shoqëruar me skuqje, ënjtje, dhimbje nga 20-90% të rasteve. Duhet të cilësoj se kjo ndodh thuajse në çdo vaksinim apo injeksion”.

Një efekt tjetër, sipas doktorit, është temperatura trupore.

“Mund të rritet deri në 37.8 gradë gjatë 15 ditëve të para të pas vaksinimit. Kjo nuk është shqetësuese dhe njihet si reagim imunitar. Të tjera efekte anësore të rralla janë dhimbjet trupore, lodhja dhe dobësia”.

Në përmbyllje, doktor Ardi Prushi thotë se lajmi për inokulimin e vaksinës HPV në Shqipëri, është pozitiv, pasi “ul incidencën për kancerin e qafës së mitrës”.

1 Komente

  1. S
    Sidorela

    A eshte e Sigurt per ta bere vaksinen

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje