VIDEO/ Kriza e heshtur e testosteronit, mjeku androlog: Pse nuk ka të bëjë vetëm me seksualitetin

27 Dhjetor 2025, 22:00Shëndeti TEMA
VIDEO/ Kriza e heshtur e testosteronit, mjeku androlog: Pse nuk ka të

Niveli i ulët i testosteronit shpesh reduktohet në biseda rreth potencës seksuale, performancës, apo maskulinitetit, por klinikisht efektet tij janë shumë të gjera.

Meshkujt që kanë nivele të ulëta të këtij hormoni, shpesh përjetojnë lodhje kronike, vështirësi për t’u përqendruar, irritohen më shpesh dhe më lehtë. Ndonëse nuk janë simptoma dramatike, ato përbëjnë një gërryerje të ngadatë të energjisë dhe mirëqenies.

I ftuar në episodin e radhës të Apostrof Podcast, Dr. Marsid Sinani – mjek androlog – shprehet se një sërë studimesh kanë treguar se nivelet e testosteronit në rang global kanë rënë me 33% në dekadat e fundit dhe kjo i atribuohet kryesisht ndryshimit rrënjësor të mënyrës së jetesës,

Nëse 50 vite më parë trupat e meshkujve formësoheshin nga nevoja – puna fizike në ambiente të hapura, ekspozimi ndaj dritës  së diellit, mjedis më i pastër – sot shumica e meshkujve bëjnë jetë sedentare, të ekspozuar më pak ndaj dritës së diellit dhe më shumë ndaj ndriçimit artificial, duke humbur lidhjen me trupat e tyre.

Dhe testosteroni i është përgjigjur këtij ndryshimi në mënyrën e jetesës. Stërvitja fizike, ekspozimi ndaj dritës së diellit dhe përthithja e vitaminës D, mjedisi i pastër, ndërveprimi social dhe ushqimi, të gjitha luajnë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e niveleve të shëndetshme të testosteronit, jo si truke “lifestyle”, por si sinjale biologjike që trupi i njeh.