Apostrof/ Çfarë i "vjedh" trurit të fëmijës koha e kaluar përpara ekranit? (VIDEO)

4 Maj 2025, 16:28Sociale TEMA
Apostrof/ Çfarë i "vjedh" trurit të fëmijës

Rritja e ekspozimit të fëmijëve ndaj pajisjeve elektronike përbën një nga sfidat më serioze për zhvillimin e hershëm neuropsikologjik. Në një periudhë kur truri është ende në formim, koha e kaluar përpara ekranit nuk është thjesht kohë pasive, por kohë që zëvendëson përvoja të domosdoshme për zhvillimin kognitiv, emocional dhe social të fëmijës.

Sipas neuro-pediatres Dr. Migena Bedeni Kika, ekrani nuk "argëton" fëmijën, por i zë vendin kontakteve thelbësore me njerëzit dhe me natyrën — dy përbërës që kanë rol të drejtpërdrejtë në ndërtimin e funksioneve gjuhësore, sociale dhe ekzekutive të trurit.

“Koha që fëmija kalon para iPad-it, televizorit apo celularit është kohë që ai duhej ta kalonte në ndërveprim me frymorë të tjerë dhe me natyrën. Ajo kohë humbet nga përvoja gjuhësore, nga komunikimi, nga ndërtimi i ndjeshmërisë sociale. Humbet edhe nga përvoja fizike që zhvillon trurin,” shprehet ajo gjatë bisedës në Apostrof Podcast me Bjorn Runa.


Ndikimi neurobiologjik

Ekranet nuk ndikojnë vetëm në mënyrë indirekte përmes varfërimit të përvojës sociale. Ato kanë edhe efekt biologjik. Pajisjet elektronike emetojnë impulse elektrike që ndërveprojnë me sistemin nervor, veçanërisht në fëmijët e vegjël, truri i të cilëve është ende në fazë të brishtë zhvillimi.

“Truri funksionon përmes impulseve elektrike. Pajisjet elektronike, si celularët apo televizorët, emetojnë valë që ndërhyjnë në këto impulse dhe mund të ndikojnë në vetë organizimin e sistemit nervor qendror.”

Në vend që të përbëjë një zgjidhje praktike për lodhjen apo për mbajtjen e fëmijës “të zënë”, përdorimi i tepërt i ekraneve mund të ndikojë negativisht në zhvillimin afatgjatë të tij. Çfarë i vjedh koha përpara ekranit trurit të fëmijës? Ajo i vjedh përvojën e drejtpërdrejtë me botën reale, e cila është e pamundur të zëvendësohet edhe nga teknologjia më e sofistikuar.