Apostrof/ Krizat e heshtura të familjes shqiptare (VIDEO)

17 Maj 2025, 16:02Sociale TEMA
Apostrof/ Krizat e heshtura të familjes shqiptare (VIDEO)

Në diskursin publik shqiptar, shpeshherë flitet për “vlerat familjare” me një ton solemn, si një pikë e reference morale e rëndësishme dhe e pandryshueshme. Por çfarë ndodh kur struktura e quajtur “familje” humbet përmbajtjen e saj reale dhe mbetet thjesht një formë ligjore? Kur bashkëshortët ndahen emocionalisht, fizikisht, shpirtërisht – por jo ligjërisht – dhe qëndrojnë të lidhur vetëm për hir të fëmijëve?

Në episodin e radhës të Apostrof Podcast me Bjorn Runa, aktivistja e shoqërisë civile dhe të drejtave të njeriut Esmeralda Metko flet për transformimet e thella që ka pësuar familja shqiptare dhe për mungesën e një përditësimi të domosdoshëm të ligjeve dhe mendësisë që i mbështet ato.

“Familja shqiptare ka pësuar transformime të shumta dhe do duheshin shumë ndryshime nga shumë aspekte, qoftë në kodin e familjes, qoftë në ligjet sektoriale që lidhen me kodin e familjes, qoftë edhe nga pikëpamja sociale.

Ne duhet të rimodelojmë mënyrën se si e konceptojnë familjen dhe marrëdhënien bashkëshortore në vetvete... Edhe rastet e ndarjes në shoqërinë shqiptare janë - po flas për arsyet që shkojnë drejt këtij akti - janë nga më të ndryshmet dhe nga më të paimagjinueshmet. Por ti shikon që ka akoma persona që rrinë për vite e vite në distancë, me një martesë që është formale dhe arsyeja që i mban këta persona të lidhur në distancë, janë fëmijët. Gjë që shkakton goxha problematikë tek mënyra se si fëmija rritet dhe mënyra sesi e percepton familjen, sepse në momentin që krijon marrëdhënie të tilla, ti dhe brezat që rrit nga pasi rrit me një mendësi jo të mirë, me një mendësi jo të shëndetshme për shoqërinë që do të vijojë të rritet në vijim.”

Kjo formë e jetës në distancë, ku prindërit nuk komunikojnë për një kohë të gjatë, por mbajnë një martesë formale vetëm për t’iu shmangur pasojave të ndarjes, krijon modele të brishta për brezat që vijnë. Familja, në këtë rast, shndërrohet në një performancë, jo në një realitet emocional funksional. Dhe kur ajo performancë mbështetet nga një sistem ligjor të vjetruar dhe një mendësi sociale që sheh ndarjen si dështim, jo si zgjidhje të ndershme, dëmi nuk mbetet vetëm mes dy të rriturve.

Për një shoqëri që pretendon të jetë “e ndërtuar mbi familjen”, ndoshta ka ardhur koha të rishikojmë se çfarë kuptojmë me këtë fjalë. Dhe nëse realisht është koha për të rimodeluar jo vetëm ligjin, por edhe gjuhën me të cilën flasim për dashurinë, ndarjen dhe fëmijët që rriten në mes të tyre.

Lini një Përgjigje