Dy të tretat e ujit të hedhur në rrjet humbet pa të ardhura, thotë ERRU

29 Mars 2024, 19:12Sociale TEMA
Dy të tretat e ujit të hedhur në rrjet humbet pa të ardhura,

Taksapaguesit shqiptarë kanë angazhuar gjatë viteve të fundit qindramilionë euro investime për të përmirësuar sistemin e furnizimit me ujë dhe të heqjes së ujërave të zeza, para këto që i shtohen edhe qindra milionë euro të tjera të financuara nga donatorët e huaj.

E megjithatë, prej vitesh, këto qindra milionë euro dukshëm nuk po japin efekt, as në uljen e sasisë së ujit të humbur në rrjet dhe as në përmirësimin e performancës së sektorit, i cili është përballur me seri të njëpasnjëshme falimentimesh dhe është përfshirë nga skandale të përsëritura korruptive, përfshirë arrestimin e një ish-drejtori të UK Tiranë së fundmi.

Vetëm gjatë vitit 2023, investimet në rrjetin e ujësjellësve dhe kanalizimeve ishin në masën 15.5 miliardë lekë (rreth 150 milionë euro), para këto që teorikisht, duke zëvendësuar tubat e amortizuar, do të sillnin reduktimin e rrjedhjeve të lira apo duke instaluar matësa, do të sillnin reduktimin e derdhjeve të papaguara nga konsumatorët. E megjithatë, nëse shikohen shifrat e humbjeve në rrjet, gjithë ky mal me para nuk ka dhënë kurrfarë efekti. Përkundrazi, humbjet kanë pësuar një rritje të vogël.

Raporti vjetor i Entit Rregullator të Ujit, një institucion nën varësinë e Këshillit të Ministrave, bën me dije se gjatë vitit të kaluar, Shqipëria vlerësohet se tërhoqi nga natyra rreth 307 milionë metra kub ujë për t'i dërguar te konsumatorët, por nga këto, 64% ose 196 milionë humbën në rrjet pa vajtur te konsumatori dhe vetëm pjesa tjetër u pagua. Në vitin 2022, humbjet ishin në masën 63.7%. Sipas ERRU, tërheqjet e ujit nga natyra u rritën me 7 milionë metra kub ndërsa uji i faturuar u shtua me vetëm 0.63 milionë metra kub.

Ujësjellësi i Durrësit është si zakonisht kampion sa i përket humbjeve apo ujit të furnizuar pa të ardhura. Në këtë njësi, 72% e ujit humbi pa u paguar. Kostoja e humbjeve është e stërmadhe këtu veçanërisht për shkak se, për pothuajse çdo litër ujë të paguar, ujësjellësi duhet të nxjerrë me pompa nga nëntoka katër litra ujë, gjë që e rrit koston e energjisë elektrike katërfish. Ujësjellësi i Durrësit u shpall ndërmarrje me likujdim me mbi 160 milionë euro borxhe dhe me një kapital negativ prej 30 milionë euro.

Në total, shqiptarët paguan 10.6 miliardë lekë për faturat e ujit dhe të kanalizimeve ndërsa kompanitë konsumuan në total 13.5 miliardë lekë, ku humbjet paguhen gjithashtu nga qytetarët, por përmes sistemit të taksave. Kostot e operimit të ujësjellësve pësuan një rënie gjatë vitit të kaluar për shkak të reduktimit të çmimit të furnizimit me energji elektrike, gjë që përbën një pjesë të konsiderueshme të kostos së përgjithshme për disa ujësjellës në zonat e ultësirës, ku uji nxirret nga nëntoka me puse dhe pompa.

Humbje të tjera marramendëse vërehen edhe në Ujësjellësin e Lezhës, ku 71% e ujit ikën pa të ardhura, apo Elbasani me 69%. Gjithsesi, peshën më të madhe në sistemin e ujësjellësave të vendit e ka Tirana, e cila përbën gjysmën e sektorit dhe ku humbjet janë në masën 60%. Ujësjellësi me humbjet më të ulëta është Pogradeci, por edhe këtu, një në çdo tre litra ujë të hedhura në rrjet humbasin në drejtim të paditur. Korça është i vetmi ujësjellës në vend me furnizim 24 orë. Kamza është qyteti ku furnizimi me ujë është vetëm 4 orë në ditë.

Ujësjellësat janë menaxhuar tashmë prej vitesh nga zyrtarë politikë të Partisë Socialiste në pjesën dërrmuese të vendit. Së fundmi, Redi Molla, ish drejtor i Ujësjellës Kanalizime Tiranë, u arrestua si pjesë e një grupi drejtorësh, të cilët, akuzohet se kanë krijuar një kompani nga e cila janë vjelë para përmes tenderëve të manipuluar nga bashkia në përgjithësi dhe nga Ujësjellës Kanalizime Tiranë në veçanti. Kompania 5D, e cila, sipas prokurorisë, rezulton nën pronësi të tërthortë të drejtorëve, ka pasur të ardhura në masën 22 milionë euro që nga themelimi në vitin 2016, pak muaj pasi në Bashkinë e Tiranës erdhën në pushtet socialistët me kryetarin Erion Veliaj.

Ujësjellësit kryesorë të vendit kërkuan rritje tarifash për herë të fundit në vitin 2017, nën supozimin se paratë i nevojiteshin për të mbuluar nevojat për investime, të cilat do të sillnin reduktim të humbjeve dhe rritje të cilësisë së furnizimit me ujë. Gjashtë vjet më pas, humbjet në rrjet mbeten saktësisht në të njëjtin nivel që ishin në atë kohë. Vetëm se paratë janë paguar me tarifat e rritura dhe investimet nga buxheti qendror kanë qenë gjithashtu të bollshme. (BIRN)

Lini një Përgjigje