Fluks i lartë hyrjesh është regjistruar në orët e para të mëngjesit të së shtunës në Pikën e Kalimit Kufitar të Morinës, ku për shkak të numrit të madh të automjeteve janë krijuar radhë në hyrje të territorit shqiptar.
Lëvizja e shtuar lidhet me fundjavën dhe sezonin turistik, ndërsa mijëra qytetarë nga Kosova kanë zgjedhur bregdetin shqiptar dhe destinacionet turistike të vendit për të kaluar pushimet. Për të përballuar situatën, autoritetet në pikën kufitare kanë vënë në funksion të gjitha sportelet e kontrollit.
Ndërkohë, në drejtim të Morinës është regjistruar edhe ngarkesë e shtuar në trafik, pas dy aksidenteve të njëpasnjëshme në Vërmicë, pranë Prizrenit, ku janë përfshirë gjithsej gjashtë automjete. Si pasojë e tyre, shtatë persona kanë mbetur të lënduar.
Për automjetet me targa të Kosovës po zbatohet procedura e kalimit pa kontrolle të detajuara, në bazë të marrëveshjeve në fuqi, ndërsa për automjetet me targa të huaja po aplikohen procedura të përshpejtuara me qëllim shmangien e vonesave dhe lehtësimin e qarkullimit.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit, vetëm në intervalin 05:00–09:00 kanë hyrë në Shqipëri 11,725 shtetas nga Kosova, me 2,740 automjete.
Lini një Përgjigje