
Për të katërtin vit radhazi, Tirana Bank, pjesë e Grupit BALFIN, zgjodhi të mbështesë një prej festivaleve më kuptimplota, që fokusin e ka tek edukimi dhe fuqizimi i të rinjve ambiciozë. Festivali Kombëtar i Sipërmarrjes – GEN-E-Albania, organizuar nga Junior Achievement of Albania, u mbajt më 8-9 maj në Piramidën e Tiranës, duke e kthyer këtë të fundit në një qendër të energjisë, kreativitetit dhe inovacionit të të rinjve.
Festivali mblodhi së bashku 150 nxënës nga i gjithë vendi, ndërsa vlerësoi dhe i kushtoi rëndësinë e duhur vizionit të 26 kompanive të krijuara prej tyre.
Tirana Bank ofroi krahas mbështetjes financiare, përvojën dhe ekspertizën e saj, duke qenë pjesë e jurisë që përzgjodhi kompanitë finaliste. Këto kompani parashikojnë risi në aplikacione të ndryshme, zgjidhje për cështje mjedisore, lehtësi në proceset bujqësore, risi në kujdesin e shëndetit mendor, por edhe për mirëqenien.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Lila Canaj, Drejtuesja e Divizionit Retail në Tirana Bank, siguroi që të rinjtë do të kenë gjithnjë përkrahje nga banka.
“Ky aktivitet nuk është thjesht një garë, por një mundësi e çmuar për të rinjtë shqiptarë që të shprehin talentin dhe potencialin e tyre. Tirana Bank është gjithmonë e gatshme t’i mbështesë në këtë rrugëtim, sepse besojmë se së bashku mund të ndërtojmë liderët e së ardhmes”, - tha Canaj duke përforcuar vlerësimin e bankës për edukimin, si një nga shtyllat më të rëndësishme për zhvillimin afatgjatë të vendit.

Në mesin e fituesve, “SilverSprings” nga shkolla “Arben Broci” në Tiranë u shpall kompania më e mirë e festivalit. “FIPLAST” fitoi çmimin për idenë më inovative, ndërsa “METAL ART” nga Shkolla Profesionale e Korçës u vlerësua për përgatitjen për tregun e punës. Vlerësim mori edhe "ME'DIT” nga shkolla TES për planin më të mirë të marketingut dhe shitjes.
Përzgjedhja e finalistëve dhe e fituesve u bë mes 510 nxënësve të cilët ishin pjesë e programit “Kompanitë e Nxënësve” të Junior Achievement of Albania. Ky program, gjatë vitit shkollor 2024-2025, u zhvillua në 41 shkolla të arsimit të mesëm dhe të lartë, duke angazhuar krahas nxënësve me shpirt sipërmarrës, edhe mësuesit.
Mes tyre, në përmbyllje të festivalit, mësuesi më i mirë i vitit u shpall Genci Nelaj, nga gjimnazi “Sherif Hoxha”, Koplik.
Tirana Bank vijon t’i qëndrojë besnike misionit të saj për të fuqizuar komunitetet dhe kryesisht të rinjtë, duke mbështetur evente si GEN-E-Albania, e rrjedhimisht duke shfaqur një angazhim të qëndrueshëm ndaj edukimit financiar dhe sipërmarrjes.
Për Tirana Bank, edukimi financiar është ajo cka i duhet cdo të riu përballë sfidave të tregut të punës. Kjo është edhe arsyeja se përse shfaqet kurdoherë pranë iniciativave që shërbejnë si urë lidhëse mes dijes dhe praktikës.

Lini një Përgjigje