Kodi Penal dhe media/ Forcohet mbrojtja penale për gazetarët, hiqet përgjegjësia për shpifjen kur ka mirëbesim

28 Janar 2026, 15:00Sociale TEMA
Kodi Penal dhe media/ Forcohet mbrojtja penale për gazetarët, hiqet

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ndryshime të rëndësishme në Kodin Penal që lidhen drejtpërdrejt me mbrojtjen e gazetarëve dhe ushtrimin e lirisë së medias, duke forcuar sigurinë fizike të tyre dhe duke vendosur garanci të reja ligjore në çështjet e shpifjes.

Ndryshimet e votuara përfshijnë tre nene kyçe që prekin raportin mes shtetit, drejtësisë penale dhe medias: goditjet për shkak të detyrës, kanosjen për shkak të detyrës dhe përgjegjësinë penale për shpifjen.

Dhuna ndaj gazetarëve, vepër penale e rënduar
Sipas ndryshimeve në nenin 237 të Kodit Penal, dhuna fizike ndaj një gazetari për shkak të ushtrimit të aktivitetit të tij profesional tashmë dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet, njësoj si për funksionarët publikë dhe punonjësit e policisë.

Ligji e përcakton qartë se mbrojtja vlen për gazetarët e punësuar apo të vetëpunësuar, të regjistruar dhe të njohur si të tillë sipas legjislacionit në fuqi, pavarësisht shtetësisë apo vendit ku ushtrojnë aktivitetin. Kusht është që cilësia e gazetarit të jetë e dukshme ose e njohur në momentin e kryerjes së veprës penale.

Nëse dhuna kryhet brenda ambienteve të institucionit ku ushtrohet detyra publike, dënimi ashpërsohet edhe më tej, duke shkuar nga tre deri në pesë vjet burgim.

Kanosja ndaj gazetarëve, sanksione penale të posaçme
Ndryshimet në nenin 238 të Kodit Penal parashikojnë gjithashtu dënime specifike për kanosjen serioze ndaj gazetarëve për shkak të punës së tyre. Në këto raste, autori i veprës dënohet me burgim nga një deri në tre vjet, nëse kërcënimi lidhet drejtpërdrejt me ushtrimin e aktivitetit profesional dhe cilësia e gazetarit është e njohur ose e dukshme.

Ligji e vendos gazetarin në të njëjtin nivel mbrojtjeje me punonjësit e policisë dhe profesionistët e shëndetësisë, duke njohur rrezikun e shtuar që sjell ekspozimi publik dhe roli i medias në shoqëri.

Shpifja: përjashtim nga përgjegjësia penale për gazetarin me mirëbesim
Një nga ndryshimet më të debatueshme, por edhe më të rëndësishme, lidhet me nenin 120 të Kodit Penal, ku parashikohet përjashtimi nga përgjegjësia penale për shpifje për gazetarët që veprojnë me mirëbesim.

Sipas dispozitës së re, gazetari nuk mban përgjegjësi penale nëse: qëllimi kryesor i publikimit është informimi i publikut për çështje me interes të përgjithshëm; në momentin e publikimit nuk ka pasur dhe nuk ka pasur mundësi të arsyeshme të dijë se informacioni ishte i rremë, duke kryer përpjekje të arsyeshme për verifikim; pasi informohet për pasaktësinë, vepron pa vonesë për përgënjeshtrim, sqarim ose heqje të materialit.

Ligji sqaron se opinionet, komentet, kritikat apo interpretimet, edhe kur janë therëse, të ekzagjeruara apo fyese, nuk përbëjnë shpifje penale, përveç rasteve kur përmbajnë fakte objektivisht të rreme.

Një kornizë e re për sigurinë dhe lirinë e medias
Me këto ndryshime, Kodi Penal synon të vendosë një ekuilibër mes mbrojtjes së reputacionit dhe garantimit të lirisë së medias, duke ofruar mbrojtje më të fortë fizike për gazetarët dhe duke shmangur ndjekjen penale për raportimin e kryer me mirëbesim dhe interes publik./nl/TemA

 

2 Komente

  1. P
    Po me kupton mirë bre zoti Hetues...!!!

    Dmth, që gazetari edhe nqse është i dehur apo i droguar mund të shkruajë, që sipas të dhënave që kam marrur në mënyrë krejt invistigative, jam i sigurtë qê X-si ka vrarë Y-onin..., dhe familja e Y-lonit, pa menduar dhe pa gjykuar aspak e konsiderojnë X-in si vrasesin e familjarit të tyre dhe nuk zgjatet shumë kohë dhe marrin hak. Pra, ky gazetari qê e ka shenjestruar X-in, edhe nqse bën përgenjështrim pas 1 - 2 - 3 ditve apo pas 2 vitesh, nuk paska asnjë pergjegjsi...?!!! Ketu nuk flitet për disa biseda dhe thashetheme private, apo biseda e thashetheme kafeneshë përpara nji gote raki, por po flasim për një gënjeshter apo thashethem, ndoshta edhe qellim-keq, që publikohet në gazeta apo media ku i shef e gjithë Shqiperia, duke ditur që Shiftarucët e marrin 100% të vertetë publikimin e nji lajmi në media. At'herë, shpifja e gazetarit edhe nqse pergenjeshtrohet, ka bërë efektin e vet....!!! Nejse, edhe nqse ju akordohet me ligj jo-pergjegjesia e gazetarve për të gjitha thashethemet dhe shpifjet që bëjnë, nqse ato shpifje sjellin dëme morale, apo gjaksore, nuk do pijnë ujë në konsideraten apo pasojat që do bijen mbi keta gazetarucë, nga njerëz apo familje të lënduara dhe në mënyrë private.......!!!

    Përgjigjjuni
    1. R
      Roja

      S e kuptoj edhe po te shpif gazetari ka te drejte? Shpif ,shpif se dicka do mbetet?

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje