Për herë të parë, Kombëtarja Shqiptare e Futbollit e personave me aftësi të kufizuara do të përfaqësojë Shqipërinë në “Genuine Cup 2026”, një aktivitet ndërkombëtar sportiv që do të zhvillohet në Houston, Texas, SHBA, nga 26 korriku deri më 2 gusht,. Pjesëmarrja e 12 futbollistëve të rinj me aftësi të kufizuara intelektuale në këtë kompeticion është një dëshmi e angazhimit për përfshirjen sociale, fuqizimin e personave me aftësi të kufizuara dhe garantimin e mundësive të barabarta. .
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Prof. Evis Sala, së bashku me Zv.presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Geri Çipi, dhe anëtarin e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Blendi Fevziu, vizituan ekipin përfaqësues gjatë seancës së radhës stërvitore, përpara nisjes së tij drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në bashkëbisedim me futbollistët dhe prindërit e tyre, ministrja Sala vlerësoi këtë moment historik për sportin gjithëpërfshirës në Shqipëri, duke theksuar se Qeveria Shqiptare po ndërton politika që shkojnë përtej mbështetjes ekonomike, duke krijuar mundësi reale për pjesëmarrje në arsim, punësim, kulturë dhe sport.
“Për herë të parë Shqipëria merr pjesë në Genuine Cup me një ekip të të rinjve me aftësi të kufizuara. Kjo është një arritje sportive, por mbi të gjitha është një fitore për përfshirjen. Politikat tona synojnë që çdo person me aftësi të kufizuara të ketë më shumë mundësi për të mësuar, për të punuar, për të bërë sport dhe për të qenë pjesë aktive e jetës së vendit,” u shpreh ministrja Sala.
Ministrja Sala falënderoi Federatën Shqiptare të Futbollit, organizatën “Klubi Kombëtar i Prindërve të Fëmijëve me ÇSA & P.A.K / Autizmi Flet”, trajnerët, prindërit dhe të gjitha strukturat e përfshira në realizimin e kësaj nisme.
Zëvendëspresidenti i FSHF-së, Geri Çipi, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në promovimin e përfshirjes dhe integrimit të personave me aftësi të kufizuara përmes sportit.
“Ky është një mesazh i qartë se futbolli është gjithëpërfshirës, që edhe këta persona të ndihen njësoj si gjithë të tjerët dhe të krijojnë e të zhvillojnë një aktivitet normal si të gjithë ne”, tha z.Çipi.
Ndërsa, anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Blendi Fevziu, falënderoi të gjitha institucionet dhe strukturat që bënë të mundur këtë përfaqësim të Shqipërisë, duke vlerësuar shembullin frymëzues që japin këta të rinj në tejkalimin e sfidave përmes sportit.
“Kjo tregon, së pari, se nuk ka pamundësi në jetë, pra se gjithçka është e mundur, dhe, së dyti, se futbolli është gjithëpërfshirës, si për ata që stërviten çdo ditë në futbollin profesionist, ashtu edhe për ata që janë amatorë, por edhe për këta të rinj që kanë pasur një vështirësi në jetën e tyre dhe përpiqen ta tejkalojnë pikërisht nëpërmjet futbollit”, u shpreh z.Fevziu.
Pjesëmarrja në “Genuine Cup 2026”, është rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe i angazhimit për zbatimin e politikave që promovojnë gjithëpërfshirjen, integrimin dhe fuqizimin e personave me aftësi të kufizuara. Përmes zgjerimit të shërbimeve komunitare, rritjes së aksesit në arsim, rehabilitim, punësim dhe aktivitete sociale, synohet garantimi i mundësive të barabarta dhe krijimi i kushteve që çdo individ të zhvillojë potencialin e tij dhe të jetë pjesë aktive e shoqërisë.
Lini një Përgjigje