Janari i këtij viti filloi me lajmin e bukur se një anije hapësinore është gati të niset për të dërguar pranë Hënës një ekip me katër astronautë. Raketa do të hidhet me shpejtësi, vertikalisht e më pas në një trajektore të përkulur, sepse kështu i kalon barrierat e gravitacionit të Tokës e u bën ballë fërkimeve me atmosferën që na mbështjell. Misioni ka marrë emrin “Artemis”, ngaqë në ekip për herë të parë ndodhet një grua. Pesëdhjetë vjet kanë kaluar që atëherë kur 12 burra shkelën njëri pas tjetrit në Hënë, në një interval kohor prej 3 vitesh. Pas gjysmë shekulli po i kthehemi sërish, gati që ta shndërrojmë satelitin tonë natyral në një aleat të interesave për dominim të hapësirës. Ose ndryshe, që të ngremë mbi atë rruzull të thatë një oaz të parajsës tokësore.
Lajmi i bukur mori vëmendje mediatike e plot nga përjetuesit e tij e panë si shenjë të mirë për vitin që sapo kishte filluar. Sepse hapësira krijon unitet drejt objektivash të përbashkët. Po s’vonoi shumë që emri “Artemis” të shurdhohej nga zhurma konfliktesh të reja mes njerëzish, pasuar nga raketa të një tipi tjetër, me trajektore që zbresin ferrin mbi trojet e pikëmbërritjes së tyre.
Janë dy trajektore të ndryshme raketash, njëra për në qiell e tjetra për në tokë. Ato burojnë nga i njëjti nivel shkencor e teknologjik, por u përkasin dy linjave paralele në zhvillimin e njerëzimit, linjës së progresit ekonomik dhe asaj tjetrës që fuqizon arsenalin luftarak. Të dyja nisën miliona vite më parë, në epokën e gurit, me prerëset, sëpatat, thikat e mjetet e tjera të latuara a lëmuara nga gurët natyrorë. Më pas, teknikat e punimit të bronzit e hekurit transformuan bujqësinë dhe artizanatin, rreth 40 shekuj më parë. Revolucioni pasues ndodhi vetëm 3-4 shekuj e fundit, kur makinat termike zëvendësuan krahun e punës dhe energjia u mor nga natyra në formën e drurit, qymyrit apo djegësve të tjerë. U zbulua energjia elektrike që i shumëfishoi kapacitetet e punës dhe përmirësoi cilësisht jetën. Njerëzimi u industrializua dhe ky revolucion qe pasojë e zbulimeve të mëdha shkencore dhe e ngritjes së dijeve në teori që filluan me Galileon, Njutonin, Maksuellin e plot të tjerë. Kurse epoka moderne e shekullit të fundit, ajo së cilës mbi gjithçka i shkon emri i kuantit, njihet edhe si era e komunikimit, informacionit dhe e burimeve të fuqishme të energjisë. Në mendjet e njerëzve ajo shoqërohet me emrin e Albert Ajnshtajnit. Këtu nisën fluturimet, raketat dhe pushtimi i hapësirës.
Ndërkohë, linja e arsenalit luftarak zuri fill me thikat e sëpatat e gurit, vijoi me shtizat, shigjetat, shpatat, më pas iu la radha barutit në topa e gjyle, më vonë armëve automatike, tankeve e bombave, e sot raketave që mund të bartin dhe koka bërthamore. Ato u përdorën shekuj pas shekujsh në betejat vrastare mes grupesh për dominim. Kjo linjë e pandërprerë luftërash na shfaqet mjerisht e pashmangshme, përderisa ndodhi e tillë, e përderisa nuk njohim ende qytetërime inteligjente jashtë nesh, që të jenë rritur në paqe. Na shfaqet e pashmangshme, ndonëse planeti ynë ka dhënë bujarisht, kurdo e kudo, hapësira për të gjithë.
Në histori kjo linjë shoqërohet në emra pushtuesish si Xhengis Khani, Aleksandri i Madh, Jul Cesari e Napoleoni, për të mos kapërcyer në shekullin e XX, i cili është aq pranë sa kujtimi i tij ende na ngjeth. Këta burra përshkruhen nga historia si udhëheqës me ego të pamatshme e kështu me mendje të çartura, por që pafuqia për një shkatërrim total të një bote të tërë në luftërat e tyre gjakatare i detyroi të tërhiqeshin apo të kërkonin paqe, e kështu të gjendeshin ekuilibra, përmes të cilëve njerëzimi arriti të mbijetojë.
E njerëzimi jo vetëm mbijetoi, por edhe u rrit në mënyrë progresive. Në saje të zhvillimit të linjës së parë, numri i njerëzve mbi Tokë sot jepet me shifra që krahasohen me numrin e yjeve në galaksi dhe me pasuri që e tejkalojnë numrin e galaksive në univers. Territori i tyre i parë qe një copëz toke në Afrikë, e sot ka zënë çdo qoshe të planetit. Ne po nisemi seriozisht në Hënë, duke menduar që brenda shekullit të shkelim Marsin. Zhvillimet shkencore e teknologjike ia dolën t’i mposhtin sëmundjet dhe epidemitë, të zbusnin efektet e fatkeqësive natyrore. Këto zhvillime iu bënë ballë edhe humbjeve nga luftërat vrastare. Kurba e rritjes së numrit të njerëzve qe përherë mbi atë të asgjësimit të tyre.
Por, sot gjërat kanë ndryshuar. Potenciali vetëshkatërrues që kemi krijuar është i mjaftueshëm për asgjësim katastrofik, ku bashkë me të marrët ikin dhe të mençurit, bashkë ma fajtorët ikin dhe të pafajshmit, bashkë me të ligën e të shëmtuarën ikin dhe mrekullitë që kemi krijuar, shuhen muzika e piktura, romanet e formulat, ikën poezia, sonata, shuhet dashuria. Ky asgjësim mund të ndodhë më shpejt se sa i duhet anijes hapësinore të mbërrijë në Hënë. Koha e tij nga fillimi në mbarim mund të jetë më e shkurtër sesa koha që i duhet njeriut për të qetësuar gjakrat e një zemërimi, apo për të ndjerë skuqjen nga turpi i një akti. Ai mund të ndodhë më parë se sa koha për t’i thirrur arsyes e për të ndërtuar paqen mes njerëzve.
Ndërtimi i paqes do kohën e vet, një interval reflektimi e negociatash, i cila pak ka ndryshuar prej origjinës së njerëzimit. Në historinë tonë të pasur, ku gjithçka ndryshon me shpejtësi marramendëse, duket se një gjë ka mbetur njëlloj si 3, 30 apo 300 shekuj të shkuar: mendjet e sëmura e egot e pafre, që përherë ia dalin të kenë në dorë armën e luftës.
Mirëpo, sa më shumë zhvillohet teknologjia, aq më e fortë bëhet fuqia shkatërruese dhe aq më pak kohë i mbetet në dispozicion reflektimit e negociatave për të ndërtuar marrëveshje e paqe. Prandaj, secili prej nesh, dikush me zë e dikush pa zë, hedh sytë e trishtuar tek fëmijët, mbesat e nipërit e me buzët që dridhen pyet: Do shkojmë në Hënë apo do shkojmë në ferr?/panorama
Moza kot e ke! Tash eshte koha e Mira Muratit! Pajtohu me B.Blushin. Ka cun xhaje Tedin Blushi te IM.
Gjalle eshte kjo?