Nën masa të rrepta sigurie do të jetë Tirana për samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet të hënën në kryeqytetin shqiptar, një event ndërkombëtar ku do të marrin pjesë liderët e Ballkanit, të shteteve anëtare të Bashkimit Europian si dhe përfaqësues të lartë të BE-së.
Nëndrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga, në një konferencë për shtyp, bëri të ditur se për mbarëvajtjen e këtij samiti do të jenë të angazhuar 1604 forca policore.
Masat e sigurisë do të fillojnë që pasditen e të dielës (15 Tetor) me bllokimin e disa rrugëve në qendër të Tiranës, ku nuk do të lejohet qarkullimi dhe parkimi i automjeteve.
Ndërsa në ditën e samitit, bizneset në zonën e perimetrit të sigurisë nuk do të lejohet të hapen.
Kështu, rrugët që do të jenë të bllokuara janë Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e Dajtit deri te sheshi “Nënë Tereza”; Bulevardi “Bajram Curri” nga kryqëzimi me Rrugën e Elbasanit deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”; Rruga “Papa Gjon Pali II”, “ETC-RTSH-Stadium”; Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Liceut deri te rruga e “Elbasanit”; Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”; Rruga “Jul Variboba”, pranë postës, në rrugën e Elbasanit dhe në rrugën “Papa Gjon Pali II”; Rruga “Fatmir Haxhiu”, te ETC; Rruga “Lekë Dukagjini”, nga sheshi “Frederik Shopen”, deri te stadiumi “Air Albania” dhe përreth stadiumit; Rruga “Ukraina e lirë”.
Sipas Bizhgës, në këto zona do të lejohet vetëm qarkullimi në këmbë i banorëve rezidentë. Ndërsa në rrugën “Papa Gjon Pali II” nuk do të lejohet as qarkullimi i këmbësorëve.
Lini një Përgjigje