Shkretimi i qyteteve të vogla në Shqipëri, si po i zbraz shkurtimi i institucioneve në rrethe

9 Dhjetor 2023, 09:26Sociale TEMA
Shkretimi i qyteteve të vogla në Shqipëri, si po i zbraz

Ekspertët ngrenë shqetësimin se zbatimi i disa reformave për shkurtimin e institucioneve në rrethe po kufizojnë dhe largojnë shërbimet nga qytetarët. Shkrirja e institucioneve tradicionale në rrethe, si Gjykatat e Shkallës së Parë dhe ato të Apeleve nga harta e re gjyqësore, shkrirja e 373 komunave nga reforma territoriale dhe 12 drejtorive rajonale arsimore, sipas tyre, po ndikojnë në boshatisjen e qyteteve, me largime në emigracion dhe drejt Tiranës. Efektet te treguesit demografikë vlerësohen të pariparueshme…

Përparim Caca, me profesion avokat nga qyteti i Kavajës, prej disa muajsh së bashku me familjen është zhvendosur për të jetuar në qytetin e Durrësit.

Shkak i largimit nga qyteti i lindjes është shkrirja e Gjykatës së Shkallës së Parë në Kavajë, që më pas iu bashkua asaj të Durrësit, që prej 1 shkurtit 2023 me hyrjen në fuqi të hartës së re gjyqësore.

Z. Caca pohon se largësia fizike e gjykatave, me hartën e re gjyqësore, jo vetëm ka shtuar shpenzimet për avokatët, por nuk ka arritur të përmbushë qëllimin kryesor të saj, për uljen e stokut të dosjeve të pashqyrtuara. “Largësia e madhe për të shkuar në gjykatë ka paralizuar shumë individë, veçanërisht kategorinë e pensionistëve, për të pasur akses në sistemin e drejtësisë”, – thotë ai.

Madje, në disa raste, siç thotë avokati Caca, pensionistët humbin jetën pa u marrë vendimi gjyqësor.

“Harta e re gjyqësore nuk e ka zgjidhur problematikën për dhënie sa më të shpejtë të gjykimit të dosjeve. Në Shkallën e Parë të Gjykatës Administrative, hapja e seancës së parë të gjykimit bëhet 7 deri në 8 muaj pas depozitimit të kërkesës.

Në disa raste, pensionistët largohen nga jeta para marrjes së vendimit. I tillë është rasti i një shtetasi nga zonat rurale të Kavajës, Razi Kalliçi, ish-pensionist, i cili u largua nga jeta pa u marrë vendimi për çështjen me subjekt ‘pavërtetësi fletë regjistri’ për librezën e punës.

Gjykimi i çështjes zgjati një vit, ndërsa në Gjykatën e Apelit kërkohet ankimimi, pas vdekjes së kërkuesit. Kjo është absurde”, thotë ai.

Avokat Klodian Gjermeni gjithashtu konstaton se edhe në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, një seancë gjyqësore zhvillohet çdo 5 ose 6 muaj dhe gjyqtaret kanë kohë të pamjaftueshme, për shkak të ngarkesës, për arsyetimet e vendimeve.

Sipas tij, kjo ngarkesë ka ardhur jo vetëm për shkak të reformës në drejtësi, por edhe të reformës së hartës së re gjyqësore.

“Me centralizimin e Gjykatave të Apelit, në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, situata u përkeqësua në gjykimin e çështjeve, pasi gjyqtarët e Gjykatave të Apeleve nëpër rrethe (Korça, Vlora, Shkodra, Gjirokastra), ku po gjykoheshin çështjet gjyqësore të viteve 2020, aktualisht po shqyrtojnë për gjykim çështje gjyqësore të vitit 2017.

Edhe Gjykata e Apelit Administrativ në Tiranë aktualisht është duke gjykuar çështje administrative të vitit 2017.

Pra, natyrshëm dalim në përfundimin se reforma, jo vetëm që ka rritur numrin e stokut të dosjeve, por ka rritur edhe afatet për shqyrtimin, vendimmarrjen dhe arsyetimin (zbardhjen) e këtyre vendimeve brenda afateve ligjore”, thekson juristi Gjermeni.

Vendimi për reduktimin e numrit të gjykatave u miratua më 10 qershor 2022 nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Më tej, edhe pas kundërshtive të forta nga avokatët, të shoqëruara me protesta dhe bojkot seancash u miratua nga Këshilli i Ministrave më 21 korrik 2022.

Për avokatët, riorganizimi i gjykatave u nxit nga numri i lartë i vendeve të lira në pushtetin gjyqësor, si pasojë e procesit të vetingut.

Por shkurtimi i numrit të gjykatave, siç do të pohonte më herët drejtuesi i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia, do të shtonte kostot e qytetarëve për të ndjekur çështjet gjyqësore, do të rriste rrezikun ndaj qytetarëve për të pasur akses në sistemin e drejtësisë dhe nga ana tjetër, do të dëmtonte profesionin e avokatit.

Por për Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Shoqatën e Gjyqtarëve, kjo reformë ishte e domosdoshme, pasi fragmentimi i mëparshëm i sistemit gjyqësor po krijonte pabarazi te ngarkesa e punës së gjyqtarëve, ku në shumë raste ishte e nevojshme të delegoheshin gjykatës nga njëra gjykatë në tjetrën, duke rritur jo vetëm kostot financiare të gjyqësorit, por duke nxitur edhe zvarritjen e proceseve.

Në raportin e KLGJ-së, të publikuar para miratimit të reformës, theksohej se rishpërndarja e gjykatave ka objektiv kryesor uljen e kostove dhe përshpejtimin e shqyrtimit të dosjeve.

Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë e ka vlerësuar vendimin antikushtetues dhe ka kërkuar shfuqizimin në Gjykatën Kushtetuese. Shqyrtimi i kërkesës tashmë ka nisur në Gjykatën Kushtetuese.

Struktura e re për funksionimin e sistemit gjyqësor nisi nga 1 Shkurti 2023, fillimisht me funksionimin e një gjykate të vetme të Apelit në Tiranë, pas shkrirjes që iu bë 6 gjykatave të Apeleve në rrethe. Në këtë mënyrë, u shkrinë Gjykatat e Apelit në Shkodër, Vlorë, Durrës Korçë dhe Gjirokastër, duke sjellë si pasojë, transferimin e të gjitha dosjeve në Tiranë.

Ndërsa nga 1 maji 2023, nisi riorganizimi i Gjykatave të Shkallës së Parë, nga 22, numri i tyre u shkurtua në 10. Në Tiranë, u bashkuan Gjykatat e Shkallës së Parë të Beratit, Elbasanit, Tiranës, Vlorës, Dibrës dhe Matit.

Gjykata e Durrësit u bashkua me gjykatat e Kavajës dhe Krujës, ajo e Fierit u bashkua me Gjykatën e Lushnjës, Gjykata e Gjirokastrës u bashkua me gjykatat e Sarandës dhe Përmetit, Gjykata e Kukësit me Gjykatën e Tropojës, ajo e Korçës me Gjykatën e Pogradecit, Gjykata e Lezhës u bashkua me Gjykatën e Kurbinit dhe ajo e Shkodrës me Gjykatën e Pukës. Nga 1 Korriku 2023 u mbajtën vetëm dy Gjykata Administrative të Shkallës së Parë, në rang vendi, një në Tiranë dhe një në Lushnjë, duke u shkrirë gjykatat administrative të rretheve.

Avokati Caca ngre shqetësimin se harta e re gjyqësore i ka shkurajuar individët t’i drejtohen sistemit të drejtësisë. “Qytetarë të shumtë po i anashkalojnë institucionet për zgjidhjen e problemeve, madje duke shkuar drejt vetëgjyqësisë”, thekson z. Caca.

Në anën tjetër, reforma ka përcaktuar se institucionet e mëparshme gjyqësore në rrethe do të funksionojnë si zyra administrative për ofrim shërbimi të protokollit apo arkivës për qytetarët. Por avokati Përparim Caca thotë se aktiviteti i tyre nuk është eficient dhe po rrit koston për qytetarët.

“Nëse një qytetari nga Kavaja i nevojitet një vërtetim për dokumentacion në Gjykatën e Durrësit, duhet të aplikojë pranë zyrave të Gjykatës së Kavajës. Marrja e kohës të paktën prej dy javësh për vërtetimin i detyron shumë qytetarë të marrin taksi të shkojnë në Durrës dhe ta tërheqin vetë vërtetimin.

Ndërsa kostot për mbajtjen e këtyre strukturave nuk janë ulur. Në shumë raste, po shërbejnë për punësimin e militantëve”.

Si harta e re gjyqësore, paralelisht edhe zbatimi i reformës territoriale, sipas juristit Përparim Caca, e kanë zbrazur qytetin e Kavajës.

“Në këtë qytet nuk ka më gjykatë, nuk ka zyrë tatim-taksash, as drejtori arsimore. Spitali i qytetit ofron vetëm shërbime ambulatore. Në rast urgjencash kirurgjikale, qytetarët duhet të shkojnë në Durrës apo Tiranë. Si reforma gjyqësore, edhe ajo territoriale, kanë boshatisur Kavajën dhe rrethet e tjera.

Qytetet kanë mbetur të shkreta. Për pasojë është rritur hemorragjia e largimit të njerëzve në emigracion. P.sh. në Kavajë, njerëzit më së shumti po largohen drejt Italisë, duke iu bashkuar familjarëve të tjerë”.

Avokati Klodian Gjermeni e konsideron reformën për shkurtimin e gjykatave një ndër faktorët që po nxit largimet në emigracion, pasi mosdhënia në kohë e drejtësisë prek jo vetëm cilësinë e jetës së një individi, por përkeqëson edhe situatën e tij sociale dhe ekonomike.

“Duke marrë parasysh postulatin ‘drejtësi e vonuar është drejtësi e mohuar’, qartë kuptojmë se mosdhënia e drejtësisë në kohë reale dhe mungesa e aksesit në drejtësi për shkak të distancës dhe kohëzgjatjes së proceseve gjyqësore, përkeqëson kushtet sociale dhe ekonomike në të cilin jeton individi, por në të njëjtën kohë vret edhe shpresën e shtetasit për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për veten dhe për familjen e tij”, nënvizon ai.

Shkretimi i qyteteve të vogla

“Në këtë qytet nuk ka më gjykatë, nuk ka zyrë tatim-taksash, as drejtori arsimore. Spitali i qytetit ofron vetëm shërbime ambulatore. Në rast urgjencash kirurgjikale, qytetarët duhet të shkojnë në Durrës apo Tiranë. Si reforma gjyqësore, edhe ajo territoriale, kanë boshatisur Kavajën dhe rrethet e tjera. Qytetet kanë mbetur të shkreta. Për pasojë është rritur hemorragjia e largimit të njerëzve në emigracion. P.sh. në Kavajë, njerëzit më së shumti po largohen drejt Italisë, duke iu bashkuar familjarëve të tjerë”.

Reforma për hartën territoriale ka kufizuar shërbimet në rrethe

Sipas ekspertëve, nuk është vetëm reforma për rishpërndarjen e gjykatave që po shkakton kufizim shërbimesh në rrethe me efekte te treguesit demografikë. Të njëjtin ndikim ka edhe reforma territoriale e miratuar në vitin 2014, e shoqëruar me reduktimin e 373 njësive vendore (duke përfshirë 308 komuna dhe 65 bashki), në vetëm 61 bashki dhe la të paprekur numrin e 12 qarqeve.

Për Agron Haxhimalin, drejtor ekzekutiv të Institutit të Bashkive të Shqipërisë, njëkohësisht edhe ekspert i çështjeve vendore, kjo reformë me gjithë përpjekjet dhe sforcimet e mëdha, kufizoi shërbimet ndaj qytetarëve, si në sasi dhe cilësi, madje ndikoi edhe tek efektiviteti i demokracisë dhe përfaqësimit lokal.

“Sot te 61 bashkitë, kryesisht në bashkitë tejet të zmadhuara, por jo vetëm, ka një nivel jo të kënaqshëm të përfaqësimit. Shërbimet e realizuara janë me ndjeshmëri të ulët. Vihet re pabarazi në shpërndarjen e shërbimeve midis zonave urbane dhe rurale. Zonat rurale nuk po marrin ende vëmendjen e duhur dhe të kërkuar nga shërbimet qendrore dhe bashkiake. Ky fakt theksohet edhe në raportin e Bankës Botërore për vitin 2022”.

Sipas z. Haxhimali, kjo ka ardhur nga pamjaftueshmëria e burimeve financiare e bashkive/qarqeve dhe kapacitetet administrative për të ushtruar me efektivitet kompetencat e tyre më të mëdha në politikëbërje. Ai vlerëson se autonomia fiskale e bashkive mbetet në rrezik, pasi pjesa më e madhe e buxhetit të tyre varet nga transfertat kombëtare dhe ofrimi i shërbimeve publike cilësore në nivel lokal mbetet i kufizuar.

“Situata financiare e bashkive është bërë gjithnjë e më e ndërlikuar nga goditjet ekonomike, me tkurrje të mëtejshme të burimeve të veta në dispozicion të bashkive. Këto konstatime janë të vërejtura edhe në raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2022”.

Për drejtorin ekzekutiv të Institutit të Bashkive, z. Haxhimali, kufizimi i shërbimeve të ofruara nga njësitë e qeverisjes vendore po ndikon edhe në lëvizjet demografike. “Është i dukshëm fakti se shumë qytetarë po largohen masivisht, si drejt Tiranës edhe drejt vendeve të zhvilluara.

Pra, përpos aspektit të problemeve mjedisore, ajo që tundon shumë grupe qytetarësh të largohen nga zonat dhe vendi tyre është se strukturat administrative me këtë organizim nuk garantojnë siguri dhe perspektivë për të ardhmen”.

Qasja ndaj efekteve të reformës territoriale është ndryshe për eksperten Merita Toska nga Co-PLAN. Sipas saj, reforma territoriale nuk solli kufizim të shërbimeve në rrethe dhe përqendrimin e tyre drejt Tiranës.

“Përkundrazi, pas Reformës Administrative Territoriale (RAT), bashkitë janë njëlloj përgjegjëse për shërbimet publike vendore. Të gjitha bashkitë në vend, pavarësisht përmasës së tyre, duhet të ofrojnë të njëjtat shërbime për komunitetin.

A i ofrojnë ato apo a kanë mundësi për t’i ofruar, ky është diskutim tjetër. Sigurisht, në Bashkinë e Tiranës, ofrimi i shërbimeve është në një nivel disi më të mirë sikundër është në bashkitë Korçë, Shkodër etj. Problematikë mbeten bashkitë e vogla, të cilat me buxhetet që kanë në dispozicion, nuk arrijnë të ofrojnë gamën e shërbimeve të parashikuara në ligj”.

Znj. Toska vlerëson se, pavarësisht se riorganizimi i pushtetit vendor krijoi bashki me territore më të mëdha, nuk mundi të adresojë siç duhet pritshmëritë e qytetarëve për shërbime, për shkak të detyrimeve financiare të prapambetura.

“Në vijim të Reformës Administrative Territoriale (RAT) mund të themi që ne vazhdojmë të kemi një qeverisje vendore të decentralizuar (tashmë të organizuar në 61 bashki), ndonëse treguesit për nivelin e decentralizimit në kahun e të ardhurave dhe të shpenzimeve, sipas Raportit të Financave Vendore 2022 të Co-PLAN, tregojnë se nuk janë bërë hapa të ndjeshëm në këtë drejtim.

Më shumë se në terma të hierarkisë, ndryshimi lidhet me përbërjen e brendshme të bashkisë, të cilat përthithën një sërë ish-komunash në përbërjen e tyre.

Kjo shkrirje nuk ishte e pabazë (njësitë që u bashkuan kishin lidhje funksionale, etj. ndërmjet tyre) por mbarti me vete apo trashëgoi problematikat individuale të tyre (të cilat deri diku ndihen edhe sot si p.sh. detyrimet e prapambetura).

Bashkitë tashmë janë më të mëdha, kanë territore dhe popullsi më të madhe për të shërbyer, çka përbën ndryshim të rëndësishëm dhe një sfidë që, edhe pse kanë kaluar vite, ende qëndron larg pritshmërive të qytetarëve”.

Znj. Toska gjithashtu pohon se zbatimi i RAT i hapi rrugën zbatimit të një sërë reformash në kuadër të decentralizimit.

“Me miratimin e ligjit 139/2015 ‘Për vetëqeverisjen vendore’, bazuar në parimin e subsidiaritetit, bashkive ju transferuan një sërë funksionesh të reja dhe sot bashkitë ofrojnë mbi 40 shërbime. Ky është një numër relativisht i lartë, sidomos nëse ne shikojmë kapacitetet e tyre dhe diferencat që ato kanë në terma të burimeve financiare në dispozicion.

Pra, për t’iu përgjigjur pyetjes, bashkitë janë përgjegjëse për një numër më të lartë të shërbimeve për t’u ofruar komuniteteve që përfaqësojnë, por sa realizohen në të vërtetë mbetet për t’u diskutuar”, thekson ekspertja e çështjeve vendore në Co-PLAN.

Për sa i përket ndikimit të reformës për largimin e njerëzve në emigracion, por edhe për migrim të banorëve të rretheve drejt Tiranës, z. Toska tha se është rezultat i një sërë faktorësh. “Sigurisht mungesa e shërbimeve apo cilësia e dobët e tyre është një prej tyre.

Këtë mund ta vëmë re veçanërisht në zhvendosjen e popullsisë nga zonat rurale në ato urbane dhe moskthimin pas të tyre (p.sh. shumë studentë që vijnë për të studiuar në Tiranë apo në qytete të tjera të mëdha nuk kthehen më në vendet e tyre të origjinës dhe kërkojnë mundësi punësimi)”, thotë znj. Toska.

Monitor

Lini një Përgjigje