
Futbollisti i Partizanit, Eneo Bitri ka bërë realitet një nga ëndrrat më të mëdha në karrierën e tij. Mbrojtësi shqiptar është pjesë e lojtarëve të grumbulluar nga Edi Reja për miqësoren me Arabinë Saudite.
Kapiteni i Partizanit foli në emisionin “Ora Sport“ në “Ora TV” për ndjesitë e tij të para me fanellën kuqezi, ndërsa u shpreh se kundër Arabisë do të jetë një provë mjaft e mirë për të gjithë lojtarët e grumbulluar që të tregojnë sa të aftë janë për të veshur fanellën e Kombëtares.
E kuqja e Partizanit apo Kombëtares? – “E kuqja e Kombëtares është kënaqësi. Jam shumë i emocionuar. Diçka që e kemi ëndërruar që të vegjël dhe një ditë po na bëhet realitet. Po e shijojmë në maksimum. Po na ikin ditët shumë shpejt. Është një shans shumë i mirë për të gjithë ne, sepse duhet të tregojmë veten tonë dhe cilësinë e kampionatit. Është një provë e mirë që nuk vjen shpesh. Është diçka e re për mua. Do ta provojmë veten në këtë ndeshje dhe të shohim sa i kemi mundësitë për të kaluar një hap më përpara”.
Edi Reja – “Është kënaqësi të stërvitesh me një trajner të tillë. Ka një CV mjaft të pasur. Është edhe shumë miqësor. U miqësua direkt me ne, kjo më bëri përshtypje”.
Partizani kryesues – “Nuk ndihemi aq komod, sepse kampionati shqiptar nuk është i lehtë, edhe pse jemi në krye. Katër pikë nuk janë shumë. Por nuk janë as pak. Kampionati shqiptar këtë mentalitet ka. Kur luan me Partizanin dhe Tiranën do të marrësh maksimumin”, tha Eneo Bitri.
Lini një Përgjigje