Antonio Conte është tashmë histori te Tottenham, pasi trajneri 53-vjeçar nga Lecce u largua prej klubit londinez me marrëveshje të përbashkët, të dielën në mbrëmje. Një aventurë që përfundoi keq, pas shpërthimit të bujshëm të trajnerit post-Southampton.
Vizionet e një njeriu të fiksuar pas suksesit si Conte, deri në goditjen pa mëshirë të lojtarëve, dhe ato të një mjedisi që është mësuar prej shumë kohësh të shohë vendin e katërt si objektivin më të lartë të mundshëm, janë shumë të ndryshme.
Ambicia e shfrenuar e ish-trajnerit të kombëtares italiane, e cila është edhe çelësi i fitoreve të tij të shumta kudo që ka qenë, përfundoi duke i dëmtuar në mënyrë të pariparueshme marrëdhëniet me ekipin, gjithashtu me klubin, po aq i akuzuar për pranimin pasiv të kësaj situate prej shumë vitesh.
Conte ka provuar gjithçka për t’i shkundur lojtarët e tij dhe për t’i bërë ata të kuptojnë se duhet të kenë “zjarrin brenda” çdo ditë në stërvitje. “Daily Mail” raporton një episod që ndodhi në fund të janarit, në fund të një serie rezultatesh zhgënjyese, vërtet e vështirë për t’u pranuar nga Conte: vetëm një fitore në 5 ndeshje të luajtura, me 3 humbje shumë të rënda kundër Aston Villa, Arsenal dhe Manchester City.
Conte u përpoq të zbatonte një përpjekje ekstreme për t’i bërë lojtarët të përballen me përgjegjësitë e tyre. Ai mblodhi të gjithë ekipin në qendrën stërvitore të “Spurs” dhe më pas, pasi lojtari i fundit kishte hyrë aty, u largua nga dhoma e zhveshjes. E mbylli skuadrën aty, detyroi Harry Kane dhe shokët e tij për të diskutuar me njëri-tjetrin dhe gjetur zgjidhje për sikletin e fundit.
Nga takimi që u zhvillua në mungesë të tij u shfaq perceptimi i ekipit se paraqitjet dhe rezultatet ishin penguar nga taktikat tepër mbrojtëse dhe të ngurta të Conte. Dhe kështu, kur lojtarët më përfaqësues në dhomat e zhveshjes i treguan trajnerit se çfarë kishte dalë nga përballja e tyre, ata i kërkuan të bënte ndryshime në lojë drejt një stili më sulmues.
Përballja pati pasoja të menjëhershme pozitive, duke qenë se Tottenham fitoi pesë nga gjashtë ndeshjet e ardhshme midis Premier League dhe kupës kombëtare, por më pas erdhi eliminimi më 1 mars nga “FA Cup” kundër Sheffield United, çka shënoi fillimin e fundit.
Pas tri ditësh, “Spurs” humbën edhe në Premier League me Wolverhampton, më pas barazuan me Milanin në Londër dhe i thanë lamtumirë Evropës; fituan kundër Nottingham Forest dhe në fund barazuan kundër Southampton-it të fundit 3-3, pasi kishin kaluar në avantazh 3-1.
Ndërkohë, seancat stërvitore shumë të vështira i kishin shtrydhur lojtarët në limite. Conte shpesh i bënte të vraponin dy kilometra para ndeshjeve. Ekipi nuk tha asgjë hapur, por privatisht lojtarët ishin të hutuar.
“Të njëjtat stërvitje çdo ditë, të njëjtat taktika çdo ditë”, – tha një burim i cituar nga “Daily Mail”. Kur ish-trajneri i Juventusit dhe Interit u kthye në Itali gjatë pushimit për ekipet kombëtare, shumë në dhomën e zhveshjes shpresonin se kjo kishte mbaruar vërtet.
Lini një Përgjigje