Di Maria, një çështje shtetërore në Argjentinë: Është narkoterrorizëm

9 Maj 2024, 17:21Sport TEMA
Di Maria, një çështje shtetërore në Argjentinë:

E ardhmja e Angel di Maria-s ka arritur në Qeverinë e Argjentinës. Kthimi i tij në shtëpi duket i komplikuar nga shenjat e kërcënimeve ndaj lojtarit dhe familjes së tij. Mesfushori përfundon kontratën e tij me Benfica-n dhe është ende në ajër se çfarë duhet të bëjë.

Ministrja e Sigurisë së Argjentinës, Patricia Bullrich ka folur për vendimin e futbollistit për të luajtur sërish futboll në vendin e tij. Për momentin, Di Maria do të kishte refuzuar një ofertë nga Rosario Central pasi kishte marrë kërcënime me vdekje.

“Kam folur dy ose tre herë me babanë e Di Maria-s. Ata ishin shumë të frikësuar dhe unë i kuptoj. Ata zgjedhin personat më të njohur dhe bëjnë shumë bujë. Unë e quaj këtë narkoterrorizëm”, ​​ka reaguar ministrja argjentinase në një deklaratë për radion “Cadena 3” në Rosario.

Ministrja u shpreh optimiste për rezultatet e veprimit të Qeverisë dhe tha: “Shpresoj në normalizim. Ne reduktuam vrasjet me 50 për qind në katër muaj. Gjërat po kthehen në normalitet në Rosario. Shpresoj që Di Maria të kthehet”.

Në fund të marsit, familja e lojtarit përjetoi një episod të pakëndshëm kur morën një kërcënim në derën e shtëpisë së tyre.

“Thuaji djalit tënd Angel të mos kthehet më në Rosario, sepse nëse jo, ne do t’i vrasim një anëtar të familjes”, thuhej ndër të tjera në letër. Teksa makina po largohej, kishte disa të shtëna në ajër.

Për momentin ajo që po mendohet është që Di Maria të vazhdojë edhe një sezon në ligën portugeze, ku ka një ofertë rinovimi.

Opsione të tjera janë të shkojë te Inter Miami, ku do të luante me Leo Messi-n. Një ofertë nga Katari apo Besiktas janë gjithashtu në tavolinë.

 

Lini një Përgjigje