Egnatia me hap kampioni, fiton ndaj Laçit në transfertë. Kukësi dhe Skënderbeu e mbyllin në barazim

28 Nëntor 2023, 15:52Sport TEMA
Egnatia me hap kampioni, fiton ndaj Laçit në transfertë.

Egnatia ka arritur një fitore të artë në transfertë, duke mposhtur Laçin me rezultatin 0-2, falë golave të Ndrecës dhe Isgandarlit në pjesën e dytë.

Më këtë fitore rrogozhinasit e trajnerit Tetova, kryesojnë të vetëm me 30 pikë në 14 javë, 2 më shumë se ndjekësit e Partizanit, të cilët kanë një ndeshje më pak.  

Ndërkohë në krahun tjetër për Laçin, kjo ishte humbja e gjashtë në 14 javë, dhe tashmë kurbinasit e Josës kanë nisur të ndjejnë ethet e zonës së ftohtë.

Në sfidën e radhës Egnatia do të presë Vllazninë, ndërkohë që Laçi luan në transfertë ndaj Dinamos.  

Kukësi dhe Skënderbeu kanë ndarë pikët në një barazim spektakolar të luajtur në “Arenën e Demave”, e vlefshme për javën e 14-të, që u mbyll me rezultatin 2-2.


Të parët që kaluan në avantazh ishin korçarët, që gjetën rrjetën me Frenkiln, e më pas me Likën, duke marrë lojën nën kontroll.

Por në të dytën verilindorët e Nicës u “ringjallën”, duke gjetur golin me Zhongon në minutën e 55’ e më pas me Da Motën në 81’, të dyja të ardhura si pasojë e këndoreve.

Kështu Kukësi ngjitet momentalisht në vendin e 8-ë të renditjes, ndërsa Skënderbeu vazhdon të jetë në vendin e katërt me 18 pikë.

Lini një Përgjigje