“Injorant, komedian qesharak, shkaktove katastrofa”: Plas keq sherri mes Cassano dhe Luciano Moggi

26 Tetor 2022, 13:55Sport TEMA

“Injorant, komedian qesharak, shkaktove katastrofa”: Plas keq sherri

Po bëhet pothuajse një sagë që sheh si protagonist Luciano Moggi dhe Antonio Cassano, të cilët prej ditësh ngacmojnë njëri-tjetrin. E filloi ish-drejtori sportiv i Juventusit, ndërsa ish-lojtari i Romës u përgjigj me ashpërsi të madhe. Moggi mundi vetëm të kundërshtonte. Kapitujt e duelit të tyre verbal tani rriten në tre.

Moggi, duke komentuar një nga ndërhyrjet e shumta të Cassano-s, kishte nisur një “shigjetë” ndaj ish-futbollistit duke shkruar në Twitter: “I dashur Antonio, a thua se Ronaldo nuk e përballon dot më nivelin e lartë? Kush je ti për të gjykuar portugezin, që ka fituar 5 ‘Topa të Artë’?” Referenca ishte për fjalët e ish-sulmuesit nga Bari për Cristiano Ronaldon, i cili nuk është lojtari i preferuar i Cassanos.

Pas nja dy ditësh, në ‘Bobo TV’ ka mbërritur përgjigja e Cassanos, i cili ka replikuar shumë i tensionuar: “Për këto gjëra këtu, i dashur Luciano Moggi, meqenëse më quajte i dashur Antonio, unë të them: I dashur Luciano, më dëgjo me kujdes. Në jetën time nuk kam pasur kurrë zili, asgjë dhe askënd. Sepse me atë që kam bërë në jetë gjithmonë kam qenë i lumtur. Kam fituar, e kam shijuar futbollin. Nuk mund të më japësh moral ti, sepse ke shkaktuar katastrofa në 20 vitet e fundit. Ju duhet ta mbyllni gojën nëse flasim për moral apo jo… Vitet nuk flasim më për ju”.

Cassano ishte shumë i rëndë, duke përdorur fjalë të rënda: “Tani njerëzit do të thonë, Luciano Moggi qenka gjallë. I dashur Luciano Moggi, kudo të shkoj nëpër të gjithë botën mund ta mbaj kokën lart. Përkundrazi, ju keni tallur miliona fansa të ekipit ku ke qenë menaxher, ke shkaktuar katastrofa. Kur shkoj rrotull nuk më vjen turp, e mbaj kokën lart. Ti e ul kokën vërtet, nuk të shoh më përreth. Unë jam Antonio Cassano, me pikat e forta dhe të dobëta, por askush nuk mund të më thotë kurrë: Antonio, je një m*t, je ky apo ai tjetri”.

Goditja e fundit e “FantAntonios” ishte shumë e fortë: “Pas 20 vitesh kuptoj se bëra mirë që nuk pranova njerëz si ju në rolin e menaxherit tim, sepse e refuzova Juventusin tuaj dy herë. Nëse do të kisha të bëja me ju, pas dy minutash do të të ngjisja në mur”.

Pasi dëgjoi dhe lexoi ato fjalë, sigurisht që Luciano Moggi nuk mund të heshtte. Dhe kështu ish-menaxheri i shumë skuadrave të Serie A (përveç Juventusit, edhe Napolit, Romës, Torinos e Lazios), u përgjigj me një postim po aq të ashpër në Twitter. Moggi i përgjigjet pikë për pikë duke e quajtur “stend-up” komedian Cassanon, gjithashtu i thotë se do të kishte qenë e pamundur ta ngjiste atë në mur: “Injoranca juaj e tmerrshme dhe ‘kasanati’ juaj më argëtojnë. Je humorist e jo kolumnist sportiv. A do më ngjisje në mur siç thua ti? Më mirë provo me dikë tjetër, me mua do të ishte e vështirë”.

Lini një Përgjigje