Ku kanë humbur golat?!

13 Shtator 2022, 13:04Sport TEMA

Ku kanë humbur golat?!

Java e katërt e Kategorisë Sueperiore është ndoshta një nga më anormalet e vitit të fundit dhe për këtë një meritë të madhe kanë dy skuadrat debutese por edhe e mbijetuara nga ndeshja play-out. Erzeni, skuadër e ndërtuar në momentet e fundit të merkatos, pa një stadium të vetin dhe me një grup të ri, po surprizon javë pas jave dhe në tortën e kësaj fundjave ka një pjesë të konsiderueshme pasi ka arritur të shënojë një nga 5 golat e vetëm.

Shterpësi në Superiore që në Shijak këtë fundjavë nuk është ndier. Goli i Patrick Nonato iu shtua tre të tjerëve të realizuar nga surpriza më e madhe e javës së katërt, Egnatia që mbajti lart nderin e Superiores. Tre rrjeta në dëm të Vllaznisë që dënojnë shkodranët por i japin oksigjen futbollit elitar në vend, ende në krizë identiteti pasi kur favoritët dhe të mëdhenjtë nuk gjejnë rrugën e rrjetës, atëherë diçka nuk funksionon.

Edhe në Laç u shënua me pikatore pasi ishte Bylis që vendosi me një rrjetë vendimtare për mallakastriotët duke lënë thatë për të dytën ndeshje rresht kurbinasit që ashtu si Partizani, Tirana, Vllaznia dhe Teuta e Kukësi e Kastrioti nuk ia dolën mbanë në misionin për të shënuar. Mesatarisht një gol për çdo ndeshje, statistikë e varfër.

Më keq se kaq Superiorja bëri vetëm në javën e 30 të sezonit të kaluar në datat 23 dhe 24 prill kur u shënuan vetëm 3 gola. Largimi i dy golashënuesve më të mirë të sezonit të kaluar, Seferi e Guindo duket se ka lënë një boshllëk shumë të madh që pashmangshmërisht mund të kompromentojë pozitat e Tiranës dhe Laçit ndërsa Partizani, Kukësi e Vllaznia janë ende në kërkim të numrit 9 që mund të sigurojë vazhdimësinë javë pas jave.

Lini një Përgjigje