Lojtarët e Iranit nuk e kënduan himnin kombëtar, në shenjë proteste ndaj regjimit

21 Nëntor 2022, 17:21Sport TEMA

Lojtarët e Iranit nuk e kënduan himnin kombëtar, në

Përfaqësuesja e futbollit të Republikës Islamike të Iranit ka refuzuar të këndojë zëlartë himnin kombëtar të vendit, në shenjë proteste ndaj regjimit iranian, duke u solidarizuar kështu me protestat e shumta të ndodhura në vend javët e fundit, pas vdekjes së 22-vjeçares, Mahsa Amini, e cila humbi jetën e dhunuar nga Policia e Moralit, si pasojë e mosmbajtjes së shamisë në mënyrë korrekte.

Të 11-ë lojtarët e përfaqësues iraniane, në ndeshjen hapëse të fushatës së tyre të botërorit kundër Anglisë, kanë zgjedhur të ulin kokën teksa himni luhej në sfond.

Ata qëndruan në heshtje tërësore, duke dhënë kështu një mesazh të qartë drejt Teheranit.

Protestat e fundit të zhvilluara në Republikën Islamike, janë edhe ndër më të ashprat të zhvilluara që prej revolucionit islamik të vitit 1979.

Dhjetëra persona kanë mbetur të vrarë pas përplasjeve me Policinë si edhe dy persona janë dënuar me vdekje, për shkak të trazirave të krijuara.

Situata në Teheran e ka alarmuar të gjithë botën, për shkak të mosrespektimit të të drejtave të njeriut të ndodhura atje, në bazë të raportimeve të organizatave të pavarura.

Ndërsa, qytetarët, nuk janë dorëzuar ende dhe kërkojnë drejtësi për gjithçka ka ndodhur në Iran muajt e fundit.

Lini një Përgjigje