Lufta për miliona euro nga bastet, ja pse qeveria dhe federatat janë të ndara

17 Qershor 2022, 20:50Sport TEMA
Lufta për miliona euro nga bastet, ja pse qeveria dhe federatat janë

 

Ditët e fundit janë intensifikuar zërat për hapjen e kompanive të basteve, ose më saktë për formalizimin e tyre, me qëllim që një pjesë e tatimit të shkojë në ndihmë të sportit. Ideatori i kësaj teze ishte fillimisht presidenti i KOKSH, Fidel Ylli, i cili ende pa u zgjedhur zyrtarisht në krye të Komitetit Olimpik Shqiptar, deklaroi publikisht hapjen e kompanive të basteve. Pas kësaj ishte Armand Duka, i cili në një mbledhje me klubet e futbollit artikuloi qartë dhe pastër pothuajse të njëjtat kërkesa: formalizoni kompanitë e basteve që në fakt po operojnë në të zezë dhe një pjesë nga taksat e tyre kalojini për futbollin. Po çfarë fshihet pas kësaj? Le të analizojmë me kujdes faktet dhe më pas të kuptojmë se përse bëhet “lufta”.

Bastet funksionojë

Fidel Ylli dhe Armand Duka thonë një të vërtetë të hidhur: sot bastet në Shqipëri vazhdojnë në të zezë, por thjesht ato tashmë shmangin edhe taksimin. Kërkesa e tyre është: formalizojini dhe na jepni një pjesë neve të sportit. Përllogaritjet në teori flasin për një shifër vjetore rreth 10 milionë euro apo më shumë, një shifër aspak modeste. Mënyra se si i kërkon KOKSH dhe FSHF paratë për të nxjerrë nga kolapsi sportin kombëtar ha shumë diskutim, por gjithsesi të dy drejtuesit janë në të drejtën e tyre ta artikulojnë një kërkesë të tillë. Por ama Ylli dhe Duka kanë vetëm një pikë takimi, atë kur thotë formalizoni bastet. Sepse pas kësaj secili ka interesa të tjera…

KOKSH, që është shumë pranë qeverisë, po përdor kartën e “lëvizjes sportive” dhe do rrahë gjoksin si ombrella e të gjitha federatave. FSHF nga ana tjetër pretendon më shumë sepse është sporti më masiv dhe më i ndjekur në Shqipëri.

Kërkohen para, por nuk ka asnjë studim

Shikoni çfarë ndodh me ata që drejtojnë sot sportin në Shqipëri, për të kuptuar edhe se cila do të jetë e ardhmja e tij… KOKSH dhe FSHF kërkojnë para të shpejta, ndërsa qeveria nga ana tjetër i mëshon “lëvizjes sportive”… Por nuk janë ulur asnjëherë të trija bashkë edhe të ngrenë një grup pune që do të përcaktojë strategjinë e shpëtimit dhe më tej të zhvillimit të sportit. Pra ekspertë të ekonomisë dhe të sportit nga: qeveria, KOKSH dhe federata të ndryshme do të duhej të hartonin me detaje një plan që t’iu përgjigjur këtyre kërkesave të thjeshta:

– Sa para duhen për t’i nxjerrë nga kriza sportet kryesore: futboll, basketboll, volejboll, shtangë dhe atletikë?

– Sa para, sa kohë dhe çfarë strategjish duhen ndjekur që t’i fusësh ato realisht në shinat e ekonomisë së tregut?

– Sa para duhen për të përmirësuar infrastrukturën dhe sa para duhet të investohen vetëm tek të rinjtë?

– Për sa terrene sportive ka nevojë Shqipëria me qëllim që kjo të ketë ndikim direkt në brezat e ardhshëm?

– Si do të gjenden këto para dhe cilat janë vendet ose shembujt që mund t’u referohemi për t’i adaptuar ose kopjuar edhe në Shqipëri?

Mirëpo, për sa kohë që qeveria, federatat dhe pronarët e klubeve të futbollit nuk do të kenë një plan ta dakordësuar me ide të qarta se për çfarë ka nevojë sporti në Shqipëri, tentativat me ide sporadike vit pas viti nuk mund të çojnë në progresin që duhet.(Panorama Sport)

1 Komente

  1. b
    bk

    Problem jane kazinote qe po shkaterrojne familjet jo bastet sportive. Jam shume i zhgenjyer nga Rama i cili premtoi se do t'i mbyllte kazinote, por ne fakt i shtoi ne mes te Tiranes dhe i kanalizoi ne duart qe donte ai. Nuk e prisja kete nga Rama, per te cilin kisha tjeter mendim.

    Lini një Përgjigje