Merkato pa para… më shumë të larguar se të ardhur

3 Gusht 2022, 20:07Sport TEMA

Merkato pa para… më shumë të larguar se të ardhur

Merkato është hapur dhe të gjithë duan të bëjnë lëvizjet e tyre. Shumë zhurmë, kërkesa për lojtarë, por pak para për të manovruar.

Ajo që të bën përshtypje është fakti se pothuajse në të gjitha skuadrat që këtë edicion do të jenë pjesë e Superiores ka një mori largimesh.

Duke filluar nga Tirana, aktualisht numri i të larguarve ka shkuar në 9 dhe vetëm 5 të afruar, prurjet e fundit nuk është se e kanë ngrohur trajnerin Orges Shehin dhe kjo u pa në prezantimin që bardheblutë zhvilluan në Kupat e Europës.

Emri i fundit i ardhur është i Llukman Husein, ish-mbrojtësit të Kastriotit.

Një tjetër skuadër që ka pësuar një ‘hemoragji’ largimesh është edhe skuadra nën-kampione, pikërisht Laçi. Duke filluar nga trajneri Shpëtim Duro e përfunduar ne repartet portë-sulm, klubi kurbinas ka nevojë për një merkato cilësore, edhe pse koha nuk premton për bardhezinjtë.

Partizani, Kukësi dhe Vllaznia janë një kantier i hapur me tre klubet kryesore që po punojnë në çdo minutë si në merkaton hyrëse ashtu edhe dalëse, shkruan RTSH Sport.

Egnatia është skuadra që ka surprizuar në këtë merkato, 14 lojtarë të afruar dhe emra të të gjithë respektit në kategorinë Superiore, duke filluar nga portieri Alen Sherri, dy mbrojtësit Atanda dhe Goxhaj e përfunduar te ish-lojtari i Dinamos, Redon Mihana, kështu që detyra e vetme e trajnerit Edlir Tetova është gërshetimi i këtyre elementëve, pasi cilësua nuk është se nuk mungon. 

Bylis dhe Erzeni, dy skuadrat që këtë sezon siguruan ngjitjen në Kategorinë Superiore po punojnë seriozisht, ndonëse në klubin mallakastriot blerja më e fundit është e Marin Abazajt, ndërkohë që të skuadra shijakase është ndryshuar çdo bërthamë e grupit.

Lini një Përgjigje