Ëndrra Milan, roli i preferuar dhe tifozët, De Ketelaere: Çfarë pasioni! Maldini besoi tek unë

3 Gusht 2022, 19:19Sport TEMA

Ëndrra Milan, roli i preferuar dhe tifozët, De Ketelaere:

Milani insistoi gjatë për shërbimet e Charles De Ketelaere dhe ia doli të sigurojë lojtarin e Club Brugge për 32 + 4 milionë euro. 21-vjeçari firmosi një kontratë 5-vjeçare me kampionët e Italisë. Ai e donte me çdo kusht kalimin te kuqezinjtë, dëshirë që iu plotësua më në fund.

Doja të vija te Milani, u desh pak kohë, por jam krenar që kjo ëndërr u realizua. Maldini dhe Massara u shprehën se besonin tek unë dhe që në fillim të këtij viti kam qenë në kontakt me ta. Kam biseduar edhe me trajnerin. Dëshira ime ishte t’i bashkohesha Milanit.

Këtu ka shumë pasion. E thonë të gjithë, por nuk mund ta kuptosh deri në momentin që e përjeton vetë. Gjithmonë kam ëndërruar të bëhem një futbollist profesionist. Nuk do ta kisha besuar kurrë se mund të luaja në një klub si Milani, por sot është realitet dhe jam krenar”.

Më pas një koment për taktikën. De Ketelaere luan si mesfushor ofensiv, por mund të aktivizohet edhe në të djathtë dhe majë të sulmit. “Jam një lojtar shumë ofensiv, më pëlqen të nis dhe të përfundoj aksionin. Prirem të kërkoj pasimin e fundit, por edhe të finalizoj si sulmues. Sigurisht që punoj edhe në lojën pa top, por preferoj ta kem topin në këmbët e mia.

Objektivat? Shpresoj të ndihmoj klubin të arrijë sukseset e mëdha të së kaluarës. Kam parë disa ndeshje të Milanit vitin e kaluar, për shembull derbin, që nuk e humbas kurrë. Jam i lumtur që do luaj në ekipin kampion të Italisë”, deklaroi De Ketelaere për Milan TV.

Në fund një koment për zgjedhjen e fanellës me numër 90 dhe premtimi për popullin milanist: “Është një numër që m’u caktua si fëmijë. Kam bërë mirë me atë numër dhe nuk e lashë më. Tifozët? Atyre mund t’u premtoj vetëm një gjë: do të jap gjithçka nga vetja”.

Lini një Përgjigje