“Rasti me Barçën më la 4 netë pa gjumë”, Asllani: Kurrë nuk kam kërkuar huazimin

8 Dhjetor 2022, 14:13Sport TEMA

“Rasti me Barçën më la 4 netë pa gjumë”,

Kristian Asllani ka folur hapur rreth aventurës tek Interi në një prononcim për GDS. Mesfushori i talentuar i kombëtares shqiptare, realizoi ëndrrën e tij të madhe në verë duke u transferuar nga Empoli te zikaltrit, ekipi për të cilin bën tifo që i vogël.

Viti i parë lidhet më shumë me përshtatjen, ndërkohë që deri tani numëron 12 ndeshje mes kampionatit dhe Champions League, nga të cilat 3 i ka nisur si titullar. Opsionin e huazimit në merkaton e janarit nuk e mendon aspak.

“Asnjëherë nuk kam kërkuar huazimin. Jam i lumtur që ndodhem tek Interi dhe nuk kam ndërmend të huazohem diku tjetër për të luajtur më shumë. E dija që në fillim se çfarë më priste, e gjitha kjo është pjesë e rrugëtimit tim”, deklaron 20-vjeçari nga Elbasani, i cili tregon personin që e ka ndihmuar më shumë dhe ata nga të cilët frymëzohet.

“Më shumë se të gjithë më ka ndihmuar D’Ambrosio. Po mësoj shumë nga Brozovic dhe Calhanoglu, të cilët i konsideroj mjeshtra”. Nuk mungon edhe një koment në lidhje me rastin e pastër që humbi në “Camp Nou” në takimin e Champions League ndaj Barcelonës.

“Edhe kur nuk e mendoj atë rast, janë të tjerët që ma kujtojnë dhe nuk më lejojnë ta harroj. E pranoj që nuk kam fjetur dot për katër netë radhazi. I kaloja mbrëmjet duke shikuar aksionin, më është fiksuar në kokë.

Desha të pasoja te Mkhitaryan, më pas vendosa ta stopoj topin përpara se t’ia jepja atij, por më vonoi disa marrja dhe kontrolli i topit. Më pas hapësirat u zvogëluan, kështu që vendosa të shënoj vetë, por gjithçka shkoi keq.

Isha i shkatërruar pas asaj gafe, por të gjithë shokët më ngushëlluan. Gjithsesi, duhet të fokusohemi tek e ardhmja. Jemi të përqendruar te ndeshja me Napolin, duam të fitojmë dhe të hapim garën për titullin”, deklaroi lojtari i talentuar shqiptar.

Lini një Përgjigje