Reja këshillon Dukën: Pas meje duhet trajner shqiptar, ja emri që do i propozojë

27 Tetor 2022, 15:39Sport TEMA

Reja këshillon Dukën: Pas meje duhet trajner shqiptar, ja emri që

“Pse jo një trajner shqiptar në stolin e Kombëtares?”. Propozimin interesant e bën tekniku aktual i kuqezinjve, në një intervistë ekskluzive për ekranin e televizionit publik.

Trajneri i Kombëtares, Edoardo Reja bën një propozim deri diku të papritur duke i dhënë një mesazh interesant presidentit të FSHF-së, Armand Duka. Në përfundimtë miqësores me Arabinë Saudite, në një prononcim ekskluziv për RTSH, numri 1 i stolit kuqezi prek, edhe pse jo në mënyrë të drejtpëdrejtë, çështjen e të ardhmes së tij në postin drejtues të kombëtares së parë. Duke folur për bashkëpunëtorët e tij, ai veçon Ervin Bulkun duke e marrë si shembull profesionalizmi për atë që duhet të bëjnë trajnerët shqiptarë. por në fjalët e tij mes rreshtave lexohet një qëndrim interesant.

 “Bulku ka bërë shumë mirë. Kam qenë me të në Kroaci dhe i kam ndjekur nga afer ndeshjet e tij ku humbi me Kroacinë dhe fitoi me Suedinë.  Unë mendoj se është një nga ata që mund të jetë gati pë të marrë drejtimin  e Kombëtares. Kur unë të mbyll kapitullin do ta propozoj. I duhet pak eksperiencë. por mendoj se është gati”, shpjegon Reja.

Në vijim, Reja mban një qëndrim edhe më të qartë në të cilin lë të kuptohet se me presidentin e FSHF-së ka folur rreth çështjes së stolit. por ky i fundit nuk ka dhënë shumë pika referimi për emrin që mund të zgjedhë.

“Giovanni Colellan, që drejton skuadrën e vendit të parë në Shqipëri, e njoh. Është një trajner shumë i përgatitur dhe ka eksperiencë. Me vjen mirë që trajneri i kryesuese të kampionatit dhe ai i Kombëtares janë italianë. Edhe Armand Duka është i orientuar drejt trajnerëve italianë, por mendoj se ndoshta kur unë të largohem, ai duhet t’i besojë një trajneri shqiptar. Po punojmë në këtë aspekt, për të rritur sa më shumë nivelin dhe vlerat e trajnerëve shqiptarë. Sipas meje, kur unë të mbyll punën këtu, trajneri i ardhshëm do të jetë shqiptar dhe këtë e uroj me gjithë shpirt. Jam i sinqertë dhe jam i sigurtë për atë që them dhe bëj. Duka dëshiron që të rritet niveli i skuadrave shqiptare dhe në të ardhmen mund të ketë trajnerë shqiptarë që vijnë në skuadrën e parë dhe ky është mendimi dhe besim im. Jam i bindur se një gjë e tillë do të ndodhëbrenda pak vitesh”.

Reja më pas jep një këshillë për fokusin e punës së klubeve në vendin tonë, por edhe pse me humor e pranon se kanë qenë mediat me të cilat ka pasur peroblemet më të mëdha gjatë punës së tij këtu në Shqipëri.

“Unë e dua këtë punë, më pëlqen, jam mirë edhe me skuadrën e lojtarët. Kam një marrëdhënie të mirë me të gjithë, por pjesërisht jo me median. Ndihem i lumtur ndoshta sepse ka ardhur edhe fundi, por jo jo, bëj shaka. Në Shqipëri, trajnerët duhet të punojnë më shumë në funksion të të gjithë akademisë së klubit. Duhet të jenë më të përgatiur trajnerët e ekipeve të të rinjve, jo ata të ekipeve të para, të cilët janë të përgatitur”, thotë Reja

Në vijim ai përqëndrohet te ndeshja miqësore kundër Arabisë Saudite dhe sinjalet që mori nga skuadra eksperimentale.

“Kishim vetëm tre ditë bashkë dhe djemtë u sollën mjaft mirë në fushën e lojës kundër një skuadre që do të luajë në Kupën e Botës. Duke parë atë që dhanë në fushën e lojës dhe se si funksionoi skuadra. Nuk mund të pretendoja më shumë nga ky grup. Krijuam 4-5 mundësi të pastra shënimi që, nëse do të ishin konkretizuar këtë ndeshje, do të duhej ta kishim fituar 2 apo 3-0. Treguam se jemi një skuadër.  Do të luajmë edhe një miqësore tjetër kundër Katarit në Andorra dhe një pjesë të madhe të kësaj skuadre do ta aktivizoj në atë ndeshje. Do te ketë marzhe përmirësmi. Është e vështirë të punosh për kaq pak ditë me këta djem që vijnë nga skuadra të ndryshme. Do të marr në konsiderarë ndonjëri prej tyre, por do ta bëj pas miqësores me Katarin ku do të thërras edhe disa emra të rinj përveç grupit aktual”.    

Reja komentoi edhe emra të veçantë të grupit duke e pranuar se kjo skuadër, edhe pse me djem të talentuar, ka nevojë për eksperiencë.

“Balaj dhe Roshi kanë një eskperiencë të madhe me Kombëtaren dhe vlerat e tyre janë sigurisht më superior krahasuar me lojtarët e rinj.  Kemi luajtur ndaj një skuadre që merr pjesë në Botëror, por nuk është se Arabia më bëri përshtypje të madhe. Muçolli është një djalë që e ndjek prej kohësh dhe besoj se do të jetë i grumbulluar edhe në ndeshjen tjetër. Skuka ka cilësi të mira, karakter, punon shumë mirë, por punon vetëm në funksion të topit, sepse kur nuk e ka topin nuk ka interes shumë për lojën.  Mbrojtja në përgjithësi u soll mirë edhe pse do të kisha dashur të kisha parë pak më shumë siguri, sepse mua më pëlqen më shumë ta sulmojmë kundërshtarin e jo të tërhiqemi. Por këto janë situate taktike që do t’i rishikojmë. Kam besim se ndeshjen e ardhshme do të bëjmë mirë”, ka përfunduar Reja.

Lini një Përgjigje