Tek Italia ngrenë në qiell Calafiorin, Capello e krahason me Sergio Ramos

17 Qershor 2024, 21:00Sport TEMA
Tek Italia ngrenë në qiell Calafiorin, Capello e krahason me Sergio

Pas fitores me rezultatin e ngushtë 2-1 ndaj Shqipërisë, te Kombëtarja italiane e futbollit entuziazmi është i jashtëzakonshëm përpara përballjes me Spanjën, në ndeshjen e dytë për grupin B.

Lojtari që po vlerësohet më shumë pas fitores ndaj Shqipërisë është Riccardo Calafiori, i cili bëri një paraqitje relativisht të mirë, por specialistët dhe mediat italiane po e ngrenë në qiell. Capello është shprehur se Calafiori i kujton Sergio Ramos-in.  

“Më impresionoi personaliteti i Calafiorit në Dortmund. Nuk dukej fare si një debutues në Europian. Tregoi shkathtësi me topin në këmbë. Më kujtoi Sergio Ramos, i cili gjithashtu luante në krah në fillimet e tij. E më pas u shndërrua në qendërmbrojtës. Njësoj si Calafiori. Gjithashtu, nuk duhet të harrojmë se Ramos nuk ishte aq i ashpër, u bë me kalimin e viteve”, tha Capello.

Megjithatë, mbrojtësi i Bologna-s edhe pse sipas mediave italiane nuk humbi asnjë duel ajror, ishte lojtari të cilit Manaj i vodhi dy herë kohën dhe mund të kishte shënuar nëse Donnarumma nuk do të kishte realizuar atë pritje të jashtëzakonshme. Ndërsa në duelin me Brojën, Calafiori u detyrua me këmbë e me duar për ta ndalur e në fund u ndëshkua me kartonin e verdhë.

Tashmë, të kaltrit do të ndeshen me Spanjën, ku do të shkojnë me një entuziazëm të jashtëzakonshëm, ndërsa do të vërtetojnë edhe cilësitë e mbrojtësit të Bologna-s.

1 Komente

  1. L
    Loni

    Kalafiori tregoi se të përbashkët me Serxhio Ramosin ka vrasjen me qëllim të kundërshtarit. Apo t'ja harrojmë Serxhio legenit atë që i bëri Mohamed Salait në finalen e champions league ku i nxori shpatullën dhe e largoi nga fusha që në 20 minutat e para? Kur Sala ishte në kulmin e formës sportive me Liverpulin në atë kohë. Dhe fitoi Serxhio legeni champions league. Kështu dhe këta Kalafiorët që kishin vendosur t'a nxirrnin Brojën nga loja me çdo mënyrë e mjet.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje