Vllaznia “trondit” Dinamon, shkodranët i bëjnë presion Egnatias

19 Janar 2026, 22:10Sport TEMA
Vllaznia “trondit” Dinamon, shkodranët i bëjnë

Vllaznia triumfoi 2-0 në supersfidën e javës së 20-të në Superiore ndaj Dinamos. Shkodranët ia dolën të marrin 3 pikë të arta në “Air Albania”, në një ndeshje shumë të luftuar.

Sfida nisi me raste në të dyja portat, ndërsa shkodranët kaluan në avantazh në minutën e 33-të. Bekim Balaj shënoi me penallti, duke mposhtur portierin Aldo Teqja.

Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat, ndërsa fraksioni i dytë nisi me disa minuta vonesë, për shkak të problemeve me energjinë elektrike në stadium.

Pas rifillimit, Dinamo e kishte të vështirë për të reaguar, pasi nuk gjeti hapësira. Goditjen përfundimtare kryeqytetasve ua dha Kallaku në minutën e 84-t, i cili shënoi pas një kundërsulmi të Kastratit.

Me këtë fitore, Vllaznia ngjitet në vendin e dytë me 36 pikë, vetëm dy pikë më pak se Egnatia kryesuese.

Dinamo ka zbritur në vendin e katërt me 33 pikë të grumbulluara.

Lini një Përgjigje