Turizmi masiv në Europë krijon vende pune, por me çfarë kosto?

20 Qershor 2025, 22:41Turizëm TEMA
Turizmi masiv në Europë krijon vende pune, por me çfarë

Europa regjistroi më shumë se 747 milionë mbërritje ndërkombëtare turistësh në vitin 2024, një rritje e konsiderueshme nga 416 milionë të raportuara në vitin 2005, sipas të dhënave të organizatës për turizmin të OKB-së (UN Tourism).

Në Barcelonë, Lisbonë dhe Napoli, mijëra demonstrues dolën në rrugë të dielën për të kërkuar fundin e asaj turizmit masiv. Por pse janë pushuesit një burim kaq tensioni?

Sandra Carvão, Drejtoreshë e Inteligjencës Ekonomike, Politikës dhe Konkurrueshmërisë në UN Tourism, tha se turizmi masiv është rritur ndjeshëm vitet e fundit për shkak të “më shumë të ardhurave të disponueshme midis klasave të mesme në shumë vende, përmirësimin e kapacitetit ajror, por edhe në aspektin e çmimeve më të përballueshme të biletave ajrore” dhe “lehtësirave të kalimit kufitar që kanë ndryshuar rrënjësisht gjatë dekadave”.

Midis viteve 2019 dhe 2024, numri i mbërritjeve ndërkombëtare u rrit me 18.1% në Portugali, 12.3% në Spanjë dhe 12.2% në Francë.

Në Itali, nga ana tjetër, mbërritjet e turistëve ranë me 10.5% gjatë së njëjtës periudhë.

Fluksi i vizitorëve gjeneron vende pune dhe të ardhura për rajonet turistike.

Në vitin 2023, Spanja fitoi 80 miliardë euro nga turistët ndërkombëtarë.

Franca fitoi 61 miliardë euro, ndërsa Italia dhe Portugalia fituan përkatësisht 47 dhe 23 miliardë euro nga turistët ndërkombëtarë në vitin 2023.

Kosto e turizmit

Bllokime trafiku, qytete të mbipopulluara, rritje të qirave: turizmi masiv po shkakton një mori problemesh për banorët vendas.

Përhapja e akomodimeve afatshkurtra po kontribuon në rritjen e çmimeve të pronave, duke i përjashtuar gjithnjë e më shumë vendasit nga tregu i pronave.

Midis viteve 2015 dhe 2023, çmimet e pronave u rritën me një mesatare prej 48% në Bashkimin Europian, sipas të dhënave të Eurostat.

Këto rritje ishin më të lartat në Hungari (+172.5%) dhe më të ulëtat në Finlandë (+5%). Çmimet e shtëpive u rritën me 105.8% në Portugali, 47.7% në Spanjë, 31.3% në Francë dhe 8.3% në Itali gjatë së njëjtës periudhë.

Faktorë të tjerë janë rritja e kostove të ndërtimit dhe rritja e investimeve në qira.

Disa bashki, viktima të suksesit të tyre, kanë ndëmarrë hapa kundrejt kësaj problematike. Amsterdami ka ndaluar ndërtimin e hoteleve të reja dhe Dubrovniku ka kufizuar numrin e anijeve turistike që mund të ankorohen çdo ditë.

“Vetë sektori duhet të përcaktojë kapacitetin në destinacione të caktuara”, thotë Carvão. “Në këtë situatë, teknologjitë e reja ndihmojnë sepse mund të bëhet shumë me regjistrimin dhe kontrollin e lëvizjeve të njerëzve. Mund të kesh më shumë të dhëna dhe mund të kesh informacion më të mirë.”

“Ka politika që përfshijnë diversifikimin e kërkesës gjatë gjithë vitit në mënyrë që më pak njerëz të udhëtojnë në kohë specifike, kështu që ka më pak presion mbi burimet e destinacionit”, shtoi ajo.

Pushuesit gjithashtu mund të ndërmarrin veprime duke zgjedhur destinacione më pak të vizituara. Në fakt, 42% e turistëve janë të përqendruar në vetëm dhjetë vende në të gjithë botën. 

Euronews

Lini një Përgjigje