Frank Riberi do të dalë në qershor para gjyqit për t’iu përgjigjur akuzave për marrëdhënie seksuale me një prostitutë të mitur, të cilën e kishte punësuar “si dhuratë datëlindje”. Ylli i Bajern Mynih do t’i përgjigjet akuzave që u ngritën kundër tij që në vitin 2010, pasi u mësua se kishte organizuar udhëtimin e vajzës, në atë periudhë 17 vjeçare, dhe pastaj kishte kryer marrëdhënie seksuale me të në dhomën e tij të hotelit në Gjermani.
28 vjeçari ka pranuar prej kohësh se ka kryer marrëdhënie seksuale me prostitutën Zahia Dehar, por ka mohuar të ketë pasur dijeni për moshën e saj reale. Dehar zbuloi për mediat franceze se si futbollisti kishte paguar 7 mijë euro për një dhomë në një hotel me 5 yje në Mynih si dhe për udhëtimin e saj nga Parisi drejt këtij qyteti për datëlindjen e tij, me 7 prill 2010.
“Unë isha dhurata e tij e datëlindjes. Frank më kontaktoi në një klub të Parisit. Më “prenotoi” dhe më pas udhëtova drejt Mynihut për të festuar datëlindjen e tij të 26-të. Ai bëri rezervime në një hotel luksoz në Mynih. Kryem marrëdhënie seksuale dhe më pagoi për një gjë të tillë”, ka treguar ajo.
Ndonëse mosha ligjore për kryerjen e marrëdhënieve seksuale në Francë është 15 vjeç, mosha 18 vjeçare është minimumi për të punuar si prostitutë. Dehar, asokohe bëri një apel publik ndaj trajnerit të përfaqësueses franceze, Raimond Domenek, duke i kërkuar që të mos përjashtonte Riberi nga kombëtarja para Botërorit 2010, kur shpërtheu skandali.
“Si mund ta imagjinoja, kur fsheha moshën time për të mos larguar klientët, se mirëbesimi që kishin do të dilte kundër tyre?”, janë fjalët e Dehar që tashmë ka ndryshuar profesion dhe hapur një shtëpi mode në Paris.
I shkreti ky, nuk e dinte.