Promovohet libri i Rudina Xhungës/ Rama: U përdora për një kauzë të mirë

24 Mars 2014, 19:45Kulturë TEMA
Promovohet libri i Rudina Xhungës/ Rama: U përdora për një

Gazetarja Rudina Xhunga promovoi të hënën në mbrëmje librin e saj të fundit, të titulluar “Shkrimtarët e Shekullit”, me parathënie nga Edi Rama.

Libri sjell 31 intervista, që Xhunga i ka realizuar me emra të njohur të penës.

I pranishëm në ceremoni, kryeministri Edi Rama tha se ai është përdorur në këtë rast për një kauzë të mirë.

Ai falenderoi edhe botuesen e librit, Arlinda Dudaj.

“Ishte kënaqësi për ta dhënë këtë kontribut për këtë botim. Një vepër e përbashkët e dy grave që japin e marrin me siguri me të gjitha problemet që kanë gratë-nëna sot, por që nuk heqin dorë nga pasioni për librin dhe kur bëhen të dyja bashkë, gjithmonë është sukses dhe është kënaqësi të shohësh se çfarë arrin të prodhojë. Ky është një libër që ka edhe një të mirë tjetër për kohën që jetojmë, që nuk të imponon ta fillosh te faqja e parë dhe të shkosh te faqja e fundit, por të jep mundësinë që sa herë ta kapësh, të shikosh një gjë që se ke parë më parë dhe pa pasur nevojë të ndjekësh gjithë rendin e gjërave. Është një libër që i ngjan shumë Rudina Xhungës, në këtë sens dhe që të jep mundësinë të gjendesh në stacione krejt të ndryshme, gati-gati të përshkosh botën, por pa rend, për t’u nisur nga ‘a’-ja për të shkuar tek ‘zh’-ja. Është një libër që meriton respekt, për përpjekjen e gjatë të Rudinës për të mbledhur bashkë 31 shkrimtarë në një botim të vetëm, pas një endjeje të gjatë nëpër bibliotekën e botës,” tha Rama.

“Nuk jam dakord fare me Rudinën, kur thotë se “mendoja se puna kishte më rëndësi, jo promovimi, tani e mora vesh që promovimi është më i rëndësishëm se puna”. Në fakt, puna është promovimi dhe promovimi është punë. Kështu që nuk janë të ndara me njëra-tjetrën dhe siç duket, unë jam pjesë e punës së Arlindës dhe  Rudinës, në aspektin e promovimit të librit. Në qoftë se është kështu, atëherë ndjehem mrekullisht i mirëpërdorur dhe sjellsha më shumë kopje të shitura dhe më shumë kënaqësi për shkrimtaren dhe për botuesen. Por jam i bindur për një gjë, që po përdorem për një kauzë shumë të mirë, sepse po përdorem për të çuar tek publiku jo një produkt komercial, por një produkt të intelektit më të lartë të botës së sotme të letrave,” u shpreh Rama.

Lini një Përgjigje