"Hoteli i Bardhë" dhe saga e dështuar e Hollivudit për ta ekranizuar

11 Mars 2014, 09:49Kulturë TEMA

Para ca ditësh Shtëpia Botuese “OMBRA GVG” nxori në qarkullim romanin post-modernist “Hoteli i Bardhë” i shkrimtarit anglez D. M. Thomas, përkthyer në gjuhën shqipe nga Pirro Dollani. Ky roman është botuar për herë të parë në Angli më 1981 e ribotuar disa herë në Amerikë. Në qendër të librin është jeta e një këngëtare operash, paciente e Frojdit, e cila i shkruan atij për jetën e saj, një jetë e trazuar dhe e ndërthurur me ngjarjet tragjike të kohës, si Holokausti. Në libër shpalosen ndjenjat vetjake erotike në një sfond historik të dhunshëm e tragjik.

Gjatë mëse këtyre tre dekadave që nga botimi, libri ka fituar një reputacion si një nga veprat e mëdha të letërsisë moderne të pamundura për t’u ekranizuar. Dhe këtu nuk flitet për përpjekjet e ndonjë kinematografie të ndonjë vendi të vogël e me pak tradita filmike, por për gjigandin e industrisë kinematografike: Hollivudin. Kaq shumë herë e nga kaq shumë kineastë janë bërë përpjekje të pafrytshme për ekranizmin e “Hotelit të Bardhë, saqë në 2008 shkrimtari D. M. Thomas botoi librin “Hoteli i Ftohtë: Saga Hollivudiane e Hotelit të Bardhë” ku bënte një “inventarizim” e tregonte me hollësi përpjekjet njëzet e pesëvjeçare të kineastëve të shquar për të ekranizuar romanin në fjalë.

Sapo romani “Hoteli i Bardhë” doli në qarkullim në Angli më 1981, Barbara Streizënd bleu të drejtën e autorit me qëllim që ta ekranizonte në bashkëpunim me regjisorin e madh italian Bernardo Bertoluçi. Por Straizënd hoqi dorë nga projekti, pasi nuk u pajtua me mendimin e kineastëve sesi dëshironin të realizonin një skenë surrealiste seksi nga romani. Dhe, më pas, Bertoluçi u tërhoq përfundimisht nga projekti gjatë kohës që filmi i tij “Perandori i Fundit” fitoi Oscar.

Në vitin 2007 regjisori Simon Monjack, së bashku me producenten Susan Steëart Potter nisi punën për të ekranizuar romanin. Rolin e Anës, pacientes së Frojdit, do ta luante Brittany Murphy, por vdekja e parakohshme e Brittany-s, bëri që regjisori Monjack të braktiste këtë projekt. Pas vdekjes së Brittany-s, dy producentë nga Teksasi i kërkuan shkrimtarit D. M. Thomas, që të shkruante skenarin, me mendimin se do të bindnin regjisorin Terrence Malick që të merrte përsipër realizimin e filmit. Por regjisori Malick nuk e mori përsipër.

Rreth viteve 1990, regjisori David Lynch kishte dëshirë që të realizonte një adaptim të ri të librit që ishte bërë nga Dennis Potteri. Gjithçka po shkonte mbarë, por prishja e Lynch-it me aktoren Isabella Rossellini, që do të luante rolin e Anës, bëri të pamundur realizimin e projektit. Pas vdekjes së Potterit, radha i erdhi një kineasti tjetër të madh: regjisorit serb Emir Kusturica që kishte shkruar vetë skenarin me shpresë se do të arrinte të kishte Anthony Hopkins në rolin e Frojdit dhe Nicole Kidman në rolin e Anës. Por, kësaj radhe, shkaku për mosrealizmin u bë një faktor jo profesional: shpërthimi i luftës në Jugosllavi. Më vonë pati përpjekje për ta ekranizuar këtë vepër të shquar nga shumë e shumë kineastë të tjerë, si psh. Pedro Almodovar, David Cronenberg, por të gjithë këto përpjekje dështuan.
Për shumë nga këta kineastë ekranizmi i romanit “Hoteli i Bardhë” do të kishte për të qenë një xhevahir i ndritshëm në biografinë e tyre profesionale.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje