Planet e qeverisë “Berisha” për të ndërtuar rrugë të reja të deklaruara si prioritet u buxhetit 2011 bëhen kur në të vërtetë akoma nuk janë shlyer rrugët e bëra që nga viti 2008. Firmat e ndërtimit që kanë bashkëpunuar me qeverinë aktuale kishin ndenjur një vit me shpresë se në buxhetin e ri do të kishte një fond për ta, jo pak, por 10 miliardë lekë të reja që qeveria u ka borxh për punët publike që kanë bërë, kryesisht në ndërtimin e rrugëve. Zhgënjimi ka qenë i madh për ndërtuesit kur kanë mësuar se nuk ka asnjë lek për ta në buxhetin e vitit që vjen. Por zhgënjimi bëhet më i madh kur për këtë shkak shumë firma ndërtimi mund të falimentojnë. Ato nuk arrijnë dot të shlyejnë kreditë me interesa të larta bë banka. Shoqata e ndërtuesve reagoi dje për këtë çështje dhe paralajmëroi se do të dalë në protesta deri në bllokim të rrugëve që ata vetë ndërtuan nëse qeveria s’do të marrë masa për t’i paguar. “Ky borxh e kalon vlerën e 10 miliardë lekëve dhe po vazhdon me objektet e kontraktuara nga viti 2010”, tha Maksim Muçi, kryetar i shoqatës. “Të parashikojmë likuidimin e borxheve brenda datës 30 qershor 2011”, shtoi Muci. Sipas deklaratave te ministrit te Financave Ridvan Bode qeveria iu ka ndertuesve vetëm 7 miliardë lekë borxhe për ndërtimin e objekteve publike. Nga krahu tjetër edhe ministri i Transporteve pak kohe me pare ka deklaruar se ka filluar shlyerja e borxheve për ndërtuesit. Por vete ndërtuesit thonë se qeveria për 1 vit u ka shlyer atyre rreth 20 % te borxhit total, dhe nuk u ka përcaktuar asnjë afat se kur do te shlyhet e gjithë vlera e borxhit ndaj kompanive ndërtuese ne vend.
Deklarata e ndërtuesve
“Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë vazhdimisht, ka ngritur në të gjitha instancat, kërkesën për zgjidhjen e problemit të pagesës së borxhit që ka shteti për mos financimin e punimeve të kryera nga shoqëritë e ndërtimit në objekte publike. Ky borxh e kalon vlerën e 10 miliardë lekëve dhe po vazhdon për objektet e kontraktuara që nga viti 2008. Shoqëritë e ndërtimit kanë pritur me durim dhënien e zgjidhjes në projekt buxhetin e vitit 2011, duke respektuar në këtë mënyrë objektivat e Qeverisë. Por ndërkohë ne këtë buxhet nuk janë parashikuar fonde për shlyerjen e detyrimeve te prapambetura ndaj kompanive te infrastrukturës. Në këto kushte deklarojmë se shoqëritë nuk janë më në gjendje që të ndërtojnë objektet publike duke i financuar vetë dhe pa u paguar nga shteti. I bëjmë thirrje Qeverisë dhe gjithë administratës publike, si dhe atyre të Komunave e Bashkive, se kjo praktikë nuk mund të vazhdojë në vitin 2011. Shpallje objektesh me vlere 1 milion leke i kane dëmtuar ne mënyrë te ndjeshme shoqëritë. Shoqëritë e ndërtimit janë duke falimentuar për vetë financimin e objekteve me kredi bankare të marra për punimet dhe pagesën e mijëra punëtorëve”, thuhet në deklaratën e djeshme të shoqatës së ndërtuesve. Më tej ata i kërkojnë qeverisë e Kuvendit, që të parashikojnë likuidimin e borxhit ndaj shoqërive, brenda datës 30 Qershor 2011. Gjithashtu kërkojnë që në tenderimin e fondeve publike t’i hapet rrugë zgjidhjeve ligjore duke aplikuar kontratën e tipit FIDIC, kontratë e cila aplikohet sot në të gjitha vendet e Evropës, dhe në Shqipëri, por vetëm për të huajt. Të hiqet dorë nga praktikat diskriminuese për firmat Shqiptare. Gjithashtu kërkojnë që shfuqizohet VKM Nr.835, dt.15.07.2009, i cili me kushtin e 70 % të punimeve të kryera, pavarësisht nga kontrata përkatëse, jo vetëm që penalizon vetëm firmat e ndërtimit të rrugëve, por me këtë vendim Qeveria nuk shpreh as minimumin e mirënjohjes për punët e bëra me paratë e këtyre firmave. Nga ana tjetër duke pasur kredi në banka këto firma kërkojnë që deri në likuidimin e të gjithë borxhit, Qeveria të ndërhyjë pranë bankave për të zgjidhur problemin e mospagimit të interesave të larta bankare (12-14 %) nga shoqëritë e ndërtimit, për punimet e kryera dhe të pa financuara.