Sulmuesi i Çelsit, Nicolas Anelka, ka akuzuar Francën dhe francezët për racizëm, shkruan “Daily Mirror”. Ai insiston se vetëm në Francë ka telashe dhe shton se racizmi te Franca më së miri u dëshmua në Kampionatin Botëror “Afrika e Jugut 2010”. Anelka u pat larguar nga kampi i francezëve, pasi kishte fyer trajnerin Rajmond Domenek, ndërsa Franca u eliminua në fazën e grupeve.
“Në momentet më të vështira, kemi parë se çka mendojnë njerëzit. Thoshin se Frenk Riberi ka grushtuar Johan Gurgufin. E thoshin këtë, pasi Gurguf është djalë i mirë francez, kurse Riberi mysliman”, ka deklaruar Anelka. “Kur mungonin fitoret, filluan të flasin për religjionin dhe racën e njerëzve”.
Anelka thotë se nuk e ndien veten aspak francez dhe se të gjitha arritjet në karrierën e tij i ka bërë jashtë Francës.
“Për mua problemet kanë nisur shumë herët. Dhe, kjo vetëm pse kisha një Ferrari. Te Reali isha 20-vjeçar, pasi kisha të holla e bleva këtë veturë, kurse njerëzit në Francë më fyenin”, ka thënë ai. “Unë nuk jam francez. Pikërisht për këtë, kategorikisht kam refuzuar të këndoj himnin e Francës dhe po të kishin insistuar, do të isha larguar menjëherë nga ekipi”.