Të hënën, një ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, qytetarët që besojnë në vlerat e demokracisë kanë shikuar drejt kodrës së Dragodanit. Atje gjendet zyra e ambasadorit amerikan Christopher Dell. Amerikanët në Kosovë madhërohen si të ishin Perëndi antike, sepse në vitin 1999 i kanë prirë bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, të cilat inicuan shkëputjen e Kosovës nga Serbia. Më 17 shkurt 2008 Kosova shpalli pavarësinë, e cila tashmë është njohur prej 72 shteteve. Edhe këto njohje, në pjesën më të madhe, janë meritë e SHBA-së. Diplomatë të Ëashingtonit kanë lobuar për Kosovën në shumë kryeqytete të botës. Ndikimi i ambasadorit amerikan në Prishtinë është pothuaj i pakufishëm. Vendimet e rëndësishme politikanët lokalë i marrin vetëm në pajtim me ambasadorin Dell. Edhe për këtë arsye Christopher Dell, i cili ka shërbyer në Zimbabve dhe Afganistan, në qarshinë e Prishtinës quhet Zeus.
Të dielën, kur në Kosovë tri vjet pas pavarësisë u zgjodh një parlament i ri, përfaqësuesi i SHBA-së qëndroi edhe në Drenicë. Atje, në trevën prejardhëse të kryeministrit të deritanishëm Hashim Thaçi, pjesëmarrja në zgjedhje kishte përmasa të Koresë së Veriut. Në fakt që nga dita e zgjedhjeve sa i përket demokracisë rajoni i Drenicës nga ana e politikanëve të papërgjegjshëm është shkëputur nga Kosova dhe si zonë e lirë e demokracisë perverse i është bashkuar Koresë së Veriut të Kim Jong-ilit. Manipulimi i votave tashmë është dokumentuar edhe me xhirime. Në to shihet një dorë kriminale duke plotësuar fletëvotime dhe duke përdhosur vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Ishte e vetëkuptueshme që prej atyre 90 për qind të votuesve që dolën në zgjedhje në dy komunat e Drenicës, në Skenderaj dhe Drenas, shumica absolute ia dha votën Partisë Demokratike të Kosovës. Rezultatet e para të prezantuara nga vëzhguesit janë kontestuar nga shumica e partive politike. Të hënën në mbrëmje edhe Ambasada e SHBA-së i ka denoncuar keqpërdorimet. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ishte aq joefikas, aq i papërgjegjshëm dhe aq neglizhent saqë fjeti me orë të tëra derisa ofroi të dhënat e para. Një diplomat perëndimor tha në kushte anonimiteti se manipulimet e votave në rajonin e Drenicës kishin „përmasa industriale“. Një përfaqësues i një shteti evropian deklaroi se „sistemi votëdhunues“ i partisë së kryeministrit Thaçi ishte i planifikuar me gjakftohtësi dashakeqëse për demokracinë ende të brishtë të këtij vendi.
Për të zhvendosur vëmendjen e opinionit nga vjedhja e votave PDK në acarin e mesnatës nxori në rrugë militantë zhurmaxhinj, të cilët në fakt me ceremoninë e tyre makabre po e festonin varrosjen e demokracisë në Kosovë. Sistemi i „zierjes së votave“ ishte në funksion jo vetëm në Drenas dhe Skenderaj. Në lokalitete të tjera u përdorën metoda të tjera si shpërndarje e mbushjeve për telefona mobil, premtime për punësim në postë dhe në KEK, zotime për asfaltim rrugësh etj. Çfarë pamë të dielën ishte demokracia sipas versionit të Hashim Thaçit.
Mediumet e blera nga qeveria e deritanishme, të gjithë tellallët dhe të gjithë inxhinierët e menaxhimit të votës për mullirin e PDK-së në ditët në vijim do të kontestojnë gjithçka. Do ta vizatojnë imazhin e zgjedhjeve më të mira në rajon, do ta portretizojnë Hashim Thaçin si babadimër që me zile në dorë është duke paralajmëruar kalimin e lehtë të kësaj shoqërie në parajsë. Por, asgjë s’mund ta legjitimojë këtë pseudofitore të PDK-së, sepse ajo buron nga një sistem industrial i keqpërdorimit. Nëse urgjentisht nuk anulohen rezultatet në të gjitha ato vendvotime, ku dyshimet për keqpërdorime janë aq të dukshme, jo vetëm në Drenas dhe Skenderaj, por edhe në Malishevë, Deçan e gjetiu, atëherë ky rezultat zgjedhor s’mund të prodhojë një qeveri legjitime.
Do të shohim në ditët në vijim se cili do të jetë potenciali koalicionbërës i Partisë Demokratike të Kosovës, të cilës i takon përgjegjësia kryesore për fëlliqjen e procesit zgjedhor. A do të jenë partitë e tjera të gatshme të futen në koalicion me partinë e sistemit industrial të manipulimit të votave? A do ta bëjë këtë Behgjet Pacolli, partia e të cilit – ndonëse në opozitë – ka qenë patericë në shërbim të interesave të kryeministrit Thaçi. Ditët në vijim, gjithashtu, do të shpalosin para Kosovës fenomenin e Shqipërisë votëshkelëse, asaj Shqipërie që askush që beson në demokraci nuk e ka për zemër. Do të shohim në javët në vijim nëse Ramush Haradinaj, pas kthimit nga Haga, do t’i hidhet në përqafim PDK-së së Hashim Thaçit ashtu siç iu hodh dhe s’iu nda asnjëherë Fatmir Sejdiu sa ishte president dhe kryetar i LDK-së. Sikur Gjykata Kushtetuese të mos ia prishte idilin, Sejdiu edhe sot do të ishte në një shtrat me trëndafila me Thaçin.
Do të shohim, gjithnjë e më shumë në muajt e ardhshëm, se edhe në Kosovë po rrënjoset sëmundja shqiptare e keqpërdorimit të votave. Kjo murtajë e ka kapluar ngaherë Shqipërinë, ku votat sigurohen me kallashnikov dhe armë të tjera ruse, në Maqedoninë perëndimore të banuar me shumicë shqiptare është ngjashëm. Tani edhe në Kosovë. A është demokracia për politikanët shqiptarë? Të dielën në Kosovë nuk kemi marrë përgjigje pozitive në këtë pyetje.