respublica.al
Në projektimin dhe administrimin e hidrocentraleve, përparësia numër një është gjithnjë siguria e digave. Ato zakonisht ndërtohen për të përballuar prurje të jashtëzakonshme, që mund të ndodhin një herë në 1000 vjet. Në historinë botërore njihen vetëm dy shembje katastrofike digash; ajo e digës Banqiao në Kinë, në vitin 1975, e cila shkaktoi rreth 170 mijë viktima, dhe ajo e digës Vajont në Itali, në vitin 1963, e cila shkaktoi rreth 2000 viktima. Fakti që nga mijëra diga hidrocentralesh në botë vetëm dy kanë pësuar shembje katastrofike tregon se projektimi dhe administrimi i tyre i është përmbajtur mirë kriterit të sigurisë.
Por siguria e hidrocentraleve nuk është qëllim në vetvete. Digat e hidrocentraleve ndërtohen që të prodhojnë energji elektrike dhe që të shmangin përmbytjet në rrjedhën e poshtme të lumenjve. Dhe problemi është se këta dy objektiva shpesh i kundërvihen njëri-tjetrit.
Në qoftë se përparësi i jepet objektivit të parë, liqenet duhet të mbushen sa më shumë dhe, kur niveli i tyre i afrohet pikës kritike të sigurisë së digave, të shkarkohen në mënyrë të sforcuar. Në këtë mënyrë maksimalizohet prodhimi i energjisë elektrike, por shkaktohen përmbytje në zonat poshtë digave.
Ndërsa kur përparësi i jepet shmangies së përmbytjeve, liqenet e hidrocentraleve zbrazen në mënyrë të vazhdueshme e graduale, në varësi të cikleve stinore të reshjeve. Por një regjim i tillë nuk maksimalizon prodhimin e energjisë elektrike, sepse kuotat e ujit në liqene nuk lejohen të arrijnë vlera maksimale.
Në botën e zhvilluar demokratike, ku qeveritë e ndjejnë përgjegjësinë e votës së dhënë nga qytetarët, balancimi i kujdesshëm i dy objektivave të sipërpërmendur ka bërë që të mos ndodhin përmbytje nga derdhja e ujit të liqeneve të hidrocentraleve. Duke gjykuar nga përmbytjet e shpeshta në Ultësirën e Shkodrës gjatë viteve të fundit, duket se ka ardhur koha që edhe qeveria shqiptare të tregojë një përgjegjësi të ngjashme me atë të simotrave të saj në renditjen e përparësive të KESH-it.
Për aq kohë sa Buna nuk është thelluar, argjinaturat nuk janë ngritur e sistemi i hidrovorëve nuk është përmirësuar, KESH-it i duhet përcaktuar si përparësi kontrolli i rrjedhjes së Drinit dhe jo prodhimi maksimal i energjisë elektrike nga kaskada e tij. Dhe ky ndryshim i përparësive do të kërkonte edhe një ndryshim të modelit ekonomik të sektorit energjitik në Shqipëri.
Sot KESH-i ka një detyrim kontraktor me OSSH-në për ta furnizuar me rreth 2/3 e energjisë që konsumon Shqipëria, në bazë të një çmimi fiks të paracaktuar nga ERE. Kur KESH-i prodhon më shumë energji se sa kaq, ia shet OSSH-së ose blerësve të tjerë të huaj me tendera të hapur. Në rast se KESH-i nuk prodhon dot aq sa ka detyrimin (për shembull, në një vit të thatë), detyrohet të importojë nga jashtë, po me tendera të hapur. Dhe kuptohet që KESH-istët janë të interesuar të bëjnë tendera si për eksport, ashtu edhe për import…
Në qoftë se i caktohet si përparësi kontrolli i rrjedhjes së Drinit, KESH-i nuk ka më pse të merret me tregtimin e energjisë. Të gjithë energjinë që prodhon, ai duhet t’ia transferojë OSSH-së me një çmim fiks, dhe kjo e fundit të merret me tregtimin e saj – si me shumicë edhe me pakicë. Në këtë mënyrë, në vite të lagështa, OSSH-ja do të ketë fatin të sigurojë nga KESH-i të gjithë energjinë që i nevojitet me një çmim fiks (pra, të realizojë fitime të mira) dhe në vite të thata, do t’i duhet të importojë një pjesë nga jashtë me çmime të kripura.
Modeli i sugjeruar më sipër nuk është ndonjë shpikje që do të provohet për herë të parë në Shqipëri. Në SHBA, për shembull, ka dy korporata të mëdha federale, Tennessee Valley Authority (TVA) dhe Bonneville Power Administration (BPA), të krijuara në vitet ’30 për të rregulluar rrjedhën e lumenjve dhe për të prodhuar energji elektrike. Të dyja këto korporata ua shesin energjinë kompanive private elektrike me çmim fiks që mbulon vetëm koston e prodhimit të saj.
Pikërisht për këtë arsye, disa libertarianë e kanë sfiduar në gjykatën e lartë amerikane kushtetueshmërinë e këtyre korporatave. Por gjykata ka vendosur se prodhimi i energjisë elektrike është një nënprodukt i rregullimit të rrjedhës së lumenjve, i cili, nga ana e tij, përbën një aktivitet kushtetues të një korporate federale.
Kuptohet që në Shqipëri nuk do të kujtohet kush të sfidojë në gjykatën kushtetuese një ndryshim të përparësive të KESH-it nga prodhim energjie në rregullim të rrjedhjes së lumenjve. Problemi këtu është nëse do të kujtohet qeveria që t’ia ndryshojë KESH-it përparësitë, përderisa zonat poshtë digave të rregullohen në mënyrë të tillë që të mos përmbyten dot nga derdhjet e sforcuara të hidrocentraleve…