Propagandë e jo luftë reale

20 Dhjetor 2010, 21:46Blog TEMA

Nga Alqi Kadenasi

Gjatë këtyre viteve duket se ka një përpjekje standarde një trend të veprimtarisë politike të partisë në pushtet. Ajo mbetet lufta virtuale, propagandistike ndaj korrupsionit. Të rikujtojmë se lufta reale ndaj korrupsionit ishte shtylla kurrizore e programit politik të qeverisë së PD kur ajo mori pushtetin.

Si kudo, edhe tek ne, partia që fiton zgjedhjet do të duhej të përqendrohej  gjatë qeverisjes tërësisht në realizimin e programit apo projekteve me të cilat ajo i  fitoi zgjedhjet.

E vërteta është se lufta ndaj korrupsionit e pasojave të tij nga ana e qeverisë aktuale, i ka ngjarë veprimit të atij bujkut të pakujdesshëm, që korr barin e keq që i ka mbuluar arën, por nuk e shkul atë nga rrënjët. Kalon pak kohë dhe gjendja është më keq se më parë. Bari i keq mbyt gjithçka.

Në kushtet kur efektet e realizimeve dhe mos realizimeve programore shprehen në trajtën e pasojës tek jeta e përditshme e  njerëzve, qeverisë nuk i mbetet shumë për të mashtruar lidhur me suksesin e luftës anti-korrupsion. Njerëzit e thjeshtë, e jo vetëm ata, përballen çdo ditë me kancerin e korrupsionit. Format e shfaqjes së tij janë  bërë nga më të çuditshmet dhe më të pabesueshmet. Ai nuk është më një shfaqje vulgare e kërkesë direkte për përfitime financiare. Mutacionet e tij e kanë shndërruar atë në kushtet e mbijetesës.

Pasuria dhe pasurimi i pushtetarëve dhe mungesa totale e transparencës në verifikimin e saj sot përbën fushën më të paeksploruar anti-korrupsion.

Shikoni se ç’ndodh me pasurinë e pushtetarëve që brenda pak vitesh, pse jo edhe muajsh, gdhihen vetë, gratë apo burrat, kunetërit e kunatat, pasunarë. Nuk ka institucion që e verifikon dhe e zbardh deri në fund, e me pasojat që do të duheshin të rridhnin. Vendosen herë- herë ca gjoba “anemike” dhe kaq. E vetmja forcë denoncuese deri tani, në tërë rastet, ka qenë media. Dhe kur ajo e “kalon kufirin”, shteti ia vendos asaj kufirin tek thana. Le të kujtojmë luftën e paprinciptë ndaj gazetës “Tema”, televizionit “Vizion +”, etj.

Ajo që është me të vërtetë e re në llumin korruptiv është se fenomeni, për fat të keq, po instalohet edhe në sektorin privat.  Kjo në tregtimin e produkteve ushqimore, farmaceutike, duhanit, karburanteve etj. Pasojat, përherë mbi njerëzit e thjeshtë.

Shembulli më i keq i përfitimeve abuzive në këtë sektor, po shfaqet kompania që menaxhon shpërndarjen e energjisë elektrike. Me bekimin e qeverisë anti-korrupsion, për këtë vit ajo nuk e rriti  çmimin, për t’ia lënë rritjen muajit qershor. Domosdo, një rezultat i marrëveshjes me qeverinë.

Çdokush do të pyeste se, ku është korrupsioni këtu?

E vërteta është se kompania në fjalë do të blejë me ndërhyrjen e qeverisë, energjinë nga KESH, me çmim më të ulët. Por, kush nuk e di që edhe këto para janë të shqiptarëve të varfër? Qeveritarët, kryeministri, na thonë se janë paratë e KESH-it. Po KESH, i kujt është? A nuk është pasuria e tërë shqiptarëve? E ndërsa do të kalojnë pak muaj dhe qershori do të sjellë pa diskutim pasojat e rritjes së pashmangshme të çmimit të energjisë.

Duket qartë se më e pakta që duhet thënë është se sëmundja e korrupsionit qeveritar “infektoi” edhe privatin, i cili vjedhjen në rrjet, po ia faturon me ndihmën e qeverisë popullit të thjeshtë.

Fenomeni i tretë në realizimin e programit qeveritar anti-korrupsion është instalimi i qartë dhe i dokumentuar i pandëshkueshmërisë. Kanë kaluar vite që nga marrja e pushtetit nga ana e PD, dhe pak ose aspak mund të kujtohen emra pushtetarësh të ndëshkuar për korrupsion. Si përherë betejën e nis media. Me vështirësi hyn në lojë prokuroria. E loja e vërtetë nis kur problemi hyn në korridoret e gjyqësorit. Por, a mundet që një i sëmurë me kancerin e korrupsionit të shërojë të tjerët? Gjithçka mbyllet përmes procedurave gjyqësore. Shembull tipik mbetet ai i Rrugës së Kombit. Qindra milionë të Rrugës së Kombit nuk dihet se ku janë. Por, dihet mirë se hetimet dhe gjyqësori “shkelën procedurat”. Gjithçka u mbyll dhe asgjë nuk ndodhi.

Mosrealizimet në sigurimin e të ardhurave  tatimore për vitin e shkuar financiar iu faturuan nga qeveria efekteve të jashtme të krizës. E vërteta është krejt ndryshe. Qeveria gjatë këtyre viteve nuk arriti të ndërtojë dhe bëjë efektiv sistemin e të ardhurave fiskale, që është i mbytur nga  tentakulat e korrupsionit. Në Amerikë thonë se dallimi në mes mospagimit të taksave dhe shmangies së tyre është vetëm trashësia e mureve të burgut. Por, kush mban mend që tek ne të jetë ndëshkuar ndonjë taksapagues i rëndësishëm për shmangie taksash?

Miqtë e partnerët tanë në mënyrë permanente i bëjnë thirrje qeverisë për rezultate reale në këtë luftë themelore për fatet e demokracisë. Por, duket se edhe kujdesi i tyre është i pavlefshëm. Veçse edhe në këtë rast ata përpiqen të na ndihmojnë.

Ka një dallim të madh mes qeverisë sonë dhe partnerëve tanë në qëndrimin e luftën ndaj korrupsionit. Partnerët tanë vetëm pak muaj më parë na lanë jashtë derës në kërkesën tonë për të fituar statusin e vendit kandidat për në BE, pikërisht sepse niveli i luftës ndaj korrupsionit ishte i pamjaftueshëm, virtual dhe deklarativ. Pra ata vepruan, nuk na falën.

E pra, qeveria jonë i ka duart e zëna. Ajo e ka të pamundur të veprojë për aq kohë sa vetëm merret me propagandë anti-korrupsion e jo me luftë reale ndaj tij.

Lini një Përgjigje