Skandali i vjedhjes masive të votës

20 Dhjetor 2010, 21:41Blog TEMA

Nga Shkelzen Maliqi

Vjedhja e votës së qytetarëve të Kosovës, që ishte regjistruar në përmasat më të vogla që nga viti 2007 dhe pati shënuar rritje edhe në zgjedhjet e vitit 2009, në zgjedhjet e 12 dhjetorit është evidentuar si një dukuri e pamohueshme dhe e dokumentuar. Dhe kjo për pasojë kishte që të merret vendimi për përsëritjen e zgjedhjeve më 9 janar në pesë komuna, në disa në tërësi dhe në disa pjesërisht. Në Skenderaj, Drenas, Deçan, Malishevë dhe Lipjan janë shënuar parregullsi të hatashme, sepse në kutitë e votimit janë futur mbi 30 mijë vota të manipuluara dhe ilegale, që e kanë devijuar jo vetëm votën në këto komuna, por kanë ndikuar edhe në totalin e votës së partive, për shkak se sistemi i votimit në Kosovë është njëzonal dhe çdo votë akumulohet në totalin e “korrjes” elektorale të partive.

Vetëm në këto komuna vota është devijuar për rreth 5 %, konkretisht rreth 4 % në favor të PDK’së dhe rreth 1 % në favor të koalicionit të AAK’së me Listën Ibrahim Rugova.

Këto 5 % të votës së devijuar disa i relativizojnë, duke thënë se në këto komuna, sidomos në tri të parat, PDK’ja dhe AAK’ja edhe ashtu kanë qenë favorite dhe fituese të parapaguara të zgjedhjeve, kështu që as rivotimi nuk do të ndryshojë gjë në renditjen e partive. Por, në fakt, ky 5 % shënon ndryshim të madh dhe vendimtar kur përkthehet në mandate të fituara në totalin e votës, sepse pesë mandate pa merita do t’i takonin PDK’së dhe koalicionit AAK-LIR, në dëm të partive tjera që nuk kanë pasur rekorde të tilla si PDK’ja dhe AAK’ja në bastionet e tyre (nuk i kam llogaritur mandatet shtesë që fitohen nga ato përqindjet e mbetura të partive që nuk e kanë kaluar pragun prej 5 %, ndoshta sepse vota e tyre është vjedhur!)

Por, me këto keqpërdorime të konstatuara dhe të ndëshkuara nuk përfundon tregimi i devijimit të votës. KQZ’ja ka publikuar në raportet e saj preliminare një shënim tjetër të rëndësishëm që manipulimin dhe devijimin e votës e bën të përmasave edhe më skandaloze. Është thënë se prej 780 mijë fletëvotimeve, sa ka qenë dalja në zgjedhjet e 12 dhjetorit, rreth 70 mijë janë shpallur të pavlefshme, që praktikisht përbënë 9 % të totalit të votës. Kjo shifër e gabimeve të votuesve është tepër e madhe dhe, praktikisht, e pajustifikueshme dhe mund të merret si një indikacion mjaft i sigurt se edhe në këtë segment duhet të kërkohet një tip tjetër i manipulimit masiv të votës, ku komisionerët që numërojnë votat, me marrëveshje ose sisteme të ndryshme të dëmtimit të fletëvotimeve, një pjesë të tyre, ku është votuar për parti tjera e të vogla, i bëjnë të pavlefshme!

Nëse supozohet se ndër ato 70 mijë vota të shpallura të pavlefshme, megjithatë ka të tilla që vërtet janë pasojë e edukatës së ulët të elektoratit, ngase nuk i kanë përvetësuar rregullat e votimit dhe të shenjësimit – le të jetë që të tillë të janë gjysma ose edhe 60 % – unë jam i bindur se të paktën 40 % të votave të anuluara janë rezultat i “manifakturës” së komisionarëve të korruptuar. Me këtë 40 % sërish nxirret një tjetër devijim i votës në shkallën që është dhe po kështu përbën 5-përqindëshin e totalit, në mos edhe më shumë. Dhe për këtë 5 % tjetër sigurisht se faji nuk duhet të adresohet vetëm në dy partitë që u përmendën më herët, por ka vend për dyshime që manipulime të këtij lloji janë bërë edhe në bastionet e partive të tjera, para së gjithash të LDK’së.

Për mundësinë reale të këtij manipulimi me votën e partive të vogla, dëshmi mund të jetë rezultati relativisht më i ulët i FER’it dhe Vetëvendosjes në tabelën preliminare të KQZ’së, në krahasim me disa anketa që janë bërë para zgjedhjeve, si dhe rezultatin e Exit Pollit, ky i fundit i realizuar nëpërmjet anketimit të votuesve në dalje nga vendvotimet. Në krahasim me këto anketa, FER’i dhe Vetëvendosja dalin të shkurtër të paktën për 5 %, sa edhe është supozimi i dëmtimeve të qëllimshme të fletëvotimeve me votën në favor të këtyre dy subjekteve të reja politike, që për herë të parë garuan në zgjedhje.

Vendimi i KQZ’së për rinumërimin e pjesshëm të votave ndoshta mund të zbulojë edhe përmasat e këtij manipulimi të dytë, por nuk kemi informata nëse ky rinumërim përfshin edhe kontrollin e fletëvotimeve të shpallura si të pavlefshme. Në të vërtetë, do të duhej të ekzistonte një mekanizëm i përhershëm i kontrollit të dyfishtë të votave që janë shpallur të pavlefshme, jo vetëm nga komisionarët që i numërojnë ato, por edhe nga një komision qendror, i cili do të mund të konstatonte nëse gabimi është “origjinal” i votuesit, apo është bërë nga personat e tjerë.

Sidoqoftë, indikacionet serioze, pjesërisht të dokumentuara, për devijimin e votës në shkallën prej të paktën 10 %, përbëjnë vërtet momentin tejet kritik që do ta sjellë në pyetje legjitimitetin e zgjedhjeve edhe pas riparimit të pjesshëm më 9 janar.

I gjithë sistemi dhe procesi zgjedhor duhet të reflektohet seriozisht prej çështjes së pastrimit të listave zgjedhore deri te procedurat e votimit dhe të numërimit dhe, çka është me rëndësi jetike, edhe të masave të ndëshkimit të manipulimeve të votës. Një pjesë e fajit për skandalin qëndron edhe në ngathtësinë e prokurorive që të ndjekin rastet e keqpërdorimeve të mëhershme të votës. Kësaj here kjo nuk duhet të ndodhë. Vetëm se as politikanët nuk mund të amnistohen nga përgjegjësia, sepse joefikasiteti i prokurorisë dhe gjyqeve kushtëzohet nga bllokadat dhe veprimet korruptive të politikanëve.

3 komente në “Skandali i vjedhjes masive të votës”

  1. musli says:

    po se pari ti je aj hajni qe dole me ate rezulltat fallc dhe e bane qysh ta ka marr mendja tye hajnaaa

  2. inf says:

    Si nuk i vjen turp burre i vjeter ngatarroi gjithe dynjane me ate Gani bobin e tij ose me mire ti themi shqip ,,, GANI GOPI I TIJ si nuk i vjen turp si ne shqiperi si ne Kosove te njejtat gafa beri mbasi e pagujti sander mafishja sander FRANGAJ me miliona kesh mani ne dore filloi ti fusi mish dhije muhabetit e nxorri partine pd ne krye me 95 deputete ku njeri i shitur per para te njejten gje beri dhe ne kosove po me anen e sanderr FARNGAJT po te njejtat spekullime qe ky duhet te thirret per perçarje KOMBETARE DHE PANIK ku ndihmon dhe mbeshtet vjedhjet me ane sondazhi .
    Ik shkelzen Maliqi ik se ti ka hongerr DHIJA librat ty ti je nji Mashtrus me pagese dhe nuk do i shpetosh dot drejtesise si e kosove dhe shqiperi ik RRUJ LOPET SE I KE SHIT DRUTE O XEN ti tani punon me ligjin e MALIQIT dhe per ket do ndeshkohesh burre pa pik yndyre je ti ti je nji klysh i sal frangajt ku perdor GANI GOPIN TEND per MASHTRIM..pik.

  3. kastrioti says:

    Fatkeqesi e madhe ! Te importosh nga vendi ame aspektet me te keqija, shpresoj se do te behet korigjimi i plote i problemit.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje