Së shpejti zgjedhje të reja?

18 Dhjetor 2010, 20:44Blog TEMA

Nga Adriatik Kelmendi

Hashim Thaçi gjithsesi do të përpiqet që t’ia mbushë mendjen AAK-së t’i bashkohet në një koalicion, ku do të ishte edhe AKR-ja dhe minoritetet. Por nëse, megjithatë, AAK-ja do ta ruajë qëndrimin mohues deri në fund, Thaçit i mbeten dy zgjidhje: ose të bëjë koalicion të brishtë me AKR-në e minoritetet dhe javëve në vazhdim të shikojë “të blejë” edhe ndonjë deputet nga opozita, ose t’i hapë rrugë një qeverie të partive të tjera dhe të mbetet në opozitë, gjë që është shumë pak e mundshme për shumë arsye. E në qoftë se përfundimisht përqindjet e fituara në zgjedhje mbesin këto që janë dhe qëndrimet e partive mbesin këto që janë deklaruar, nuk është larg mendsh që së shpejti të kemi – zgjedhje të reja

E KA THËNË edhe KQZ-ja zyrtarisht – në zgjedhje ka pasur parregullsi. Këto parregullsi do të trajtohen dhe pritet të ndikojnë në rezultatin përfundimtar të certifikuar nga KQZ-ja për zgjedhjet e 12 dhjetorit.

Kështu që do të mund të ketë edhe ndryshime të përqindjeve të subjekteve politike garuese, të cilat megjithatë nuk do të kenë ndikim në renditjen e tashme të tyre nga e para te e fundit. E derisa kjo të ndodhë, mbase mund të bëhen disa analiza aritmetike dhe përmbajtjesore të rezultatit të zgjedhjeve, gjithnjë duke lënë të hapur mundësinë e ndryshimeve në margjinën plus minus dy-tre për qind.

LDK-ja dhe “Vetëvendosje”, strategji nga opozita

PDK-ja do ta ketë më të vështirë se herën e kaluar për ta formuar kabinetin qeveritar. Me 36 deputetë në Kuvend (duke ua shtuar këtu edhe votat e shpërndara nga partitë që nuk e kalojnë pragun), PDK-së do t’i duhen edhe minimum 25 deputetë për të formuar një qeveri. Këtu menjëherë do të mund të përjashtonim LDK-në me 26 deputetë dhe “Vetëvendosjen” me 13. Mbeten 11 deputetë të AAK-së dhe 7 të koalicionit rreth AKR-së, plus 27 deputetë nga minoritetet.

Është mjaft e kuptueshme se LDK-ja dhe lëvizja “Vetëvendosje” nuk kanë shumë për të humbur në qoftë se nuk hyjnë në qeveri, gjë që s’mund të thuhet shumë bindshëm edhe për dy partitë e tjera.

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, sapo e ka marrë në dorë udhëheqjen e partisë, dhe mosarritjen për të formuar qeverinë, do ta përdorë edhe si një hapësirë për të punuar në reformat e brendshme. Bazuar në premtimin se reformimi do të ketë për bazë edhe rezultatin e secilit kandidat veç e veç në zgjedhjet nacionale, puna e tij vetëm sa do të thjeshtësohet. Kurse LDK-ja për herë të parë në historinë e saj nuk do të ketë nevojë më që të luajë me ambiguitetin e të qenit pushtet dhe opozitë në të njëjtën kohë, sa herë që për këtë e kërkon situata, fakt ky që ka ndikuar edhe në kritika për dyfytyrësi. Kështu që, si kryetar i Prishtinës, që për nga fuqia mund të konsiderohet si posti i tretë më i rëndësishëm në shtet, Mustafa e ka të lehtë ta zgjedhë qëndrimin në opozitë parlamentare për të qëndisur me nge LDK-në dhe për t’u imponuar në opozitë serioze në zgjedhjet e ardhshme.

Pak a shumë situatën të njëjtë e gjejmë edhe te “Vetëvendosja”, e cila me të drejtë mund të quhet fituesja më e madhe në këto zgjedhje. Me 13 deputetë, VV del partia e tretë në Kosovë dhe do ta shfrytëzojë praninë tash edhe institucionale për të bërë opozitë të fortë, e cila sërish do të jetë e drejtuar në përfitimin e elektoratit kritik ndaj të gjitha qeverive dhe deputetëve të deritashëm. Pozita e tyre vetëm sa do të përforcohet për shkak të pakënaqësive që pritet të sjellin bisedimet e paralajmëruara me Serbinë, gjë që do t’u servohet si një penallti para portës me portier të lënduar për të shënuar gola të njëpasnjëshëm, pasi që VV do të kritikojë të gjitha subjektet e përfaqësuara më herët në Kuvend, se kanë gisht në sjelljen e Kosovës në situatën kur do të duhej bërë edhe koncesione të reja ndaj Beogradit. Në këtë frymë, VV do të preferojë më tepër mbledhjen e votave një për një gjatë qëndrimit në opozitë, në të njëjtën kohë që do të shfrytëzojnë për konsolidim e profilizim të brendshëm dhe projektim të rritjes në zgjedhjet tjera.

Dilemat hamletiane të AAK-së dhe AKR-së

SIDOQOFTË, ZHGËNJIMIN më të madh me rezultatin zgjedhor e kanë AAK-ja dhe AKR-ja, pasi që ai u ka imponuar edhe reflektime të thella të brendshme, se çka do të mund të bëjnë tash e tutje për partitë. Goditja më e rëndë mund të quhet ajo për AAK-në, e cila detyrohet t’ia pranojë vetes se edhe pas 10 vjetësh të themelimit e ka të vështirë të kalojë 10-11- përqindëshin në zgjedhje nacionale. Plus, që kësaj radhe kjo përqindje mund të quhet edhe më e vogël se 10-përqindëshi i zgjedhjeve të kaluara, për shkak se tash në listën e AAK-së ka pasur edhe shumë kandidatë që i takojnë ose u kanë takuar partive të tjera deri një javë para dorëzimit të listës. E nëse vetëm 3 prej këtyre do të arrijnë të marrin nga një ulëse në Kuvend, kjo i bie se “AAK-ja e vërtetë” do të ketë vetëm 8 deputetë të saj (por natyrisht për këtë mund të flitet me siguri vetëm pas certifikimit të rezultatit). E dorën në zemër, AAK-ja nuk ka lënë, si thonë, gurë pa lëvizur për të siguruar qoftë edhe një votë më tepër në zgjedhje. Kjo situatë natyrshëm do të shkaktojë nervozizëm dhe frustrim në radhët e anëtarëve të vjetër të partisë, të cilët do të përballen pashmangshëm me pyetjen personale: a ia vlen të vazhdohet edhe më tej? Shto këtu edhe frustrimin me mungesën e liderit Haradinaj, partia do ta gjejë veten në udhëkryqin më të madh të ekzistimit të saj: të qëndrohet në opozitë dhe të rrezikohet edhe shkapërderdhja e anëtarësisë së lodhur, apo të hyhet në qeveri për të ruajtur strukturat e rikonsoliduara? Dilema do të jetë vërtet hamletiane, pasi që AAK-ja deri më tash ka qenë më e zëshmja në akuzat ndaj PDK-së dhe ka mohuar kategorikisht mundësinë e koalicionimit.

Gjendja nuk del hiç më e mirë as për AKR-në. Aq më keq, “AKR-ja e vërtetë” mund të përfundojë me vetëm 3-4 deputetë të saj në Kuvend, pasi që ulëset e tjera mund të shkojnë për Aganin, Çekun, Mustafën e ndonjë tjetër. Ky mund të jetë edhe alarmi i fundit se në zgjedhjet e ardhme, me trendin e rënieve në vazhdimësi e me gjithë përpjekjet për rritjen e cilësisë në listë – mund ta kërcënojë fati i LDD-së. Së këndejmi situata është e qartë: në qeveri, ose heqje dorë nga gara politike.

Qeveria “Thaçi 2”, një mision i vështirë

MIRËPO, SËRISH PËR PDK-në fotografia përpara nuk do të jetë ajo e autostradave të drejta, por e rrugëve me plot dredha. Për këtë arsye Hashim Thaçi do të bëjë çfarë të mundet për të grishur AAK-në, që bashkë edhe me AKR-në dhe minoritetet të formojnë qeverinë e re. Koalicioni vetëm PDK+AKR+minoritet (ku as të gjithë deputetët minoritarë nuk do të mund të gjenden në një qeveri, për shkak të dallimeve që kanë) mund të jetë shumë i rrezikshëm, pasi që do të sigurojë një qeveri të brishtë, e cila mund ta humbë shumicën në Kuvend me tërheqjen e vetëm disa deputetëve nga cilado parti. Për t’i ikur situatës që tashmë e ka parë t’i ndodhë brenda natës me LDK-në me lënien e çelësave të qeverisë në shkarkim në dorë, Thaçi do të dëshirojë të bëjë gjumë të qetë, duke pasur më shumë se një parti shqiptare në koalicion dhe numra të mjaftueshëm për të kontrolluar Kuvendin. Shumë koshient se edhe një mocion votëbesimi do të mund të ishte fatal për karrierën e tij politike. Por, si t’ia bëhet kur, për shkak të qëndrimeve të personave të caktuar brenda AAK-së dhe AKR-së, edhe nëse krerët e këtyre dy partive do të nënshkruajnë marrëveshje koalicioni me PDK-në, nuk do të mund të garantojnë se nuk do të ketë rebelime të deputetëve të vet. Kjo nënkupton edhe një bombë me sahat për Thaçin. E në qoftë se, megjithatë, AAK-ja do ta mbajë fjalën deri në fund për të mos bërë koalicion me PDK-në, Thaçit i mbeten dy zgjidhje: ose të bëjë koalicion të brishtë me AKR-në e minoritetet dhe javëve në vazhdim të shikojë “të blejë” edhe ndonjë deputet nga opozita, ose t’i hapë rrugë një qeverie të partive të tjera dhe të mbetet në opozitë, gjë që është shumë pak e mundshme për shumë arsye që këtu nuk ka hapësirë të elaborohen.

Sidoqoftë, në qoftë se përqindjet e fituara mbesin këto që janë dhe qëndrimet e partive mbesin këto që janë deklaruar, nuk është larg mendsh që së shpejti të kemi – zgjedhje të reja.

1 komente në “Së shpejti zgjedhje të reja?”

  1. shukri says:

    per mendimin tim hashim thaqi ika provoku ministrat e ldk se mepaska ma isinqert sod apet kishin me formu qeverin pakurrfr problemi ejo tash me begjeta me minoritete me hagji mergja
    mazama keq per kosoven pojan met tri heret shkoj pak plaki se nuk jish gjendja kshtu

Comments are closed.

Lini një Përgjigje