Me rastin e përvjetorit të lëvizjes studentore të dhjetorit 1990 është hapur një diskutim – më shumë nëpërmjet internetit sesa në mediat elektronike e të shkruara, – që ve në diskutim çështjen nëse lëvizja studentore lindi spontanisht apo ishte një lëvizje e manipuluar apo instrumentalizuar nga të tjerë. Më tërhoqi vëmendjen artikulli i Shinasi Ramës, një ndër protagonistët e asaj lëvizjeje, i cili zhvillonte idenë se lëvizja studentore u manipulua dhe u stimulua nga regjimi i cili kishte dëshpërimisht nevojë për ndryshime (sipas gjithë të dhënave pasi nuk mund të mbijetonte më ekonomikisht) e, meqënëse nuk pati shumë sukses me intelektualët pseudodisidentë të takimit me Ramis Alinë, të cilët ishin shumë të trembur, vuri në lëvizje studentët. Por artikulli nuk kishte ndonjë dokument apo dëshmi të re të zbuluar, ishte thjesht një opinion mbështetur në kujtimet e autorit, ashtu sikurse ishin të tilla edhe përgjigjet e atyre që i mëshonin mitit tashmë të krijuar mbi atë lëvizje si një nga momentet e lavdishme të rinisë studentore shqiptare.
Për historinë thuhet se nuk është shkencë ekzakte që shkruhet në mënyrë objektive pasi gjithmonë në të ka një aspekt subjektiv; se atë e shkruajnë fitimtarët e se, se po ta shkruanin luanët e jo gjahtarët e tyre, do të ishte ndryshe. E megjithatë, ekzistojnë disa të vërteta që nuk mund t’i mohojnë asesi historianët. Janë ato që mund të quhen të vërteta faktike, që provohen me dokumente apo me dëshmitarë ngjarjeje të cilat sigurisht mund të kenë interpretimet e tyre, por që gjithsesi janë fakte. Ndërkaq ne, sikurse e kam thënë edhe herë tjetër, nuk jemi në fazën e shkrimit të historisë lidhur me këtë epokë të afërt, (e jo vetëm) por në atë të memuaristikës, e cila është shumë më subjektive, shumë më e ngarkuar me emocionet e të sotmes, pasi ajo është pjesë e jetës së të sotmes, e manipulimeve, politizimeve, interesave të caktuara të individëve apo të grupve të ndryshme, që e tregojnë apo mbajnë mend ndryshe të njëjtën ngjarje. Madje që edhe i mbitheksojnë apo i fshehin disa fake.
Personalisht kam qenë në burg ato kohë dhe nuk mund të them asgjë lidhur me atë nëse dritat në konviktet e studentëve në atë dhjetor u fikën nga dikush në mënyrë që të fillonte instrumentalizimi (një pjesë thonë nga pushteti, por ka edhe që thonë nga të huajt) apo ndodhi që u fikën vetë për t’u bërë kësisoj pika që derdhi kupën e revoltimit të studentëve tanë. Pa dyshim i kam dëgjuar më pas të dy versionet dhe kam pikëpyetjet e mia. Mungesa e dëshmive të sinqerta të gjahtarëve të asaj kohe e vështirëson këtë punë. Kësisoj, sot për sot mund të them se mbetem në dyshim, por, në rrekjen për t’u dhënë përgjigje këtyre pikëpyetjeve, gjykoj se është e arsyeshme të ngrihet edhe kjo pyetje: A mund ta kërkojmë të vërtetën e një ngjarjeje të së kaluarës, të cilën nuk e kemi jetuar, duke u nisur nga ajo që shohim të kenë bërë më pas protagonistët e saj; apo kjo mund të na çojë në përfundime të gabuara pasi një akt i mëparshëm dhe një akt i mëvonshëm i një njeriu apo grupi njerëzish nuk mund të jenë shprehje e të njëjtit thelb, pasi edhe vetë ata mund të ndryshojnë? Për shembull: a mund të gjykojmë se çfarë kanë qenë e si janë motivuar komunistët gjatë luftës Nac-Çlirimtare duke u nisur nga diktatura që ndërtuan më pas? Ose, le të vijmë pak më pranë dilemave që ngre një ngjarje si ajo e studentëve. Ne kemi një numër personazhesh nga ata që kanë inspiruar apo drejtuar lëvizjen studentore të cilët janë debatur mjaft lidhur me të kaluarën e tyre në periudhën komuniste. Është debatuar shumë psh. për Kadarenë – i cili thuhet se me ikjen e tij e përshpejtoi lëvizjen studentore në vitin 90 – nëse ka qenë apo jo kundërshtar i regjimit. Pyetja që po shtroj është: a mund të gjykojmë nga fakti se si është sjellur ky në këta njëzet vjet tranzicion në raport me të pushtetshmit e pas komunizmit, si Sali Berisha, Fatos Nano, Ilir Meta apo Edi Rama, për të thënë nëse ka qenë apo jo disident në kohën e Hoxhës e për të nxjerrë natyrën e ikjes së tij në Francë? E njëjta pyetje mund të shtrohet për Sali Berishën. A mund të gjykojmë nga sjelljet e Sali Berishës në pushtetin pas komunist për atë nëse ky ka qenë komunist i moderuar liberal, siç deklaroi edhe disa ditë më parë, apo nga ata që në vitet ‘70 grisnin pantallonat e studentëve siç e akuzojnë të tjerë, për të kuptuar, kësisoj, edhe bashkimin e tij me studentët më 1990? Po Edi Ramën, a mund ta gjykomë nga sjelljet e tij të mëpasshme ndaj ish kryeministrave që e kanë pasur në vartësi për të thënë nëse ka qenë një njeri që i vardisej bllokut për t’u ngjitur lart, siç thonë disa, apo një rebel brenda familjes komuniste siç thonë të tjerë, që të kuptojmë më mirë edhe angazhimin e tij në atë kohë?
Duke e ekstrapoluar pyetjen nga individi tek grupi ajo mund të shtrohet kështu: a mund të gjykojmë nëse lëvizja studentore ishte spontane apo e manipuluar duke u nisur nga ajo që pamë të bëjnë më pas shumë nga protagonistët e saj, madje në këtë rast edhe duke parë se si sillen studentët e sotëm?
Më duhet të them se ky refleksion nuk më lindi thjesht duke ndjekur debatet mbi lëvizjen studentore të 90-tës, por edhe duke parë studentët londinezë që i vunë flakën Londrës gjatë protestave të fundit kundër rritjes së kostos së studimit. Pyetja që më lindi duke parë ata që herë pas here i shoh të veprojnë kështu ishte: a mund të ndodhë që një traditë studentore e zjarrtë të shuhet pa lënë gjurmë, aq sa sot nuk i shkon ndërmend kujt se studentët tanë mund të bëhen protagonitë ndryshimi në këtë vendin tonë? Dhe kërkimi i përgjigjes së kësaj pyetjeje afërmendsh nuk mund të mos më çonte tek ideja se ajo lëvizje ka qenë e manipuluar nga të tjerë. Por deri në një farë pika ama, se po të ishte se studentët mund të manipulohen sa herë t’ua dojë qejfi manipulatorëve atëhere do të kishim edhe sot greva urie studentësh.
E vërteta pra është komplekse. Njerëzit në zgjedhjet e tyre mund të kryejnë akte të mira ose të këqija, ata janë akti i tyre në momentin e dhënë, nuk se kanë një thelb të tyrin të keq apo të mirë – thonë ekzistencialistët. E vërtetë. Por është po ashtu e vërtetë se shpesh këto zgjedhje nuk janë të lira, por të kushtëzuara apo determinuara nga një ambjent ku jetojmë, nga një kulturë me të cilën jemi rritur e formuar gjithashtu – do të kundërpërgjigjeshin strukturalistët.
E vërtetë edhe kjo. Nuk e mohojmë dot se shumë zgjedhje që bëjmë në jetë janë produkt i një presioni të opinionit apo të kodeve morale me të cilët jemi edukuar. Tek e fundit edhe historinë për këtë duam ta njohim që të mund të kuptojmë më mirë këta kode e këtë kulturë që na ka drejtuar e ndoshta vazhdon të na drejtojë për mirë a për keq.
Nuk po shtyhem më tej në filozofimin mbi këtë kundërthëne. Me dy fjalë, ashtu sikurse gjykoj sot me këtë mendjen time, që më thotë se vërteta nuk është kurrë e thjeshtë dhe as e pastër (Oscar Wilde), e që pa dyshim, ka limitet e veta të njohjes, më rezulton se kundërthënia midis njeriut të lirë për të zgjedhur dhe njeriut të kushtëzuar nga ambjenti e kultura kur zgjedh e vepron nuk zgjidhet, por jetohet ashtu sikurse edhe ajo midis njeriut si qënie individuale dhe njeriut si qënie sociale. Vetëm duke e jetuar, jo duke e zgjidhur këtë kontradiktë, mund të jemi më afër asaj që quhet liri, kurse, nëse tentojmë ta zgjidhim duke vendosur për njërën apo për tjetrën mund ta humbasim lirinë tonë. Me fjalë të tjera, ajo çka mund të bëjmë sot mund të jetë rezultat i një personaliteti të formuar në një ambjent dhe kulturë të dhënë, çka mund të quhet një thelb i krijuar i yni gjatë jetës, por mund të jetë edhe akt rebelimi ndaj këtij ambjenti dhe asaj kulture, çka tregon se ky thelb nuk është i gjithpushtetshëm dhe se ne dijmë ta distancojmë veten tonë prej tij. E kjo aftësia për t’u distancuar nga pushteti i një kulture të dhënë në një kohë të dhënë, për ta parë atë me sy kritik, edhe për ta mohuar, bëhet edhe ajo kulturë që zhvillohet përditë duke u ndare me te tjeret e duke na e rritur gjithnjë e më shumë lirinë si individe për ta ndryshuar ate vete neser dmth. edhe boten.
E çfarë mund të themi për studentët tanë të djeshëm dhe të sotëm pas gjithë kësaj? Se kjo kulturë ne na ka munguar shumë e vazhdon të na mungojë. Sjelljet e mëvonshme të studentëve të dhjetorit 90 dhe ato të pasardhësve të tyre më bëjnë të mendoj më shumë se ata kanë qenë të manipuluar me teknikat e kulturës së vjetër sipas së cilës rinia është levë e partisë, çka do të thotë se nuk kanë qenë të lirë e autonomë në zgjedhjen e tyre në kuptimin që i dhashë më sipër lirisë. Fakti që edhe lëvizje të mëvonëshme rinore si Mjafti psh. u iniciuan nga të huaj dhe u instrumentalizuan nga partia e të rriturve, tregon për mbizotërimin e kësaj kulture të vjetër që determinon veprimet e rinisë sonë. Që të kemi lëvizje studentore autonome, të painstrumentalizuar nga një autoritet superior ne na duhen shembuj individësh apo grupe individësh që të jenë të aftë që me vullnetin e tyre të lirë të sfidojnë kulturën e vjetër që i kushtëzon të mbeten leva të partisë e po ndodhi kjo këta do të çelin nesër kapituj të rinj në kulturën tonë që do t’ua lenë trashëgim brezave më të rinj në mënyrë që edhe shoqëria jonë të fillojë të shpresojë tek rinia.
Comments are closed.
Kur Kola nuk ka punë, tund dorezën e portës.
Po Fatosi çfar bën kur i sosin shpifjet për Edi Ramën?
Po ja; bën ndonjë shkrim si ky i sotmi e filozofon me ” sikur” e me “nëse”.
E lexova, me shpresën për të gjetur pak vërtetësi e shpresë, por u trishtova se gjeta vetëm llafe të tjerrura tërkuzë.
Pyeta dhe u përgjigja vetë:
Ku ishe o Fatos?
Asgjëkundi.
Ç’bëre?
Një vërrë në ujë.
Per te vazhduar me tej rrjedhen e mendimit te z. Lubonja , dua te sqaroj se koha ne te cilen u krye levizja studentore nuk perfaqesonte kulmin e pjekjes se situates antipushtet , por nje gjendje reagimi ne nivelin e bisedave dyshe si studente pa besuar tek i treti dmth mungonte organizimi ne celula te vogla nqs do te kishte organizatore. Une vete kam qene student ne ate kohe dhe kam mbaruar ne “90me reagime shoqerore ne biseda konfidenciale anti- sistem ( anti – socializem) dhe kjo qe deshmoj eshte absolutisht e vertete. Reagimi studentor kur fikeshin dritat ka qene i perhershem per shkak te kerkeses shkollore studentore dhe me ndonje reagim dufi kunder pushtetareve apo regjimit vetem midis shokesh te besueshem. Kalimi i reagimit studentor ne levizje brenda nje nate dhe pa ushtrim presioni policor qe ne celjen e levizjes nga regjimi duke e lene ate te lire ne trajektoren e vet ne zhvillimet e mepasme , eshte nje fakt i pakundershtueshem qe kjo levizje kishte organizuesit e fshehte te regjimit , te cilet pergatisnin kalimin e bute te pushtetit dhe regjimit pasi kishin marre garancite ne superfuqine apo fuqite perendimore per mos perndjekjen e tyre.Dihet qarte se organizimi policor ne rastet e tubimeve masive , eshte t’i godase ato qe ne celule. Eshte e pamunduir te kalohet nga nje regjim ne tjetrin pa derdhur gjak , ku pushtetaret komuniste ishin dhe jane shume te bindur per ate qe benin ndoshta dhe per idealizmin e tyre personal. Nderrimi i sistemeve si ai socialist ne emer dhe ai kapital perfaqeson perfaqeson ndryshime rrenjesore ne gjithcka qysh nga ideologjia e tyre , menyra se si i marrin dhe shperndajne te ardhurat menyra se si qeverisen , liria e fjales e shume e shume te tjera . Pra si mund te behej ky ndryshim kaq i bute kur studentet perfaqesues kalonin ne biseda te buta me ish -pushtetaret dhe kur me pare gjendja e reagimit te tyre per te rrezuar nje pushtet ishte thuajse e pergjumur. Ish te perndjekurit qe ishin liruar ne ate kohe , qendruan te terhequr pasi mund te kishte ndodhur dhe ndonje tragjedi si ne Kine , pasi pushteti ishte ende i fuqishem . Pra situata ende nuk ishte ndezur .
Per bindjen time personale , te gjithe titullaret , me ndonje perjashtim te vogel ne minorance , te cilet koha e pushtetit te sotem i ka nxjerre nga loja, kane qene figura te parapercaktuara per te kryer tranzicionin e mundimshem me qellime te pastra kunder ish klasave te permbysura , pasi ata nuk do te kishin kurre garanci nqs ata do te vinin ne pushtet. Por dhe kjo levizje eshte manipuluar me tej duke dashur te krijojne klasen e re kapitale me njerez qe vine nga bijte e niveleve te larta te ish pushtetit komunist apo komuniste servile teper te bindur , te cilet duke marre frenat e ekonomise ne dore do te percaktojne me tej dhe politiken. Po te shohim tek te dyja partite kryesore , ka vetem ushtrim ideologjie per demokraci dhe jo perballje te ashper apo me tej kesaj me pushtataret abuzues ne te gjitha drejtimet e ushtrimit te pushtetit. Eshte valle kjo gjendje nje idealizem qofte dhe minimal i ketyre pushtetareve qe dolen gjoja per te nderruar sistemet dhe sot na shesin perralla me protagonizmin e tyre. Thuhet se sado qe te ndryshoje dikush nuk mund te dale dot jashte karakterit ; dmth sado qe te ndryshonte individi pushtetmarres ne keto 20 vite , nqs do te kishte dhe nje fije idealizem ne vetvete per te ndryshuar pushtetet do te kishte tjeter sjellje ne pushtet dhe tjeter rezultat. Po ku jane studentet e dhjetorit dhe a u perkrahen ata nga qeverite e tranzicionit ? Nuk shoh asnje mbetje te tyre ne perfaqesi pushteti , perkundrazi ata nuk u aktivizuan ne pushtet , u anashkaluan duke i lene ne nivelet me te uleta te organizimit dhe disa ose u perndoqen ose u vrane duke e manipuluar ne favorin te tyre pushtatar , gjakun e mepasem studentor. Pra gjendja e tyre e pergjumur kunder pushtetit u manipulua , i organizuan perkohesisht dhe me tej i lane ne harrese apo dhe me keq. Nqs studentet do te perfaqesonin gjendjen e ndezur te situates nuk do te guxonte kurre Sali Berisha me kompani te luante ne kete menyre kaq te turpshme me ta , pasi do ta paguante keq ashtu sic duhej ta pesonin vrasesit e pushtetit te meparshem.