Kosova konspirative

18 Dhjetor 2010, 21:47Blog TEMA

Nga Bardh Frangu

Në këtë gjendje të frustrimit politik, të cilën e kisha parashikuar po në këtë faqe ditën e heshtjes zgjedhore, deklarata më ngushëlluese dhe politikisht më përmbajtjesore doli të ishte ajo që e dha për BBC-në ushtruesi i detyrës së Presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Vërtet në Kosovë ka shumë konspiracion. Shoqëria shqiptare është e ngulfatur nga prodhimi masiv i konspiracionit jo vetëm nga partitë politike, por edhe nga shoqëria civile, ku bën pjesë edhe media. Në këtë situatë të tillë nuk mund të bëjmë fjalë për një shoqëri të hapur, brenda së cilës do të funksiononte si duhet demokracia.

Nëse vlerësojmë se deklarata e Krasniqit ishte e nevojshme për momentin që po e kalojmë, njësoj e nevojshme dhe shumë e dobishme ishte edhe deklarata e Nënkryetarit të LDD-së, Naser Rugova, i cili i pari nga humbësit pranoi rezultatin zgjedhor. Humbësit e tjerë, përfshirë këtu edhe liderin e LDK-së, i cili sikur mori dozë të tepruar guximi nga lëvizja “Vetëvendosje”, i bënë një shërbim të keq çështjes së Kosovës dhe momentit që po e jeton kjo krijesë e re prej shteti ende të panjohura sa duhet ndërkombëtarisht.

Atyre me moral të dyfishtë dhe atyre pa moral fare, më duhet t’ua kujtoj se në Kosovë janë të identifikueshme tri kategori shoqërore: ata që kanë dhënë shumë për Kosovën dhe nuk kanë fituar gjë nga ajo, ata që gjithçka kanë fituar nga Kosova e nuk i kanë dhënë gjë dhe ata që i kanë dhënë gjithçka Kosovës dhe njëkohësisht i kanë marrë gjithçka. Kjo është bërë e identifikueshme edhe nëpërmjet votave që u gjendën në kutitë e këtyre zgjedhjeve. Pra befasi nuk kishte. Për më tepër u konfirmuan prognozat nga sondazhet e ndryshme që u bënë para zgjedhjeve.

Sigurisht që leksione demokracie janë të paguar të na mbajnë ata që shfrytëzojnë donacionet ndërkombëtare, por nga kjo e drejtë nuk mund të privohemi edhe ne të tjerët. Demokracia është procedurë. Si e tillë është e zorshme, sepse kërkon respektimin e ligjit, rregullave dhe kodeve etike për të cilat merren vesh grupet e organizuara politike dhe ato të shoqërisë civile. Zgjedhjet janë procesi më i rëndësishëm i demokracisë dhe si i tillë rasti më i mirë për të parë si dhe sa çmohen këto procedura. Kutia zgjedhore ku arkivohet vullneti i popullit nuk është dëshmi e mjaftueshme për ekzistimin e demokracisë. Demokracia nënkupton një proces shumë më të ndërlikuar, i cili nuk është pa ndikim në aspekte të ndryshme shoqërore dhe në kulturën politike të qytetarëve të një vendi, gjë kjo e cila nuk do të thotë se varet nga forma e pushtetit. Në rastin tonë kjo gjë është bërë shumë e dukshme. Qytetarët kanë dëshmuar një kulturë demokratike në kuadër të procesit zgjedhor, por të kundërtën e saj e kanë dëshmuar zyrtarët, përkatësisht mekanizmat përgjegjës për mbarëvajtjen e këtij procesi.

Demokracia për zhvillimin e saj kërkon qytetarë normalë, të cilët do të merrnin pjesë aktive në procesin e saj, e jo qytetarë të verbëruar nga konspiracioni. Shumë kohë përpara e kam thënë në një rast kategoria e qytetarëve normalë tek ne mungon. Ne ende përpëlitemi mes konceptit të shqiptarëve të mëdhenj që flasin në emër të kombit dhe shtetit dhe shqiptarëve të vegjël, të organizuar kryesisht brenda shoqërisë civile, të cilët flasin në emër të një demokracie liberale që mungon. Që të dy këto kategori moralizojnë në emër të qytetarëve, duke keqpërdorur fondet kombëtare dhe ndërkombëtare. Këtu nuk është fare me rëndësi cilët janë abuzuesit më të mëdhenj. E rëndësishme është që asnjëra palë nuk njeh institucionin e përgjegjësisë, por vetëm të privilegjeve.

Konsideroj se përkundër të gjithave në këto zgjedhje pati një kualitet të ri dhe një proces më veprues drejt zhvillimit të demokracisë. Qytetarët ndëshkuan partinë dhe liderin e LDD-së, akademik Dacin, i cili nga gjykata u cilësua si keqpërdorues me letra. Tjetër gjë është pse ne kemi një sistem drejtësie jofunksional dhe të politizuar skajshmërisht, i cili nuk ka rritur numrin e atyre si Daci. Në anën tjetër, në emër të një morali politik qytetarët deleguan sasi të konsiderushme vullneti tek lëvizja “Vetëvendosje!” Kualitet të ri duhet vlerësuar edhe rivotimin në komunat e caktuara të Kosovës, sikundër dhe denoncimet për ata që deformuan në shkallë të lëndueshme procesin zgjedhor.

Është keq për shoqërinë tonë kur zhurma përdoret për argument, por në anën tjetër është mirë dhe shumë e shëndetshme për demokracinë kur argumenti përdoret për zhurmë. Në këtë rast keqpërdorimi i votës dhe tjetërsimi i vullnetit të qytetarëve duhet të dënohet nga të gjithë. Më në fund, vetëm injorantët nuk e kanë për bazë faktorin etnopsikologjik, socio-politik dhe socio-kulturor, i cili reflekton drejtpërsëdrejti në këto zhvillime dhe bën që të jemi këtu ku jemi tash. Prandaj politika është definuar si art i së mundshëm e jo i së dëshirueshmes.

Lini një Përgjigje