Dy muaj më parë, kur Fatmir Sejdiu, Kryetari i atëhershëm i LDK-së dhe Presidenti i sapodorëhequr, urdhëroi LDK-në që brenda natës të braktisë Qeverinë e Kosovës, në të cilën kjo parti kishte qëndruar gati tri vjet, u bënë hesapet e gabuara prej të gjithë faktorëve relevantë kosovarë dhe ndërkombëtarë. Kjo u kuptua qartë në mbrëmjen e 12 dhjetorit të këtij viti.
Nuk kishte kurrfarë logjike që Kosova t’ia mësyjë që për pesë-gjashtë javë t’i bëjë zgjedhjet e para parlamentare që prej pavarësimit të saj, kur në kohën e UNMIK-ut, për organizimin e zgjedhjeve duheshin së paku pesë-gjashtë muaj.
Shqetësimet e fillimit, të shprehura prej Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), prej njohësve të procesit zgjedhor, prej politikanëve të ndryshëm, u bluan pamëshirshëm për vetëm disa ditë.
Kështu, një herë, Valdete Daka, Kryetarja e KQZ-së tha publikisht që nuk mund të garantojë zgjedhje cilësore për një afat aq të shkurtër, e pak ditë më pas, Daka, me siguri nën presionet e llojllojshme politike, përgënjeshtroi veten duke thënë që KQZ’ja do t’i bëjë zgjedhjet kur diçka e tillë kërkohet prej instancës më përgjegjëse kosovare për mbajtjen e tyre. Njëherë, të thuash të gjitha partitë politike vendore, me entuziazëm pritën mundësinë që të përballen me gjyqin e votës (dhe të vullnetit) të qytetarëve të Kosovës, e pastaj nisi tërheqja kolektive, në drejtim të një qëndrimi paradoksal politik, të artikuluar para se të gjithash prej PDK-së së Kryeministrit Thaçi: Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare duhet të mbahen në dhjetor të këtij viti, edhe pse ato nuk i do askush, as populli, as partitë politike!
Arsyetimi mbizotërues në mbështetje të kësaj logjike absurde ishte: Kemi krizë të thellë institucionale pas braktisjes së institucioneve nga LDK-ja, prandaj, shtegdalja e vetme lidhet me zgjedhjet e reja, në pikë të dimrit, pa kushte minimale për mbajtjen e tyre.
U pa, pra, qysh atëherë që do të përballemi me një situatë që karakterizohej me shpërputhje midis kapaciteteve reale organizative për këto zgjedhje, nevojës që disi të tejkalohej zbrazëtia institucionale dhe ambicieve të disa partive që të shfrytëzohet maksimalisht, momenti i dhënë që shprehej edhe me fjalinë e dëgjuar prej disa politikanëve të PDK-së: Po e humbim një vit pushtet (sepse mandati i Qeverisë Thaçi ishte deri në vjeshtën e vitit 2011), për t’i fituar katër vjet të tjera, në një mandat të plotë qeverisës.
Në mesnatën e 12 dhjetorit, kur për një fije floku i shpëtuam përplasjes midis ithtarëve të PDK-së dhe të LDK-së në qendër të Prishtinës, shpërthyen iluzionet për zgjedhje të lira dhe të mira, për fituesit dhe humbësit e zgjedhjeve, për ata që do ta bëjnë Qeverinë e re, hiç më vonë se deri në fund të këtij viti, ashtu që mesnata e 31 dhjetorit të na gjejë rehat: Me Qeveri, me President, me Kuvend.
Mëngjesi i 13 dhjetorit i zhbëri këto iluzione.
U pa që këto zgjedhje kanë qenë më të këqijat që prej se në Kosovën e lirë organizohen votimet e lira. U kuptua që s’është rendi që do të kemi, mbase, deri në muajin shkurt (2011), Kuvend, President, Qeveri. U mor vesh që gjithë ato pështjellime zgjedhore, të cilat ishin kryetipari i tyre anekënd Kosovës, bënë humbës të plotë politikën kosovare dhe madje shoqërinë kosovare në përgjithësi, gjë që pastaj i bënë të dështuara, në shkallë të ndryshme (natyrisht), të gjitha partitë politike.
Më në fund, ata që merren me politikë krahasimtare, mund të pohojnë, me të drejtë, që viti i ri 2011 do t’i përngjet goxha shumë atij të vitit 2002 në Kosovë. Ju kujtohet: Pas mbajtjes së zgjedhjeve të para të përgjithshme në Kosovë, në nëntorin e vitit 2001, Kosova mbeti plotësisht në duart e Komandantit të KFOR-it, gjeneralit francez, Marcel Valentin. Nuk kishim Kryetar të Kosovës, as Qeveri, ndërsa edhe PSSP-ja (Shefi i UNMIK-ut), Hans Haekerup, ishte larguar nga Prishtina pas një viti të dështuar në zyrën më të rëndësishme të Kosovës.
Paraliza e plotë e dimrit 2001/2002 do të tejkalohej asokohe vetëm pas ndërhyrjes së shteteve të mëdha perëndimore, në radhë të parë të SHBA-së dhe pas mbërritjes në Kosovë të Michael Steinerit, Kryeadministratorit të Kosovës.
Por atëherë nuk ishim shtet. Nuk ishim përgjegjësit kryesorë për gjendjen në Kosovë. Shumëçka nuk varej prej nesh.
Sidoqoftë, shteti i ri i Kosovës do ta presë vitin e ri 2011, në këtë gjendje: Pa President të mirëfilltë, por me një Ushtrues të Detyrës, pa Qeveri të njëmendtë, por me një Qeveri dhe Kryeministër të shkarkuar, pa Kuvend, pa buxhet, me telashe të shumta politike, ekonomike dhe sociale.
Kosova ka hyrë në një cikël shumë problematik politik, që karakterizohet me kriza të njëpasnjëshme, të cilat rriten dhe zmadhohen me progresion gjeometrik, tepër të rrezikshëm dhe shumë kërcënues për vendin dhe për çdo qytetar të tij.
Zgjedhjet e 12 dhjetorit, ju kujtohet gjithsesi, duhej të shërbenin si mjet për zgjidhjen e krizës institucionale dhe për stabilizimin politik të vendit. Tani, ato po shndërrohen në origjinën e krizës më të madhe politike që prej vitit 2001 e këndej.
Institucionet e reja të Kosovës, pa dyshim, do të kenë deficit të legjitimitetit (me zgjedhje të këtilla), dhe suficit të telasheve të mëdha, duke përfshirë këtu edhe imazhin gjithnjë e më të keq të Kosovës në Perëndim. Qeveria e Kosovës gjithsesi do të nisë mandatin e saj të ri, me një devalvim të madh të politikës kosovare si të tillë, me dyshimin e qytetarëve që ne dimë t’i bëjmë zgjedhjet, me dëshpërimin e qytetarëve me perspektivën e tyre, të familjeve të tyre, të mbarë vendit, me inflacionin e premtimeve parazgjedhore për rritje pagash, të cilat assesi nuk mund të përmbushen.
Na pret një dimër i madh politik për Kosovën dhe për qytetarët e saj.