Përtej Martti-t dhe Marty-t!

21 Dhjetor 2010, 21:33Blog TEMA

Nga Beqë Cafaj

Në më pak se dy muaj Kosova – shteti më i ri i Evropës – do t’i mbushë tre vjet të ekzistencës. Më 17 shkurt të vitit 2011 ndoshta do të festohet sërish. Këso radhe, sipas gjasave, kjo festë do jetë më ndryshe se herëve të tjera. Më e zbehtë a më e zhvirgjëruar.

Shkaqet pse marrim guximin ta bëjmë këtë prognozë janë reale. Itinerari i fërkimeve dhe ndeshjeve që vendin e presin është aq intensiv saqë, siç këtë vit ende s’e kemi parë Bredhin e Pavarësisë para Teatrit të Prishtinës, ashtu do harrojmë ta stolisim kryeqytetin me flamurin e shtetit të cilin na e dizajnoi dhe “dha” Martti i parë – Ahtisaari.

Janë rivotimet e pjesshme të datës 9 janar, negociatat dhe matematika për zgjedhjen e presidentit, Qeverisë dhe përfaqësuesve të popullit në institucione, shqyrtimi i projektrezolutës së Marty-t të dytë – Dicku-t, në Asamblenë e Këshillit të Evropës më 24 janar… ato që nuk do na lënë të marrim frymë dhe të shohim të relaksuar drejt 17 shkurtit të vitit që vjen.

Të rrimë paksa tek Martti – i pari, dhe projekti i tij i përvetësuar nga ne.

Shteti i Kosovës, kështu siç është dhe po funksionon, në këta tre vjet të ekzistencës, duket që tashmë është zhytur në një diskrepancë të thellë mes dy taborëve të shkëputur dhe gati-gati të armiqësuar mes veti.

Në njërën anë e kemi qytetarin dhe me këtë edhe vdekatarin e zakonshëm të Kosovës, i cili në mënyrat e tij po provon të klithë, por jo edhe të protestojë dhe, në anën tjetër i kemi kastat politike të Prishtinës, të cilat krah për krah me “bashkësinë ndërkombëtare” me krejt larushinë dhe për këtë edhe padurueshmërinë e pranisë së saj në Kosovë po e bindin veten që Kosova është rrëfim i suksesshëm.

Pas tre vjetësh të optimizmit kaq mirë të paguar me politikën “lokale” dhe “ndërkombëtare” në Kosovë dhe tmerrësisht të kushtueshëm për standardin jetësor, të tashmen dhe të ardhmen e qytetarit të shtetit më të varfër në Evropë, situata duket e pashpresë.

Është intensiteti i instalimit herë pa, e herë me hiri, të krizave permanente ai që këtë shtetin tonë si prodhim të Ahtisaarit çdo ditë e më shumë po e bën kaq të zbehtë dhe me këtë edhe të pashpresë.

Në gati tre vjet vendi ka kaluar nga kriza në krizë. Me rezultate që lënë aq shumë për të dëshiruar, saqë është frikësuese joefiçenca e funksionimit të institucioneve.

Natyrisht që madhështia e një shteti dhe kombi qëndron kur ky mundet ta durojë dhe mbijetojë qoftë krizën apo edhe humbjen. Por, ja që kastat politike të Kosovës tashmë po dëshmojnë që si produkte të UNMIK-ut dhe Ahtisaarit jo vetëm që nuk janë të afta t’u rezistojnë furtunave e humbjeve dhe nëse doni edhe fitoreve, por ato po dëshmohen si formacione të shkrifëta në të cilat shoqëria zor që mund të mbështetet.

Kjo duhet të thuhet këtu jo për shkak të procesit pritshmërisht të parregullt zgjedhor, sa për shkak të “rezolutës” së Marty-t të dytë, Dick-ut. Një stuhi – pasojat e së cilës i shohim në reagime nga fundi i barkut me kërkesa për “arrestime” të zviceranit, përmes “shpalljes” së tij “sharlatan” a të “sëmurë psikik”.

Shumë prej shqiptarëve nuk duan ta dinë a pranojnë që Marty i dytë s’ka bërë gjë tjetër pos përmbledhjen dhe rishkrimin por para së gjithash lansimin e përmasave të “ËikiLeaks”-it të atavizmave të moçme me resentimentet tipike për shqiptarët në përgjithësi dhe udhëheqësit e tyre në veçanti.

Ndoshta edhe falë mënyrës së funksionimit të mentalitetit politik të prodhuar nga Martti i parë, nuk duhet të çuditemi pse reagimet e polit-elitave të Prishtinës janë dhe vazhdojnë të jenë kaq të ngathëta për akuzat e Marty-t të dytë.

Sepse shtete normale dhe shtete që s’janë si të Ahtisaarit, një Izrael p.sh., i cili edhe na këshillon, nuk do të linin gurë pa lëvizur me gjyqe të pafundme – derisa këtij Marty-t të dytë t’ia mbyllnin gojën pa u dëshmuar akuzat e tij.

Meqë kjo nuk do të ngjajë – shqiptarët e Kosovës, ata që po paguajnë çmimin e rëndë të shkëputjes nga kastat e tyre politike duhet të shikojnë dhe mendojnë seriozisht ta hapin një diskurs të ri. Frymë të re me ideal dhe stoicizëm. Atë të tejkalimit të Martti finlandezit dhe Marty zviceranit.

Përtej tyre çdo gjë duhet të jetë e hapur. Dhe kjo gjë do ngjajë shumë shpejt. Pa pasur nevojë për teori konspiracioni as prognoza të thella. Pranvera me të papriturat e saj – edhe këso radhe me siguri do të na tregojë.

Lini një Përgjigje