Thaçi në supë

21 Dhjetor 2010, 21:38Blog TEMA

“The Economist”

Stuhia e ngritur nga raporti nga Dik Marti i Këshillit të Europës, nuk ka të pushuar. Mes të tjerave, raporti e akuzon Hashim Thaçin, kryeministrin e Kosovës, për implikim në trafikim organesh në prag të luftës së vitit 1999. Thaçi thotë se akuzat janë shpifje dhe ai do e padisë zotin Marti për këtë gjë. Ashtu siç pritej, raporti ka qenë i gëzueshëm për median serbe dhe ka vënë në pozita mbrojtje median në Kosovë.

Analiza më e mirë që kam parë vjen nga një diplomat i lartë në Kosovë, që ka pranuar të ndajë me në këndvështrimet e tij për këtë çështje, me kusht që të mbetet anonim. Raporti, shkruan burimi ynë, është:

“Një ëmbëlsirë mikse e disa çështjeve të vërteta e shumë serioze (nën hetim tashmë), çështje të së kaluarës dhe të përfolura, që tani duhet të të çojnë diku, supozime ndoshta të vlefshme për lidhjet dhe praktikat e biznesit të kryeministrit, pak histori nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, për të cilën kosovarët duhet të mendohen më thellë, dhe disa përgjithësime të buta e paksa raciste për shoqërinë shqiptare. Efekti është një përzierje e pasur, pjesë të së cilës nuk mund të dështojnë që të qëndrojnë së bashku, më shumë se shuma e të gjitha pjesëve.”

“Nuk jam i sigurt nëse ka ndonjë shenjë gishtërinjsh të zotit Thaçi në armën që sapo është shkrepur,” thotë burimi. Problemi është konteksti dhe koha. Raporti mbërriti pikërisht pasi imazhi i zotit Thaçi “mori një goditje mes njerëzve të tij, të cilët nuk e besojnë rezultatin e zgjedhjeve (ndoshta të pandershme)”.

Zgjedhjet e Kosovës më 12 dhjetor janë dënuar gjerësisht si të manipuluara, veçanërisht në zona të caktuara. Raporti i zotit Marti tani e sheh reputacionin e kryeministrit në “rënie pikiatë mes ndërkombëtarëve, veçanërisht atyre që nuk e njohin mirë Kosovën”.

Të mërkurën e shkuar shqiptarëve dhe boshnjakëve iu dha më në fund mundësia e lëvizjes pa viza në 25 vende të zonës Shengen, çka nënkupton se ndër vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Kosova mbetet jashtë kësaj zonë. Kështu që burimi ynë shkruan:

“Imagjinoni atë që kanë në mendje tani ministrat e Brendshëm të Bashkimit Europian, të cilët kanë nxitur komisionin për të mos lejuar heqjen e vizave për kosovarët e këqij- dhe imagjinojini tani duke lexuar raportin. Kjo mund të rrisë presionin mbi Thaçin për të bërë disa lëshime për të përmirësuar imazhin. Por përgjigja ka qenë patriotike, duke kulminuar në një fjalim në të cilin kryeministri … bën pohimin e neveritshëm se vlera më sublime që kanë krijuar ndonjëherë shqiptarët ka qenë UÇK.”

Të premten, thekson burimi ynë “ne mësuam se Ramush Haradinajt i është refuzuar nga një apel i prokurorisë kërkesa për leje për t’u bashkuar me të shoqen në ditët e fundit të shtatzanisë.” Zoti Haradinaj është ish-kryeministër i Kosovës dhe, ashtu si zoti Thaçi, një drejtues i UÇK-së. Ai po rigjykohet për akuzat për krime lufte në Hagë, pas shqetësimeve se gjyqi i tij i mëparshëm ishte i pavlefshëm për shkak të frikësimit të dëshmitarëve. Vendimi do të shihet në Kosovë si një “konfirmim final i serbofilisë globale, një lëshim tjetër për Serbinë ndërsa Kosova nuk merr asgjë.”

Po ku do na çojë e gjitha kjo? Burimi ynë na thotë se: “ka një ndjenjë të zbehtë, por në rritje mes kosovarëve, se paradigma e vjetër e angazhimit ndërkombëtar- vazhdoni me reformat  me durim dhe përulësi dhe ne do ju çojmë drejt pavarësisë së plotë dhe BE-së- po has në një ngërç. Çfarë është arritur pas dhjetë vitesh durimi dhe lëshimi ndaj Bashkimit Europian dhe ndërkombëtarëve? Edhe liberalizimi i vizave duket vite drite larg. Anëtarësimi në BE duhet të jetë dekada larg. Shqipëria e Madhe mund të jetë një ëndërr me sy hapur (pjesërisht për shkak se ndoshta ajo që nuk e do është Shqipëria), por ndoshta do të jetë më mirë që Kosova të qartësohet nga ky konfuzion dhe të mbështetet për shtimin e njohjeve tek miqtë realë si Turqia dhe SHBA.”

2 komente në “Thaçi në supë”

  1. alba says:

    Mendoj qe vlerat e UÇK -se duhen ruajtur, por Thaci duhet te terhiqet nga skena politike pergjithmone. Si ka mundesi qe ne kete vorbull akuzash per te, nuk po flitet fare, as nga media shqiptare per 7000 personat e zhdukur kosovare, nga serbet gjate luftes.

  2. ducja says:

    thacit tashme i ka ikur koha ka dale jashte mode , me zgjedhjet e fundit tregoi se kush eshte e cfare di te beje.Tani i ngelet te largohet sa me pare ne te mire te ceshtjes se Kosoves.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje