Në lumë

7 Janar 2011, 21:44Editorial TEMA

Nga Mero Baze

Dje mu kujtua një skenë nga vitet 2000, kur një komisar policie në Elbasan, Edmond Koseni, u shfaq buzë një lumi, ndoshta Shkumbinit, për të djegur drogën që kish kapur. Ishte sa banale, aq dhe autentike e gjithë përpjekja e tij për tu distancuar nga droga. Mizanskena që kish ndërtuar në mendje ishte gjithmonë një lumë që merrte me vete të keqen dhe lante komisarin. Lajmi i djeshëm se KQZ nisi të djegë fletët e votimit buzë një lumi tek një lëndinë, ku hidhen inertet, ma riktheu në mendje atë shijen e vulgaritetit që më ka pasë lënë dikur gjesti i komisarit. Tani për fletët e votimit nuk flitet më politikisht. Nuk flitet më për vlerën e tyre politike, që ka të bëjë me rotacionin e pushtetit. Nuk flitet as për vlerën e tyre faktike që ka të bëjë me fshehjen e krimit. Në koshiencën e pushtetit ato janë një “lëndë narkotike” që ka helmuar shpirtin e kundërshtarëve të tyre dhe për këtë duhen djegur, diku buzë një lumi, afër një guroreje, që të mos i shohë njeri. Pak a shumë si droga e Kosenit, pak a shumë si ekzekutimet pa gjyq dhe mbi të gjitha si një gjest që buron nga subkoshienca e dikujt që i trajton ato si fakt kriminal.

U bënë 20 vite që unë jetoj në pluralizëm dhe nuk e di se ku janë djegur më parë fletët e votimit, por nëse do më kishin pyetur, kurrë nuk do t’i përfytyroja të digjeshin buzë një lumi, në një lëndinë si për ta marrë të keqen dikush me vete. Edhe nga ana ekologjike, një shtet që nuk di të djegë një dokument të tij, dëshmon thelbin e vet primitiv. Administrata, edhe ato më të prapambeturat në botë, kanë makinat e tyre dhe procedurat korrekte si ekologjike, ashtu dhe administrative të asgjësimit të dokumenteve. Askund nuk kam dëgjuar që ato ekzekutohen buzë një lumi, si Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu që mezi ju gjetën eshtrat buzë Erzenit. Subkoshienca e krimit që fle në mendjen e shefit të shumicës së dyshimtë në vend ndërton pa dashje tek gjithë vartësit e vet dhe skenën kriminale të asgjësimit të provave të krimit.

Fletët e votimit po zhduken si drogë e kapur pa leje. Me një vendim prej kaçakësh, katër anëtarë të KQZ-së kanë vendosur që të hidhet benzinë mbi zjarrin e ndezur nga opozita. Tashmë ata që kanë fiksim kutitë dhe fletët nuk janë më opozitarë, por pjesë e shumicës. Ata nuk duan të dëgjojnë më fjalë të tilla. Nuk duan të shikojnë më fletë. Nuk duan të ketë asnjë dyshim se ata i kanë fletët në zyrat e shtetit. Jo. Ato do të digjen, nuk e di pse “për dy muaj rresht” siç ka thënë KQZ-ja, por e sigurt është që do të digjen buzë një lumi. Aq shumë më ka tronditur ky detaj, sa dhe sikur të më thoshin që fletët do të rinumërohen buzë një lumi, do rrëqethesha. Sa herë shkoj në jug, dhe në vendlindje time, shikoj Vjosën e fryrë që bie plasmasë dhe mbeturina, që dhe ato pak qyteza që janë buzë saj i hedhin në lumë. Sa herë del Semani dhe Shkumbini, shikoj Fierin dhe Rrogozhinën që mbulohet me plasmasë. Sa herë del Mati, shishet plastike dhe plasmasët mbërrijnë deri në Dubrovnik. Primitivizmi shqiptar i hedhjes së plehrave në lumë duket se tashmë është bërë dhe arsyetim shtetëror. Me apo pa dashje, qeveria do që shqiptarët ta besojnë se po e djeg të keqen, po i heq xhindet që ka brenda vetes dhe po i hedh në lumë. Në këtë rast është zgjedhur Erzeni, një lum i paqëm, i vogël, i pastër deri pa ju afruar Tiranës dhe i pistë e i ndyrë deri sa derdhet afër Gjirit të Lalëzit, ku Sali Berisha dhe e bija po ndërtojnë parajsën e tyre të re me paret e vjedhura nga shqiptarët. Nuk di nëse Ristani e zgjodhi rastësisht këtë lumë për të hedhur fletët e djegura aty, por në i shpëtoftë dot ndonjë pa djegur dhe t’i shfaqet Familjes në Gjirin e Lalëzit, ka për tu prodhuar ndonjë skenë makbethiane. Subkoshienca kriminale e hedhjes të së keqes në lumë, qoftë ky pleh, plasmas, letër, hi apo drogë, është tashmë mentalitet shtetëror. E di që shumë lexues do më marrin për të lajthitur që unë vajtoj ndotjen e mjedisit dhe jo zhdukjen e fakteve kriminale. Por nuk kam rrugë tjetër. Një krim provohet që është krim me koshiencë dhe nga mënyra si kryhet. Edhe mënyra se si po i zhdukin fletët e votimit është banditeske, vulgare, primitive, njësoj si vjedhja e tyre. Edhe kjo është një provë më shumë që ata po zhdukin një mall të vjedhur.

5 komente në “Në lumë”

  1. huri says:

    lumin e morem vesh,u bene 20 vjet qe po i shohim mes drites se diellit por dhe neper terrin e nates,kete skote qe po na sundon.Po “HAURET E AVGJISE”,kur do jete dita qe do ti pastroje lumi popullor?

  2. LORA says:

    Une te marr serozisht z.Mero dhe ndjej si Ty;lajthitjen e demostron perdite qeveria e dr.Tyryryse me faturen me te rende,ne keto 20-vjetet e fundit, e kriminale per xhepin e fatin e shqiptareve.
    Por akti kriminal i djegjes,ne breg te lumit,te vullnetit te sovranit me ben me te vendosur ne ushtrimin e sovranitetit tim ne revolten per te perzenjen me dru,sa me pare te kesaj qeverie kanceroze.
    Ju falnderoj per gazetarine tuaj ne sherbim te Kombit dhe ju uroj per cdo dite te kontributit Tuaj.

  3. mendertafuti says:

    A nuk e kuptoni se Berisha eshte nje primitiv dhe ne subkoshiencen primitive perdhunimi i viktimes eshte aspekt i rendesishem i demonstrimit te ngadhnjimit?
    Berisha po perdhunon,sepse eshte nje primitiv.Por ka nje aleat te madh:Vete populli te cilit i perket eshte primitiv dhe gjeste te ketilla bejne efektin e llogaritur nga Berisha.
    Nuk jemi ne Evrope zoterinj,jemi ne Shqiperi.

  4. driton says:

    Mero Baze ky shkrim eshte reale dhe pashqyronme me menyre te drjete gjarjene qe ka nndodhure.

  5. Epirioti says:

    Se ku jane katandisur politikanet tane me injorancine e tyre e tregon me mire nje fallxhore ne Elbasan, kur thote se sa e sa deputet te te dy kraheve shkojne e shohin filxhanin e kafes te ajo. Injorancia e pllakosur kudo tashme ne Shqiperi po ben te lulezojne bestytnite dhe fallet per parashikimet e te ardhmes. Jane bere te gjithe politikanet e PD e PS si tre monedhat e arta te Pinokut. Presin pemen te mbi me para ne vend te frutave. Ndaj dhe djedia ne buze te lumit eshte tjeter frike dhe bestytni e tyre.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje