Komiteti i Helsinkit: Prokuroria të hetojë për kontrollet arbitrare të policisë

10 Janar 2011, 20:10Kronika TEMA

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) ka ndjekur me vëmendje dhe shqetësim informacionet, kronikat dhe intervistat e transmetuara në median e shkruar dhe atë elektronike se: a) në qytetin e Durrësit nga forcat e policisë janë kryer kontrolle të një numri të konsiderueshëm personash që ndodheshin në 65 lokale. b) kontrolle të tilla si dhe shoqërime të personave në komisariatet e policisë kanë ndodhur edhe në qytetet e Fierit (siç thuhet, janë shoqëruar 27 persona që më vonë janë liruar) dhe Vlorës. c) Ka të dhëna se këto kontrolle janë zhvilluar edhe në qytete të tjera si Patos dhe Elbasan dhe se këto kontrolle do të shtrihen në të ardhmen edhe në qytete të tjera.

KShH është i ndërgjegjshëm se, për parandalimin e kriminalitetit që në disa drejtime paraqitet shqetësues, është e nevojshme të merren masa të gjithëanshme, të koordinuara dhe komplekse, por ato duhet të jenë gjithmonë në përputhje me ligjin dhe në respektim të lirive dhe të drejtave të shtetasve të cilat janë të sanksionuara në Kushtetutën tone, në aktet ndërkombëtare të zbatueshme në Republikën e Shqipërisë si dhe në aktet e tjera ligjore në fuqi.

Organizatës sonë i tërheq vëmendjen intervista e dhënë nga një agjent i policisë kriminale të Durrësit në gazetën “Shqiptare” në dt. 9 Janar 2011. Midis të tjerave në këtë intervistë thuhet se: “Në Durrës mbërritën forca speciale nga Tirana”, se: “Aksioni i beftë i specialeve synonte parandalimin e krimeve ndaj është vendosur që kontrolle të tilla të kryhen herë pas here”, se: “Forcat e FNSH-së brenda harkut të 4 orëve kaluan në sitë plot 65 lokale”, se: “Gjatë kontrollit nuk u gjet as armë dhe as drogë, megjithatë ja arriti qëllimit”.

Ne jemi të mendimit se, kontrolle të tilla masive që nuk mbështeten në të dhëna apo dyshime të bazuara, nuk mund të justifikohen ligjërisht, madje janë në cenim të të drejtave të shtetasve. Në nenin 35 të Kushtetutës thuhet se: “Askujt nuk mund t’i bëhet kontroll vetjak jashtë procesit penal me përjashtim të rasteve të hyrjes në territorin e shtetit dhe të daljes prej tij, ose për të mënjanuar një rrezik që i kanoset sigurimit publik”.

Nga mënyra si është vepruar nuk rezulton që kontrollet të jenë kryer për të mënjanuar ndonjë rrezik konkret që i kanosej sigurimit publik. Nga ana tjetër, kontrolli i personit sipas pikës 4 të nenit 109 të ligjit nr.9749, dt.04.06.2007 “Për Policinë e Shtetit”, mund të kryhet vetëm “kur ka informacione të besueshme se ata kanë sende të rrezikshme për vetë personin apo personat e tjerë”. Në këtë vështrim do të ishte e kundraligjshme kryerja e kontrolleve të sipërpërmendura, aq më tepër masivisht, pa informacione të besueshme për persona apo lokale të veçanta, por vetëm në bazë të planeve që do të synonin parandalimin e krimeve. Nuk do të ishte gjithashtu e ligjshme që këto kontrolle të kryheshin sepse “mund të gjendeshin” armë, drogë apo sende të ndaluara kur për këtë qëllim nuk ka një informacion konkret dhe të besueshëm.

KShH, sipas të dhënave në media, konstaton se në këto kontrolle janë përdorur edhe struktura speciale operacionale, rezervë e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Në vështrim të nenit 121 të Ligjit “Për Policinë e Shtetit”, ku midis të tjerave thuhet se forcat speciale mund të përdoren në rastet e çlirimit ose shpëtimit të pengjeve, kapjes së personave të armatosur me rrezikshmëri të lartë, në rastet e rivendosjes së rendit dhe sigurisë publike etj, KShH mendon se këto forca nuk duhet të përdoreshin në rastet e ditëve të fundit, sepse në dispozitën e sipërpërmendur, ligji ka parasysh ngjarje ose veprimtari konkrete të kundraligjshme dhe jo aksionet parandaluese.

Për sa i përket shoqërimit të personave në ambientet e komisariateve të policisë, do të duhej gjithashtu të zbatohej me përpikmëri ligji, gjë që do të garantonte respektimin e të drejtave të të shoqëruarve.

Ashtu sikurse u përmend më lart, në Fier u shoqëruan 27 persona, ndërsa për Vlorën thuhet se janë shoqëruar 67 persona. Në Fier, të afërmit e të shoqëruarve janë ankuar para godinës së Drejtorisë së Policisë së Qarkut, se nuk kanë patur asnjë dijeni për fëmijët e tyre që ishin marrë në disa lokale dhe ishin shoqëruar në polici, madje ata kanë pretenduar se të shoqëruarve u ishin marrë edhe gjurmët e gishtrinjve. KShH, mbështetur në këto të dhëna, konstaton se shoqërime të kësaj natyre, aq më tepër masive, nuk janë të justifikueshme ligjërisht.

Kontrolli i identitetit të personave, sipas nenit 102 të ligjit “Për Policië e Shtetit”, kryhet kur kërkohen persona të dyshuar për cënim të rendit publik, kur ka dyshime se ata janë përfshirë në veprime të jashtëligjshme etj. Veç kësaj, vetëm në rast të ndalimeve apo arrestimeve mund të legjitimohet marrja e shenjave të gjurmëve të gishtave. Përjashtimisht, ato mund të merren edhe nga I shoqëruari, vetëm si të dhëna identifikuese, nëse këto të dhëna do të nevojiteshin për të përcaktuar identitetin e personit. Për pasojë, nëse personi nuk ndalohet ose arrestohet, sipas ligjit në fjalë, këto të dhëna, mbas identifikimit duhet të eleminohen.

Sipas nenit 107 të ligjit “Për Policinë e Shtetit”: “Personit të shoqëruar duhet t’I jepet menjëherë mundësia për të njoftuar një të afërm ose një person të cilit ai i beson. Nëse i shoqëruari nuk është në gjendje ta ushtrojë të drejtën e tij si më sipër, dhe nëse nuk bie ndesh me vullnetin e personit, polica njofton kryesisht personat e sipërpërmendur”. Ndërsa “Kur i shoqëruari është i mitur, atëherë në çdo rast njoftohet menjëherë personi përgjegjës për mbikqyrjen e tij”. E njëjta gjë vlen edhe për të rriturit për të cilët është caktuar një kujdestar. Po të zbatohej sa më sipër, policia do të kishte mundësi të indentifikonte identitetin e personit të shoqëruar, pa qenë e nevojshme t’u merrte shenjat e gishtrinjve.

Nisur nga ato që përmendëm më lart, Komiteti Shqiptar i Helsinkit i sugjeron Ministrisë së Brendshme dhe në veçanti Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, që të angazhohet seriozisht dhe me transparencë për sqarimin e kësaj çështje. Gjithashtu, sugjerjomë se në ndërhyrje të tilla, Drejtoria e e Përgjithshme e Policisë duhet të njoftojë menjëherë opinionin publik për qëllimin e veprimeve të veta. KShH me këtë rast, i drejtohet prokurorive të rretheve, ku kanë ndodhur kontrolle dhe shoqërime të personave si më sipër, që në bazë të ankesave të shtetasve ose me iniciativë, të verifikojnë me shpejtësi dhe objektivitet, ligjshmërinë e këtyre veprimeve dhe në rast nevoje, personat përkatës të vihen para përgjegjësisë ligjore.

Nga informacionet që ofron media, rezulton se kontrolle dhe shoqërime të kësaj natyre do të kryhen nga policia edhe në të ardhmen. KShH e shikon të nevojshme t’i sugjerojë Prokurorisë së Përgjithshme që ta ndjekë me përparësi këtë problem, me qëllim parandalimin e cënimit të lirive dhe të drejtave të shtetasve.

1 komente në “Komiteti i Helsinkit: Prokuroria të hetojë për kontrollet arbitrare të policisë”

  1. muco says:

    zageret e pd po bejne si ne vitin 97 po terrorizojne popullsine

Comments are closed.

Lini një Përgjigje