Feith: Qeveria duhet të ketë fytyra të reja

14 Janar 2011, 09:38Rajoni TEMA

Pieter Feith po pret që qeveria e re të jetë vërtet e re. Mbikëqyrësi i pavarësisë është kthyer nga pushimet dimërore, dhe ka shumë mesazhe për zhvillimet në Kosovë, dhe “për renë e zezë që ka rënë mbi imazhin e Kosovës”. Në një intervistë për “Kohën Ditore”, shefi i ICO-së ka thënë se pret që qeveria e ardhme të ketë ministra kredibilë, dhe që pjesë e saj të moj jenë zyrtarët që janë nën hetime. Shefi i ICO-së nuk ka ngurruar të paralajmërojë se një veprim i kundërt mund t`i kushtojë Kosovës me humbje të kredibilitetit dhe të reputacionit në Bruksel e Uashington.

“Ajo që më inkurajon tej mase është se ka një vetëdijesim të përgjithshëm, se kjo situatë përveçse është serioze, krijon edhe një mundësi që të ketë një fillim të ri. Dhe mendoj se ka vullnet që kjo të bëhet. Unë do të jem shumë i interesuar. Do të jem i interesuar, sepse mendoj se ky moment ka rëndësi për Kosovën”, ka thënë shefi i ICO-së.

Ai e di se zgjedhjet e kaluara kanë qenë me mashtrime dhe se të zgjedhurit do të kenë problem legjitimiteti, por ka thënë se nuk sheh zgjidhje në përsëritjen e vazhdueshme të zgjedhjeve. Feith ka bërë thirrje për ndryshim mentaliteti, ndërkaq ka kërkuar që legjitimitetin qeverisja e ardhshme ta fitojë pikërisht duke emëruar njerëz kredibilë në udhëheqje të punëve.

Shefi i ICO-së është i shqetësuar me qëndrimet e politikës kosovare për raportin e Dick Martyt.

Sipas tij, tendenca për të gjeneralizuar përgjegjësinë dhe për ta paraqitur raportin si vepër kundër një kombi është shqetësuese. Sipas Feith, është edhe më shqetësues paralajmërimi se bashkëpunëtorët e Martyt apo ata që kanë folur me të do të zbulohen. Feith shpjegon se përgjegjësia është individuale dhe nëse ka ndonjë vepër kriminale, për to do të përgjigjen individët dhe jo shoqëria si tërësi. /kohaditore/

Lini një Përgjigje